1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Procesi i demokratizimit mbetet i vështirë në rajonin e Kaukazit

Barbara Minderjahn14 Maj 2006

Pas të ashtuquajturit "revolucioni i trëndafilave" në fund të vitit 2003 në Gjeorgji, presidenti i vendit Mihail Sakashvili nuk vuri asnjë reformë demokratike në zbatim. Madje për shumë njerëz, mënyra e qeverisjes së Sakashvilit është diktatoriale. Sipas organizatave ndërkombëtare, sektori juridik është në duart e qeverisë. Këtë e dëshmon edhe një çështje penale, e cila ka shkaktuar reagime të zjarrta në Berlin.

https://p.dw.com/p/Aqq0

Çfarë ka ndodhur me të drejtat e njeriut, me demokracinë dhe me drejtësinë e premtuar nga revolucionarët e trëndafiltë gjeorgjianë? Tri gjykatës gjeorgjianë do të paraqesin të hënën përpara Unionit Gjerman të Gjykatësve në Berlin, rastin e tyre. Bëhet fjalë për Tamara Laliashvili, Merab Turava dhe Nino Gvenedadse. Deri përpara pak kohësh, ata ishin të tre gjykatës pranë Prokurorisë së Lartë të Tiblisit. Por përpara pak muajsh, këta tri gjykatës u pushuan nga puna. Tamara Laliashvili, një nga gjykatësit, tregon:

"Na akuzojnë se kemi përdredhur ligjin. Gjatë një procesi gjyqësor civil, vendosëm në favor të një gruaje, e cila nuk ishte e martuar me ligj. Ne menduam se përsa kohë që ekziston një familje, gruaja mund të flasë dhe të kërkojë të drejtat e saj përpara trupit gjykues, edhe pa qënë e martuar zyrtarisht. Por këshilli jurudik, na akuzoi se kemi shkelur ligjin, gjë që nuk është e vërtetë. Kjo është një ndërhyrje direkte e këshillit juridik në punën e gjykatësve."

Gjykatësit e prekur dhe persona të tjerë mendojnë se pas kësaj çështjeje fshihen arsye politike. Tamara Laliashvili:

"Ne ishim gjykatës të pavarur dhe ta pakorruptuar. Ne kemi zbatuar gjithmonë ligjin dhe nuk kemi marrë asnjë vendim pa fakte të mjaftueshme. Mesa duket kjo nuk i pëlqen prokurorisë së përgjithshme dhe disa politikanëve dhe deputetëve. Prandaj duan të na heqin qafe."

Ky rast konsiderohet edhe nga vëzhgues ndërkombëtarë si një sulm i qeverisë gjeorgjiane kundër pavarësisë së sektorit juridik. Anna Dolidse, kryetarja e unionit "Gjykatësit e Rinj", i cili është gjithashtu një institut i rëndësishëm për të drejtat e njeriut në Gjeorgji, shpjegon:

"Sektori juridik po sulmohet nga shumë anë gjatë muajve të fundit. Fatkeqësisht zbatimi i të drejtës dhe ligjit, nuk është një ndër prioritetet më të rëndësishme të qeverisë sonë."

Qeveria e re gjerogjiane është e njohur për mënyrën e saj brutale ndaj kriminelëve dhe atyre që ajo i konsideron të tillë. Por sidoqoftë shumica e kritikuesve nuk e akuzojnë qeverinë se e bllokon me qëllim sektorin juridik, ndonëse gjatë javëve të kaluara, mijëra njerëz kanë protestuar në mënyrë paqësore në rrugët e Tiblisit. David Darchiashvili thotë:

"Por kjo nuk do të thotë se qeveria nuk i merr seriozisht kërkesat dhe nevojat e popullit. Në Gjeorgji ekziston frika se shteti i ri ka ende shumë kundërshtarë dhe armiq si brenda ashtu edhe jashtë vendit. Kjo është edhe arsyeja përse gjithçka duhet të bëhet sa më shpejt. Në rast se e ngadalësojmë hapin, mund të humbim shumë shanse që afron koha."

Por shumica e njerëzve nuk kanë asnjë alternativë politike ndaj qeverisë aktuale. Revolucionarët e trëndafiltë u premtuan votuesve demokraci dhe një shtet më të mirë. Populli gjeorgjian nuk e ka humbur ende shpresën se Mihail Sakashvili dhe kabineti i tij do t´i plotësojnë premtimet.