1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pritet vendimi në procesin e tretë kundër ndihmësit të terroristëve, Motasadek

Joahim Vertka5 Janar 2007

Në procesin e tretë kundër ndihmësit të terroristëve Munir el Motasadek të hënën (08.01) do të merret vendimi. Marokeni, i cili së fundi u dënua me shtatë vjet heqje lirie, duhet të llogarisë me burgim deri në 15 vjet. Për herë të parë qysh prej disa vjetësh, Mutasadek foli në gjyq duke u përbetuar, se nuk ka ditur asgjë paraprakisht mbi sulmet e 11 shtatorit 2001.

https://p.dw.com/p/Aqy7
Mounir el Motasadek
Mounir el MotasadekFotografi: picture alliance/dpa

Pesë ditë ishin planifikuar për procesin, por qysh në seancën e parë kryegjyqtari për habi të të gjithë vëzhguesve deklaroi, se ndoshta të hënën (08.01) do të shpallë vendimin kundër Mounir el Motasadek. Ndonëse udhëzimi i gjytarit federal ishte i qartë, seanca e parë kishte në fokus dy kërkesat e avokatëve mbrojtës.

Avokati Ladislav Anisic kritikoi përbërjen e senatit të gjyqtarëve të krijuar enkas duke e quajtur këtë si një gjyq special: "Në këtë mënyrë është krijuar një gjyq, që është përgjegjës vetëm dhe ekskluzivisht për zotin Mutasadek dhe për askënd tjetër. Kjo është shkelje e nenit 101 të ligjit themelor, ky është në fakt një gjyq i jashtëzakonshëm gjë që është e ndaluar në kushtetutën tonë."

Avokati i dytë, Udo Jakob, kërkoi veç kësaj shtyrjen e procesit deri në vendimin lidhur me ankesën e paraqitur nga mbrojtja në gjykatën kushtetutese. Ankesa ka të bëjë me mangësi të rënda në shqiptimin e fajit nga ana e gjykatës federale. Gjykimi kundër Motasadekut për ndihmesë në vrasjen e 246 pasagjerëve të avionit
është bazuar në dëshmi të pavlerësuara ose të keqinterpretuara. Avokati Jakob, ndonëse e di që të për tilla ankesa nuk ka hapësirë ligjore, thekson: "Gjyqtarët e Gjykatës së Lartë të Hamburgut nuk janë marrës të urdhërave, ata janë të detyruar që të vendosin sipas ndërgjegjes së tyre. Për këtë arësye unë nuk kam parashtruar ndonjë kërkesë të pazakontë.Por ne kemi të bëjmë këtu me një proces absolutisht të pazakontë."

Avokati Udo Jakob e ka quajtur shprehimisht gjykimin si "arbitraritet të gjyqtarëve". Prokurorët e kanë hedhur poshtë këtë kritikë duke e quajtur përzgjedhjen e fjalëve nga ana e mbrojtjes si "të paturpshme". Përveç kësaj pas gjykimit të gjyqtarëve federalë nuk është më e mundur që të rishqyrtohen provat për fajin e Mutasadekut, këtë rezervë shpreh prokurori Valter Hemberger: "Mbrojtja nuk mund të dëgjohet më me lëndën që ka paraqitur në seancën e së premtes (05.01). Tani kemi të bëjmë vetëm me masën e dënimit ndaj të akuzuarit."

Të hënën e ardhëshme (08.01) prokurorët duan të japin pretencën e tyre lidhur me dënimin, deklaroi Hemberger: "Masa e dënimit për ndihmë në vrasje parashikon minimumi tre vjet dhe maksimumi 15 vjet heqje lirie. Konkretisht sipas mendimit tonë do të vendoset nëse duhet përdorur dënimi maksimal ose jo?"

Sidoqoftë pritet që prokurorët të jenë të rreptë dhe të kërkojnë dënimin maksimal prej 15 vjetësh.

Në fund të seancës pati edhe një tjetër suprizë. I Akuzuari u shpreh duke iu kundërvënë gjykimit të gjqytarëve. Me zë të emocionuar dhe të lartë Motasadek bërtiti në sallë: "Unë mund të betohem para Zotit që kjo nuk është e vërtetë."