Rrok racist nëpër oborret e shkollave | Gjermania | DW | 20.03.2006
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Rrok racist nëpër oborret e shkollave

Me CD gratis me muzikë raciste dhe djathtiste, qarqet neonaziste po përpiqen të përhapin ideologjinë e tyre tek të rinjtë gjermanë.

Demonstratë djathtistësh në Lajpcig

Demonstratë djathtistësh në Lajpcig

"Projekti Oborri shkollor" nuk është aktiviteti i parë i qëllimshëm i skenës djathtiste në Gjermani, por është hera e parë, që neonazistët në mënyrë sistematike po joshin me anë të muzikës. I rrezikshëm është ky projekt, pasi CD-të u shpërndahen të rinjve nëpër shkolla falas.

"Problem është që mësuesit nuk janë fare të informuar për simbolet dhe dhe shenjat e qarqeve të djatha. Për shembull tek ne punonte një grua, që e tregonte orientimin e djathtë të saj me anë të rripit që vinte në kokë, ai kishte tre ngjyra: të zezë, të bardhë dhe të kuqe. Kjo u ra në sy fëmijëve dhe ata ua thanë mësuesve, mësuesit nuk kishin për ta kuptuar fare, " – rrëfen Jërg Krones, mësues në shkollën Jakob-Muth- në Bohum.

Ai thotë se një problem i madh nëpër shkollat e sotme është mbështetja që u bëjnë shumë nxënës parrullave të tilla "jashtë të huajt", "të huajt na marrin vendet e punës", "të huajt hapin vetëm telashe" etj.. Është e domosdoshme të tematizohet edhe botkuptimi djathtist i ashtuquajtur i lehtë, që nuk përbën ende shkak për ndjekje penale," – kërkon Krones, i cili ka marrë pjesë në një seminar të organizuar nga ministria e arsimit të landit të Nordrajn – Vestfalisë.

Qarqet neonaziste në Gjermani që prej shumë vjetësh përbëhen nga grupime me struktura të çlirta, që quhen "Kamaraderi të lira". Shumë shpesh ata janë të organizuar në rrjete jo formale. Ata quhen edhe "Nacionalistë të Rinj." Me gjoja mirëkuptim u drejtohen të rinjve dhe përpiqen që t’i ideologjizojnë ato. Siç tregon një skinhead nga Këlni:

"Aty ka të vjetër, të rinj, nazistë të vërtetë. Janë njerëz që kanë pamje krejt normale që kanë këmisha me lule të tipit Hauai, apo ndonjë këmishë shumë fine, pra janë të veshur mirë dhe të mbajtur. U flasin skinsave dhe i qerasin me ca birra. Dinë ta dallojnë se kush i ka punët keq, dhe kujt mund t’i premtojnë ndonjë gjë," – thotë ai.

Në seminaret e ministrisë së kulturës tema kryesore është sensibilzimi i mësuesve dhe nxënësve për këtë problem dhe për të tërhequr vëmendjen për ta bërë të dukshme ideologjinë e fshehur.

Muzikë extremiste e djathtë e tipit skin me tekste raciste dhe që i thurr lavde dhunës gjen aprovimin gjithmonë e më të madh edhe tek të rinjtë që vetë nuk janë pjesë e qarqeve ekstremiste. Qarqet djathtiste karakterizohen nga tendenca për dhunë. Skinsa djathtistë propagandojnë imazhin armiqësor ndaj pakicave, si të huaj, azilantë, të majtë, homoseksualë dhe të pastrehë. Kjo lloj muzike e përzier edhe me ndikimin e alkoolit i bën shumë nxënës që të ndërmarrin shpesh sulme spontane.

Grupmoshat bëhen gjithmonë e më të reja shpjegon psikologu Sasha Bade: "Nxënës nga klasat e njëmbëdhjeta i fusin më të vegjlit në rrethet e tyre, që përbëhen kryesisht nga 15 e 20 vetë dhe që sulmojnë nxënësit e huaj, me fjalë ose me edhe fizikisht. Më të rriturit përgjojnë dhe pastaj ndërhyjnë dhe e tëra përfundon në rrahje."

Landi i Nordrajn Vestfalisë ka ngritur një qendër informuese dhe këshilluese dhe ka hapur një numër telefoni enkas për ata që duan të dalin nga këto grupe, qofshin simpatizantë, aktivistë dhe madje persona udhëheqës, ku jepen këshilla se si të hyjnë përsëri në jetën sociale.

  • Data 20.03.2006
  • Autor Jozefa Martens
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Ar18
  • Data 20.03.2006
  • Autor Jozefa Martens
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Ar18