Protestat në Francë & Lufta në Irak | Studimi në Gjermani | DW | 20.03.2006
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Studimi në Gjermani

Protestat në Francë & Lufta në Irak

Nga shtypi i sotëm disa komente lidhur me protetstat në Francë si dhe situatën në Irak tre vjet pas luftës.

default

Gazeta "Die Welt" lidhur me protestat në Francë kundër ndryshimit të ligjit për kontratat e reja të punës komenton:

"Thirrja e hershme për më shumë shtet dhe më shumë ligje s´do të shuhet. Marrshimet e protestave janë një antipod reaksionar ndaj trashëgimisë së iluminizmit dhe traditave tek të cilat bazohet mirëqenia në këtë kontinent. Suksesin e solli vetë çlirimi i ekonomisë borgjeze nga shteti i kontrolluar prej aristokratëve. Me liri asokohe kuptohej shansi që përmes talentit dhe zellit për punë të ngjiteshe lart me forcat e tua. Ndërsa sot po punohet për krijimin e një shoqërie të re të kastave të nëpunësve dhe shërbyesve të shtetit, që sigurohen prej konkurrencës në kurriz të të papunëve dhe me ligje jashtë realitetit që ndalojnë pushimet nga puna", nënvizon "Die Welt".

Në gazetën e Mynihut "Abendzeitung" lexojmë:

"Ndryshe nga Britania e Madhe, Franca e ka të vështirë me reformat, madje po aq të vështirë sa edhe Gjermania. Për vite të tëra s´ka lëvizuar asgjë, ndaj tani kryeministri Dominik de Vilëpen përpiqet që ta sitilizojë si nënën e reformave, projektin e tij për vendosjen e dy vjet kohë prove për të punësuarit e rinj. E këtë ai synon ta bëjë me një procedurë të shpejtë dhe duke përdorur shkopinjtë e gomës. Por me këtë ai ka arritur vetëm një gjë: që kundërshtarët e reformës, të rinj e të moshuar, vendas dhe emigrantë, madje edhe vet shefat e përçarë të sindikatave kanë bashkuar forcat si asnjëherë tjetër. Ndonëse jo çdo cikërrime i duhet kushtuar vëmendje, populli duhet të merret disi në konsideratë kur është fjala për reforma", shkruan "Abendzeitung".

Ndërsa për komentatorin e "Braunschweiger Zeitung":

"Protesta më shumë është një larje hesapesh me sistemin politik dhe me përfaqësuesit kryesorë të tij Vilëpen dhe presidentin Shirak. Aleanca e kundërshtarëve në thelb e përçarë u bashkua brenda natës. Këtu s´luan asnjë rol fakti, që as ajo vet nuk ka koncepte për të ardhmen. Programi i saj quhet rezistencë. Por kjo është shumë pak në një shoqëri moderne me problemet që ka ajo", komenton "Braunschweiger Zeitung".

Lidhur me tre vjetorin e luftës në Irak gazeta "Westfälischer Anzeiger" shkruan:

"Në këtë përvjetor mbetet vetëm një konstatim i kthjellët: tërheqja e plotë e amerikanëve qysh tani do ta linte Irakun në një kaos edhe më të madh. E në një situatë të tillë as armiku kryesor i ShBA Irani nuk është më tabu si partner bisedimesh. S´kemi pra asnjë bilanc që do t´i përshtatej qoftë edhe pak mandatit që ia dhanë vetvetes ShBA. A ajo që është më e keqja s´ka asnjë arësye për të qenë krenarë", vëren "Westfälische Anzeiger".

"Thüringische Landeszeitung" lexojmë:

"A nuk donte Bushi që ta bënte Irakun një vend model të demokracisë dhe lirisë? A nuk donte ai që ky të krijonte një efekt domino për vendet e tjera të rajonit? Asnjëra prej këtyre s´ka ndodhur. Iraku është bërë tani një terren i përshtatshëm për terroristët, që përbëjnë kërcënim për të gjithë Lindjen e Mesme. Ndërsa integriteti moral i Amerikës është rënuar thellë prej fotografive të pështira të torturave nga burgu i Abu Graibit. Bushi ka dështuar vajtueshëm me strategjinë e tij për Irakun. Presidenti po kërkon i dëshpëruar një rrugëdalje, që ai nuk e ka. Tërheqja e trupave të ShBA do të thotë të heqësh dorë prej Irakut. Dështimi i ShBA në Irak është një mësim i mirë për konfliktet e ardhëshme, si Irani", shkruan "Thüringische Landeszeitung".

  • Data 20.03.2006
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Arqp
  • Data 20.03.2006
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Arqp