1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Reformat gjithnjë në qendër të vëmendjes

Martina Buttler29 Dhjetor 2005

2006 është viti i fundit i Kofi Ananit si Sekretar i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara

https://p.dw.com/p/ArMp
Kofi Annan kërkon reformimin e OKB-së
Kofi Annan kërkon reformimin e OKB-sëFotografi: AP

Kofi Anan personifikon si asnjë sekretar i përgjithshëm më parë rolin e "Zotit OKB". Të paktën kështu mendon ambasadori gjerman pranë Kombeve të Bashkuara Gunter Plojger i cili shërben prej një kohe të gjatë në selinë e OKB-së në Nju Jork. Ashtu si vetë kjo organizatë edhe Anan për të cilin viti i ardhshëm është i fundit në krye të OKB-së, ka qenë jo rrallë në shënjestër të kritikave. Megjithatë Kofi Anan vazhdon të ketë në qendër të vëmendjes tre objektivat kryesorë për të ardhmen: luftën kundër varfërisë, paqen dhe sigurinë si dhe reformën e Kombeve të Bashkuara.

"Ky ishte një vit i vështirë për globin dhe natyrisht edhe për mua personalisht dhe për Kombet e Bashkuara!" Ky është bilanci që bën Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Kofi Anan, në fund të vitit që po lëmë pas. Cunami apo tërmeti në Pakistan, gjatë muajve të shkuar prej Kombeve të Bashkuara u kërkua përsëri më se njëherë roli i manaxherit të krizave. Edhe hetimet mbi vrasjen e ish kryeministrit libanez Hariri të drejtuara nga hetuesi i Kombeve të Bashkuara gjermani Detlev Melis e përballën organizatën ndërkombëtare me sfida të reja.
60 vjetori i Kombeve të Bashkuara duhet të ishte në të vërtetë dhe viti i reformave. Në samitin e OKB-së në shtator organizata i vuri vetes shumë detyra. Shumë pak prej tyre janë realizuar deri tani thotë Anan: "Kemi ngritur një fond të ri për ndihmën në raste emergjence si dhe komisionin për 'arritjen e paqes'. Unë shpresoj që vendet anëtare të ecin më tej vitin e ardhshëm, të ngrenë një këshill të ri për të drejtat e njeriut dhe të fusin në rrugën e duhur reformat në sektorin e manaxhimit të cilat unë do t'i propozoj në muajin shkurt."
'Reforma në manaxhim' nënkupton para së gjithash reformimin e Këshllit të Sigurimit. Gjatë vitit të shkuar dështoi propozimi që parashikonte ndër të tjera një vend të përhershëm për Gjerminë në këtë instancë. Megjithatë ambasadori gjerman pranë OKB-së Gunter Plojger është optimist përsa i përket vitit 2006: "Gjermania është donatori i tretë më i madh Kombeve të Bashkuara. Ajo është edhe një vënd anëtar që është angazhuar në masë të madhe dhe unë besoj se gëzon një reputacion aq të mirë në gjirin e anëtarëve të tjerë sa askush nuk mund të përfytyrojë një reformë të Këshillit të Sigurimit që do të linte jashtë apo përjashtonte Gjermaninë."
Përveç gjithë reformave dhe krizave që duheshin përballuar gjatë vitit 2005, ky vit ishte për vetë Kofi Ananin jo i lehtë. Hetimet në skandalin e programit 'naftë për ushqime' u drejtuan mbi të dhe djalin e tij Kojo. Kritika publike ka lënë gjurmë: "Unë nuk i trembem kritikës. Atë konstruktive e kam pranuar me dëshirë. Por kritikat e tjera kanë dalë përtej kornizës së pranueshme. Dhe këtë unë nuk e pranoj."
Në fund të këtij viti Kofi Anan preferon të hedhë vështrimin përpara e jo prapa. 2006 sjell tre detyra të mëdha për Kombet e Bashkuara: "Lufta kundër varfërisë dhe sëmundjeve, paqja dhe siguria si dhe reforma e Kombeve të Bashkuara."
2006 është edhe viti i fundit i Kofi Ananit në këtë detyrë dhe qysh tani ka filluar të marrë lëvdata nga të gjitha anët. Ato vijnë edhe nga ambasadori gjerman pranë OKB-së Gunter Pleuger: "Kofi Anan ishte nga pesë sekretarët e përgjithshëm të OKB-së me të cilët kam punuar jo vetëm personi më mbresëlënës por edhe më i suksesshmi. Asnjë sekretar i përgjithshëm përpara tij nuk ka iniciuar aq shumë reforma në sistemin e Kombeve të Bashkuara sa Kofi Anan dhe falë personalitetit të tij OKB-ja barazohet me individin Kofi Anan."
Egziston një ligj i pa shkruar sipas të cilit sekretari i ardhshëm i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara duhet të vijë nga Azia. Por pavarësisht nga do ta ketë origjinën pasuesi i tij në post, ai duhet të sjellë para së gjithash një gjë me vete këshillon Anan: "Duhet të ketë lëkurë të rregjur dhe aftësinë të bëjë shaka me veten dhe botën."