1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

• Raportet e partive të djathta me sindikatat në Gjermani • Provimet e pranimit në universitetet gjermane

PP7 Shtator 2005
https://p.dw.com/p/Artw
Sindikatat gjermane nuk e dinë ende se ç'qëndrim do të mbajnë ndaj tyre në rast fitoreje partitë CDU dhe CSU
Sindikatat gjermane nuk e dinë ende se ç'qëndrim do të mbajnë ndaj tyre në rast fitoreje partitë CDU dhe CSUFotografi: AP

Në qendër të vëmendjes së shtypit gjerman janë raportet e partive të djathta me sindikatat në Gjermani. Disa prej artikujve kërkojnë që sindikatatat t'ua përshtatin kërkesat e tyre kushteve të reja të globalizimit, të tjera mendojnë se fajin e kanë partitë e djathta me kërkesat e tyre për uljen e pagave. Në lidhje me këtë temë së pari citojmë nga gazeta "Express":

"Bashkimi demokristian dhe sindikatat janë për momentin me njëri-tjetrin në një raport si zjarri me ujin. Kaq të ndryshme janë pozicionet e të dy palëve në çështje të tilla si autonomia e tarifave të pagesave apo të ligjeve për mbrojtjen e pushimeve nga puna. Kjo u bë e qartë edhe në takimin e Merkelit me përfaqësuesit e sindikatave. Po a do të thotë kjo se në rast se fitojnë demokristianët do të kemi luftë klasash, me të cilën kërcënojnë për momentin disa prej bosëve të sindikatave? Nuk mund të thuhet se demokristianët dëshirojnë t'u thyejnë sindikatave shtyllën kurrizore. Por është e drejta e tyre që të mendojnë në lidhje me modernizimin e të drejtës tarifore, për të lënë më shumë hapsirë për vende të reja pune. Ajo për të cilën kemi nevojë janë ide të reja që ta bëjnë vendin të aftë për një të ardhme më të mirë, pavarësisht se cili del fitues në këto zgjedhje. Sindikatat do të bënin mirë që të mos i mbyllnin që tani të gjitha dyert."

Gazeta "Neues Deutschland" ka një qëndrim të ndryshëm. Nga kjo gazetë citojmë:

"Ajo që kërkon në të vërtetë bashkimi demokristian është një zhvendosje fundamentale e pushtetit në çdo ndërmarrje nëpërmjet shuarjes së përfaqësisë së punonjësve. Pasojë e këtij ndryshimi në sistem do të ishte në mënyrë të pashmangëshme një garë për rroga sa më të ulta. Në fund të vitit 2004 partitë e djathta thonin se një ulje e rrogave nga 10-15% do të çonte në uljen e papunësisë në Gjermani, por aktualisht konservatorët nuk guxojnë ta thonë hapur një gjë të tillë."

Ndërsa në artikullin e "Frankfurter Allgemeine Zeitung" kërkohet prej sindikalistëve që të tregohen më të arsyeshëm ndaj ndryshimeve të kohës:

"Sindikatat gjermane nuk e dinë ende se si do të duhet të sillen me një kancelare si Angela Merkel. Përfaqësuesit pragmatikë të punëtorëve kërkojnë të hyjnë edhe me të në bisedime, duke shpresuar tek rregullat e deritanishme të partneritetit social mes punëdhënësve dhe punëmarrësve për t'ua dalë mbanë bashkarisht sfidave në kuadër globalizimit. Njëkohësisht fundamentalistët në radhët e sindikatave kritikojnë ashpër ftohtësinë sociale të zonjës Merkel dhe po e kërcënojnë që sot një qeveri të mundëshme mes demokristianëve dhe liberalëve me luftë sindikaliste dhe trazira sociale nëpër ndërmarrje. Gjithsesi në rast se sindikatat dëshirojnë që paravarësisht prej cilës qeveri të marrin pjesë në formësimin e mënyrës së punës në të ardhmen, atëhere ato duhet të ndryshojnë."

Kalojmë në një temë tjetër, çështjen e organizimit të konkurseve të pranimit në universitetet gjermane. Në lidhje me këtë temë në gazetën "Süddeutsche Zeitung" lexojmë:

"Provimet e pranimit në universitete apo intervistat përzgjedhëse premtojnë kohëzgjatje më të shkurtër të periudhës së studimeve dhe rezultate më të mira. Kush i kapërcen këto pengesa besohet se e merr seriozisht studimin në universitet. Por edhe ky duhet të merret seriozisht, pra duhet të trajtohet më mirë dhe më me përkushtim si student, aq më tepër në rast se prej tij kërkohet pagesë për çdo semestër. Dhe në rast se konkurrentët më të mirë do të shkonin në universitetet më të mira, kjo do të përshpejtonte edhe konkurrencën mes universiteteve. Por universitetet nuk janë ende në gjendje që ta shfrytëzojnë këtë mundësi të re. Shumicës së tyre u mungojnë paratë dhe personeli për organizimin e provimeve përzgjedhëse. Dhe për shkak se shumica e atyre që punojnë nëpër universitete kanë frikë prej punës së tepërt, vetëm një ndër tre universitete po e praktikon procedurën e provimeve të pranimit në universitet."