1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Rekord i ri i naftës dhe arit në tregjet botërore

R.Wenkel/S.Wolff20 Prill 2006

Sa më e shtrenjtë të bëhet nafta, aq më shumë ia vlen çdo inovacion, që e pakëson varësinë tonë nga ari i zi

https://p.dw.com/p/AqqH
Rafineri nafte në Arabinë Saudite
Rafineri nafte në Arabinë SauditeFotografi: dpa


Në sfondin e tensioneve politike me Iranin dhe reduktimit të prodhimit të naftës në Nigeri, çmimi për naftën bruto, të martën arriti në Londër një rekord të ri. Tipi Brent, më i shituri i Zonës së Detit të Veriut arriti përkohësisht kuotën 72,20 dollarë për fuci. Një shifër rekord arriti edhe çmimi i arit. Një uncë ari aktualisht kushton 620 dollarë dhe ky është çmimi më i lartë që prej fillimit të viteve 80. Aktualisht, ari luan rolin e monedhës së krizës dhe të të preferuarit të investuesit njëkohësisht. Grindja atomike me Iranin dhe pëgatitjet ushtarake bënë që pas Pashkëve çmimi i arit të eksplodojë me plotëkuptimin e fjalës. Por ngritja e çmimit të arit vazhdon që prej pesë vjetësh dhe sipas ekspertëve nuk po i shihet fundi.

Shkaqet fondamentale për kthimin e arit janë më tepër të natyrës së thjeshtë: "Po, natyrisht kemi të bëjmë me para investorësh, para investorësh, spekullative, që futen në treg si sigurim përballë rreziqeve, nga ana tjetër tregjet shohin edhe ofertën dhe kërkesën, dhe kjo e bën të gjithën në thelb interesante. Ne shohim se rezervat e devizës në Kinë janë shumë të larta, kinezët po i shohin arin dhe euron si alternativa të tjera investuese", thotë Thorsten Demin, nga Deutsche Bank. Gjithnjë e më shumë është droja për inflacionin dhe shtimin e taksave, të cilat e shtojnë kërkesën për arin. Në këtë mënyrë, ari është i lidhur edhe me çmimin e naftës.

E pikërisht çmimi i naftës tani është rritur në mënyrë të dukshme. Agjencia ndërkombëtare e energjisë bën të ditur se frenimi i shitjeve në Nigeri dhe pasiguria për shkak të grindjes atomike me Iranin e ka ngritur në mbi 70 dollarë për fuci çmimin e naftës. Ajo ë shtë e mendimit se konsumi botëror i naftës, që është dyfishuar prej viteve 70, në 25 vitet e ardhshme do të rritet edhe me 50%.

Ofertë e pakët, kërkesë në shtim- vende industriale të varfëra me lëndë të para, si Gjermania nuk do të jenë në gjendje t'i shmangen në plan afatshkurtër shpërthimit që rezulton të çmimeve përballë një kuote importi prej 97% të naftës bruto. Dhe ata që u japin automjeteve në Gjermani e vënë re këtë në mënyrë më se të qartë në pompat e benzinës. Por nuk ke ndonjë dobi nga hedhja e fajit tek spekulantët, të cilët i ngrejnë gjoja çmimet në mënyrë artificiale. Sepse edhe në këto tregje vlen ligji i ofertës dhe i kërkesës, atje zhvillimet e së ardhmes zbatohen në praktikë dhe kërkohet siguri kundër ngritjes së çmimeve. Tregjet funksionojnë pra në mënyrë fare normale dhe dërgojnë një sinjal të qartë: nafta është një mall me pakicë, i cili ndërkohë është bërë i shtrenjtë. Këtu nuk të ndihmon asnjë qarje e ankim, asnjë shpresë për kohë më të mira - ato nuk do të vijnë.

Por çmimet në rritje duhet të ushtronin një efekt shërues. Natyrisht që mund të bësh naze dhe të thuash se dhjetë dollarë më tepër naftë bruto për fuçi i sjellin ekonomisë botërore një humbje prej rreth një gjysmë përqind. Por çmimet në rritje na sjellin para syve se rezervat tona të fundme të energjisë janë shumë me vlerë për të ngrohur me to shtëpi të izoluara keq, që të udhëtosh me makinë deri tek kutia e postës ose që t'i biesh kryq e tërthor Evropës me linjat e fluturimeve të lira.

Po, nga ky shpërthim i çmimeve mund të fitosh edhe një gjë të mirë. Kjo na detyron të mendojmë ndryshe në politikën energjitike. Ajo e detyron industrinë të përdorë metoda më efikase të prodhimit, i detyron konsumatorët të hedhin vështrimin në automjete dhe ngrohje që kursejnë më shumë benzinë, i detyron prodhuesit e energjisë që të investojnë më fort se deri tani në kërkimin dhe shfrytëzimin e energjive të ripërtëritshme.

Pikërisht tek energjitë e ripërtëritshme ka ende mjaft hapësirë veprimi, sepse sot në Gjermani ato nuk përbëjnë as 5% të shpenzimit të energjisë primare- dhe në shumë vende të tjera energji e ripërtëritshme shfrytëzohet edhe më pak. Vetëm me energji nga burime të pafundme si dielli, uji, era, ngrohja e tokës dhe masa biologjike mund të shpëtosh në plan afatgjatë nga energjitë e pakalkulueshme. Sa më e shtrenjtë të bëhet nafta, aq më shumë ia vlen çdo inovacion, që e pakëson varësinë tonë nga nafta. Në këtë vështrim, çmimi i naftës mund të vazhdojë të rritet pa problem - edhe nëse kjo do t'i zemëronte ata që u japin automjeteve.