Sa e justifikuar është frika se terroristët mund të përdorin edhe armë kimike e biologjike | Bota | DW | 12.07.2005
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Sa e justifikuar është frika se terroristët mund të përdorin edhe armë kimike e biologjike

Shpërthimet në Londër kanë shtuar frikën nga terrorizmi mbarëbotëror dhe kriminaliteti në rritje. Në rrethana të tilla më së voni qysh pas mitit të "armëve të shfarrosjes në masë në Irak" jo vetëm ekspertët e sigurisë, por edhe qytetarët e thjeshtë gjithnjë e më shumë i frikëson mendimi, se terroristët mund të përdorin edhe armë biologjike apo kimike. Janë të shumtë ata që mendojnë, se armë të tilla mund të prodhohen fare lehtë.

Pamje nga metroja e Londrës pas shpërthimit

Pamje nga metroja e Londrës pas shpërthimit

Nëse është e mundur një gjë e tillë, këtë e sqaron për DW ekspertja amerikane Amy Smithson nga Qendra Amerikane për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare në Uashington D.C. "Një nga mitet mbi terrorizmin me armë kimike dhe biologjike është, se armë të tilla mund të prodhohen lehtë. Vërtetë që një gjë e tillë mund të jetë e saktë krahasuar me armët bërthamore. Por parë nga këndvështrimi teknik është mjaft e vështirë të prodhosh substanca kimike dhe t´i përhapësh ato në mënyrë që të plagosësh apo vrasësh qindra mijëra njerëz." Amy Smithson punon për "Qendrën e Studimeve Strategjike dhe Ndërkombëtare" në Uashington D.C. dhe merret qysh prej vitesh me çështjen e "përhapjes së armëve kimike dhe biologjike". E pyetur nëse terroristët sot janë në gjendje të prodhojnë armë kimike dhe bilogjike, ajo përgjigjet duke dhënë shembullin e sektit japonez Aum Shinrikyo, që në mars të vitit 1995 ishte përgjegjës për sulmet me gazin helmues sarin në metronë e Tokios. Asokohe gjetën vdekjen 12 vetë, por fillimisht ky sekt pat planifikuar sulme me substanca biologjike, që mund t´u kushtonin me jetë mijëra njerëzve. Megjithatë një gjë e tillë nuk ndodhi, arësyet zonja Smithson i shpjegon: "Terroristët e Aum Shinrikyo-s janë një shembull i mirë. Ata kanë investuar më shumë se 30 milionë dollarë, por asnjëherë nuk ia kanë dalë që të kultivojnë një virus vdekjeprurës, pa përmendur këtu ndonjë virus që po të përhapet në mjedis mund të prekë njerëzit."

Amy Smithson me këtë shembull do të theksojë, se nuk mjaftojnë vetëm paratë për të prodhuar armë kimike dhe biologjike. Jo vetëm prodhimi, por edhe teknika për çlirimin e lëndëve kimike e biologjike është jashtëzakonisht e komplikuar: "Shpesh herë në deklarimet, se është e lehtë të prodhohen armë të këtij lloji, nuk merren parasysh vështirësitë teknike. Këto janë detaje, të cilave u kushtoj vëmendje ndaj e ritheksoj, që prodhimi i armëve të tilla nuk është i lehtë. Ndonëse nuk është e pamundur, gjë që nuk e pretendoj, e nënvizoj edhe një herë, se nuk është aspak e lehtë të prodhosh armë kimike apo biologjike."

Por nuk është e nevojshme të kesh një super armë për të ngjallur panik dhe frikë tek njerëzit, vëren më tej zonja Smithson. Letrat me antraks që u dërguan në SHBA pas sulmeve të 11 shtatorit dhe që u kushtuan jetën 5 personave, ngjallën panik në mbarë botën. Ndaj frika nga armët kimike e biologjike prek jo vetëm ekspertët e sigurisë, por edhe qytetarët e thjeshtë: "Ka shumë të ngjarë që terroristët në vend të armëve kimike e biologjike përdorin plumba, bomba, bomba të sajuara me lëndë shpërthyese. Kjo pasi ata dinë të qëllojnë dhe dinë të bëjnë bomba të thjeshta me lëndë shpërthyese, ndërsa armët ekzotike si ato kimike e biologjike janë për ta diçka e re. Nëse u referohemi rasteve të deritanishme, terroristët nuk ia kanë arritur që t´i kapërcejnë vështirësitë teknike të prodhimit dhe përhapjes së lëndëve kimike dhe biologjike. Madje nuk më habit aspak fakti që ata kanë frikë vet prej këtyre lëndëve. Nëse nuk i rrespekton me saktësi masat e sigurisë, ka rrezik që terroristët të dëmtohen fillimisht vetë përpara se t´u shkaktojnë gjë të tjerëve", thekson ekspertja Amy Smithson.

  • Data 12.07.2005
  • Autor Helle Jepensen
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArOi
  • Data 12.07.2005
  • Autor Helle Jepensen
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArOi
Reklamë