1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Protestat në Tiranë shoqërohen me humbje jetësh

21 Janar 2011

Po rrezikohet rruga drejt Evropës? Të premten në Tiranë demonstrata antiqeveritare e mbështetur nga koalicioni opozitar ka kaluar në përplasje të dhunshme mes demonstruesve dhe forcave të rendit.

https://p.dw.com/p/100Yi
Protesta në TiranëFotografi: DW/Muka

Demonstrata e së premtes që u mbyll në orët e vona të pasdites në Tiranë, degjeneroi rreth orës dy të pasdites për një kohë të caktuar në dhunë dhe përplasje mes protestuesve dhe policisë. Bilanci zyrtar i viktimave ishte 3 të vrarë nga radhët e demonstruesve. Një person nga Gjirokastra, njëri nga Dibra dhe një i paidentifikuar ende. Ka edhe rreth 25 të plagosur ose të lënduar nga radhët e demonstruesve. Nga radhët e policisë ka 17 të plagosur.

Në orët e mbrëmjes demonstruesit janë larguar, vetëm disa persona të veçuar përpara kryeministrisë kanë qëlluar vazhdimisht me gurë.

Bamir Topi
Bamir TopiFotografi: Deutsch-Albanische Wirtschaftsgesellschaft e. V.

Shqipëria ka nevojë të shërojë plagët dhe jo të hapë plagë të reja

Në një reagim të presidentit të Republikës, Bamir Topi është bërë thirrje për qetësi, maturi, garantimin dhe rikthimin e rendit publik si edhe sigurinë e qytetarëve dhe ruajten e stabilitetit. Shqipëria ka nevojë të shërojë plagët dhe jo të hapë plagë të reja, ka thënë presidenti Topi.

Edhe Partia Socialiste ka bërë thirrje për qetësi. Në një reagim të kryetarit të opozitës, Edi Rama thuhet se qytetarët demonstrues janë provokuar pa u sistemuar ende në bulevard. Rama është distancuar nga dhuna dhe ka thënë se kalimi i kufijve të institucioneve nuk ka të bëjë me vizionin e opozitës për vendin.

Përplasja e së premtes

Pak minuta pas nisjes së demonstratës në orën 14:00 të premten përpara kryeministrisë nisi përplasja mes grupit të demonstruesve dhe kordoneve të shumta të policisë. Përplasja degjeneroi më pas në përdorim të mjeteve të forta, jo vetëm nga ana e policisë që përdori gaz lotsjellës dhe makinat e ujit, por edhe nga ana e demonstruesve që përdorën sende të forta, çadra, shkopinj apo edhe gurë. Ndërkohë që edhe disa makinave iu vu zjarri. Në disa raste policia qëlloi në ajër.

Sipas njoftimeve të korrespondentit të Deutsche Welles në Tiranë, Arben Muka, ka pasur të plagosur edhe në radhët e policisë. Disa policë janë dërguar në spital për ndihmën e parë mjekësore. Për momentin situata duket më e qetë.

Tirana Albanien Protest
Situata degjeneroi në dhunë të premtenFotografi: DW/Muka

Reagime ndërkombëtare mbi zhvillimet në Shqipëri

Të premten përfaqësia e Bashkimit Evropian dhe ajo e OSBE-së, si edhe ambasada amerikane në Tiranë kanë shprehur keqardhjen për dhunën gjatë demonstratës. Shprehim keqardhje të thellë që demonstrata e sotme në Tiranë nuk ishte paqësore dhe çoi në disa viktima, thuhet në deklaratë. Dhuna dhe përdorimi i tepërt i forcës nuk mund të justifikohen dhe duhen shmangur, thuhet në reagimin e OSBE-së dhe të BE-së.

Bëjmë thirrje urgjente për qetësi dhe përmbajtje nga të gjitha palët dhe qëndrimin e tyre larg provokimeve, bëjnë thirrje ndërkombëtarët. Shqipëria është një vend demokratik, aspiron për anëtarësim dhe i ka institucionet e nevojshme demokratike. Për rrjedhojë, ripërsërisim thirrjen tonë për dialog konstruktiv dhe kompromis për të zgjidhur mosmarrëveshjet politike ekzistuese.

Tirana Albanien Protest
Pamje nga protestatFotografi: DW/Muka

Më parë të premten shefi i delegacionit të Komisionit Europian në Tiranë, ambasadori Ettore Sequi, duke folur për zhvillimet në Shqipëri kërkoi reflektim kolektiv. “Klasa politike duhet t`i marrë seriozisht 12 rekomandimet e Bashkimit Europian. Reforma zgjedhore dhe dialogu politik mbeten sfidat e Shqipërisë për një qasje për në Bashkimin Europian”, ka thënë Sequi.

Autor: dpa/ reuters/Muka

Redaktoi: Lindita Arapi