1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Protesta kundër shkurtimeve në sektorin social

Wolter von Thiesenhausen5 Prill 2004

Sa i fortë është pozicioni i kancelarit?

https://p.dw.com/p/Ar70
Protesta të organizuara nga sindikatat në Gjermani
Protesta të organizuara nga sindikatat në GjermaniFotografi: AP

Në kërkesat e tyre demonstruesit gjermanë ishin të bashkuar këtë fundjavë: ata kritikuan reduktimet e ndërmarra nga qeveria gjermane në sektorin social,kërkuan pensione më të larta dhe akses të sigurtë në sistemin shëndetësor. Të gjitha këto tingëllojnë të kuptueshme por problemi është se arkat e shtetit janë bosh dhe shteti social që përkujdeset për gjithçka nuk është më i financueshëm. Për këtë arsye qeverisë i duhet të riorganizojë sistemet sociale edhe pse dikujt mund t'i dhëmbë. Këtë kurs të filluar duhet të vazhdojë kancelari gjerman.

Demonstrimet e organizuara nga sindikatat dhe kundërshtarët e globalizimit fundjavën e kaluar lanë përshtypje të forta. Mijëra njerëz, organizatorët folën madje për gjysmë milioni pjesëmarrës, manifestuan kritikën e tyre ndaj politikës së reformave të qeverisë gjermane dhe kërkuan që ajo të ndryshonte kurs. Ata shprehën qartë se çfarë nuk duan por lanë të hapur se çfarë duhet të ndodhë në vend të reformave. Ata nuk duan shkurtimet e pensioneve, shtimin e kostove për shëndetin dhe refuzojnë qoftë futjen e pagesave për studimet qoftë heqjen e subvencioneve për ata që ndërtojnë shtëpi private apo ata që e kanë larg vendin e punës. Të gjitha këto tingëllojnë të qarta por problemet me kaq nuk zgjidhen.

Gjermania vuan nga mbingarkesa e sistemeve të sigurimit social. Mqs numri i lindjeve është në rënie dhe mosha mesatare e popullsisë në rritje, po rritet gjithnjë e më shumë nevoja për shpenzime sociale e shëndetësore gjë që i bën reformat të domosdoshme. Në thelb ka vetëm dy pika në të cilat mund të bëhet diçka: duhet të ulen shpenzimet dhe të shtohen të ardhurat. Barazpesha sociale mund të ruhet deri në një farë mase vetëm nëse grupi i popullsisë në rritje i përbërë nga pensionistë, të sëmurë, të papunë dhe persona që kanë nevojë për përkujdesje përfiton më pak nga sistemi dhe në të njëjtën kohë punëmarrësit njëkohësisht kontribues në sistemet e sigurimit numri i të cilëve është në rënie derdhin më shumë kontribute.

Reformat e përmbledhura nga kancelari gjerman Gerhard Shrëder në programin "Axhenda 2010" shkojnë pikërisht në këtë drejtim. Ato mbështeten në përgjithësi edhe nga opozita qytetare e cila madje në disa pika është edhe më radikale dhe kërkon reforma më drastike. Për këtë arsye protesta e sindikatave përmban në vetvete një element dëshpërimi. Ajo nuk gjen jehonë në politikë me përjashtim të disa grupeve të izoluara në gjirin e socialdemokratëve. Kancelari gjerman dhe koalicioni i tij kuq e gjelbër janë shumë të bindur të ndjekin rrugën e filluar dhe opozita e përbërë nga kristiandemokratët dhe liberalët i mbështet.

Megjithatë mbetet pyetja se përsa kohë do të jetë në gjendje kancelari Shrëder të përballojë këtë kurs të vendosur. Ata që dolën në rrugë në fundjavë ishin kryesisht zgjedhës të partisë së tij. Pakënaqësia e tyre është shkaku për nivelin e ulët të përkrahjes së zgjedhësve për socialdemokratët, përkrahje e cila sipas sondazheve të fundit nuk është më shumë se 30%. Kjo rrit presionin mbi përfaqësuesit e socialdemokratëve në të gjitha planet shtetërore. Për të siguruar rizgjedhjen në poste ata madje mund t'i dorëzohen tundimit për të rritur presionin mbi qeverinë. Soliditeti i pozicionit të kancelarit ende nuk është vënë në provë por nuk do të vonojë.