1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Prishtinë: 1 maji në Kosovë me një bilanc deficitar në të drejtat e punëtorëve

1 Maj 2009

Festa e 1 majit Kosovën e gjen në një gjendje ku në masë të madhe nuk respektohen të drejtat e punëtorëve. Më të prekurit janë punonjësit e sektorit privat, por shkelje shënohen edhe në sektorin shtetëror.

https://p.dw.com/p/HiDY
Prishtinë, pamje e muzeut kombëtar
PrishtinëFotografi: DW/ Pandeli Pani

Gati gjysma e popullsisë e aftë për punë është e papunë

Në Kosovë, dita e 1 majit është cilësuar në të shumtën e rasteve vetëm si një ditë feste. Nuk protestohej si në shumë vende të botës, edhe pse të drejtat e punëtorëve janë në nivel të ulët, ndërsa papunësia shënon rritje të vazhdueshme. Në Kosovë gati gjysma e popullsisë e aftë për punë është e papunë. Mirëpo edhe atyre që janë të marrëdhënie pune, si në sektorin shtetëror, ashtue edhe në atë privat, sipas sindikalistëve kosovarë u shkelen të drejtat e punës. Të punësuarit në sektorin shtetëror kanë kryesisht kontrata pune një vjeçare, në të shumtën e rasteve atyre nuk u paguhen shpenzimet e udhëtimit dhe nuk u paguhet puna jashtë orarit, madje as edhe për ndërrimin e natës. Kjo, sipas sindikalistëve në Kosovë paraqet shkelje të të drejtave të njeriut. Xhafer Xhaferi, është anëtar i kryesisë se sindikalistëve kosovarë.

“...Nëpërkëmben të drejtat e punëtorëve, nuk ka legjislacion të nevojshëm, por edhe aty ku ka legjislacion që u garanton të drejtat e punëtorëve, ai nuk implementohet”, thotë Xhafer Xhaferi.

Fabrika Llamkos në Vushtri ka ndërprerë prodhimin dhe nuk paguan punëtorët

Në Kosovë, menjëherë pas përfundimit të luftës, shumë ndërmarrje shoqërore u përfshinë në procesin e privatizimit, sepse llogaritej që zhvillimi i një ndërmarrjeje, veç krijimit të vendeve të reja të punës do të përmirësonte edhe kushtet për punë. Kështu ishte menduar edhe për ndërmarrjen 'Llamkos', një fabrikë për prodhimin e llamarinës në qytetin e Vushtrisë. Në vitin 2004, kjo fabrikë u ble nga një firmë nga Bullgaria. Tri vjet ajo punoi me kapacitete të plota, por tani kjo fabrikë e ndërpreu prodhimin. Sipas menaxherëve të Fabrikës, kriza financiare botërore ka prekur tregun e fabrikës dhe për pasojë 'Llamkos' është para falimentimit. Punonjësit e saj ka nëntë muaj që nuk marrin paga, edhe pse ligji i punës u garanton punonjësve nën kontratë pune të ardhura. Në mikrofonin tonë ata shprehin pakënaqësinë për gjendjen:

“Fabrika është fasaduar disa herë nga menaxhmenti pa nevojë, janë shpenzuar mbi dy milion euro, ndërsa ne nuk marrim paga. Dikush qëllimisht dëshiron ta çojë në falimentim fabrikën”, thotë Sinani.

“Ka nëntë muaj që nuk marrin paga, kjo është e pakuptueshme”, thotë Besimi.

“Ne po protestojmë sepse fabrika është privatizuar para katër vjetësh, ka punuar mirë deri tash, ndërsa tash po thuhet se firma bullgare që e ka blerë Fabrikën ka falimentuar, mund të jetë kjo, por pavarësisht kësaj ne kërkojmë pagat tona”, thotë Ramiu, një punëtor tjetër.

Pronarët e rinj të ndërmarrjeve nuk i kanë respektuar marrëveshjet dhe ndërmarrjet kanë ndërruar destinimin

Ka edhe shumë raste të tjera kudo në Kosovë, ku procesi i privatizimit të ndërmarrjeve i ka dëmtuar punonjësit. Pronarët e rinj të ndërmarrjeve nuk i kanë respektuar marrëveshjet dhe shumë ndërmarrje kanë ndërruar destinimin. Ka raste kur objektet e fabrikave janë shndërruar në objekte hoteliere dhe për pasojë të gjithë punonjësit e vjetër janë larguar nga puna. Mirëpo, nuk është vetëm sektori privat ai ku shkelen të drejtat e punoëtorëve. Është edhe administrata shtetërore. Bashkimi i Sindikatave të punëtorëve ka kohë që ka nënshkruar me qeverinë një “kontratë kolektive”, e cila thuhet se garanton të drejtat e punëtorëve dhe rrit sigurinë e tyre në punë. Mirëpo, implementimi i kësaj kontrate, kërkon miliona euro dhe pikërisht ky duket se është shkaku kryesor që pjesë të kontratës kolektive vazhdojnë të mbeten vetëm e shkruara në letër dhe të mos implementohen.

FMN kërkon moszbatimin e kontratës kolektive dhe zvogëlimin e administratës

Punëtorët nëpërmjet kontratës kolektive kërkojnë të drejtat e tyre, mirëpo edhe qeveria e vendit në këtë rast është vënë në presion nga mekanizmat financiarë ndërkombëtarë, të cilat mbikqyrin buxhetin e Kosovës. Vërejtje për nënshkrimin e kontratës kolektive janë shënuar për shembull nga Fondi Monetar Ndërkombëtar. Ky mekanizëm vazhdimisht i kujton qeverisë së Kosovës se zbatimi i kontratës kolektive do ta çonte në kolaps buxhetin e varfër të Kosovës. Madje ky mekanizëm i rekomandon qeverisë së Kosovës që ta zvogëlojë numrin e të punësuarve në administratë, sepse 70 mijë punëtorët e administratës në Kosovë janë një ngarkesë e papërballueshme për buxhetin e Kosovës. Ky buxhet llogaritet të jetë jo më i madh se një miliardë euro.


Autor: Bekim Shehu/ Prishtinë

Redaktoi: Auron Dodi