Refugjatët kosovarë në Maqedoni
20 Qershor 200910 vjet pas përfundimit të luftës në Kosovë, në Maqedoni ende ka shumë të zhvendosur jo shqiptarë. Ministria e Punës dhe Politikës Sociale kumtoi se në Maqedoni janë të regjistruar mbi 1.800 të zhvendosur nga Kosova - romë dhe ashkali. Refugjatët kanë statusin e personave nën përkujdesjen humanitare, i cili tashmë ka skaduar. Por ata ende mbeten në Maqedoni.
Afrim Berisha nga Kastrioti i Kosovës, në Maqedoni jeton si refugjat me familjen e tij tetë anëtarëshe.
“U bën 11 vite që jemi këtu pa asnjë status. Kemi protestuar tre muaj para selisë së UNHCR-s për statusin tonë, sepse Maqedonia vet gjendet në situatë të vështirë, e lëre më të kujdeset për ne“, thotë Berisha.
Dëshira për kthim
Qeveria e Maqedonisë së bashku me UNHCR-n i kanë detyruar ata që të aplikojnë për azil politik, por vetëm 5 % nga aplikuesit e kanë fituar këtë të drejtë. Në vitin 2002 kryefamiljari Berisha ka kërkuar vullnetarisht që të kthehet në Kosovë, por: “ Nuk jam i sigurt të kthehem në vendin tim. Më ka ardhur me vulë dokumenti nga UNHCR-ja që nuk ka kthim. Nga 600 familje, i vetmi unë kam kërkuar kthim në Kosovë. Jam i lumtur të kthehem në vendin tim sepse ai vend sa është i shqiptarëve aq është edhe i yni dhe i të gjithë atyre kombësive që jetojnë atje.”
Ai ka vërejtje të shumta për kushtet në të cilat jetojnë në Maqedoni, por brenga më e madhe është shkollimi i fëmijëve
“Fëmijët nuk janë duke vijuar shkollën. Jamë i vetëdijshëm që fëmijët nuk janë të aftë sepse kanë problem me gjuhën, ata flasin shqip e kjo u pengon romëve nga Maqedonia. Unë jam egjiptian dhe e flas gjuhën shqipe”, deklaron Afrim Berisha.
Masat e autoriteteve maqedonase
Ministria për Punë dhe Politikë Sociale e Maqedonisë u ofron refugjatëve nga Kosova vetëm sigurim shëndetësor. Për vendosjen e tyre në kampe është përgjegjës Kryqi i Kuq ndërsa mjetet financiare mujore sigurohen nga UNHCR-ja , thotë Ardian Muça, udhëheqës i sektorit për mbrojtje sociale .
UNHCR-ja ka paralajmëruar se nga viti 2010 do të tërhiqet nga Maqedonia, që nënkupton se barra e tërësishme për të zhvendosurit kosovar do të bie autoriteteve maqedonase. Ato vlerësojnë se pas vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve duhet të zgjidhet çështja e kthimit të të zhvendosurëve në Kosovë.
“Ministria e punës dhe politikës sociale gjatë muajit të kaluar formoi grupe punuese me Republikën e Kosovës për kthimin e refugjatëve, që do të thotë se grupet punuese janë duke punuar në këtë çështje” thotë Ardian Muça.
Autor: Fatos Musliu
Redaktoi: Bahri Cani