1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

050209 Portrait Leben Darwin

Judith Hartl11 Shkurt 2009

Përpara 200 vjetësh lindi biologu britanik Çarls Darvin. Babai i teorisë së evolucionit, i cili pak a shumë rastësisht zbuloi, se si janë zhvilluar qëniet e gjalla, gjatë rrjedhës së historisë së Tokës.

https://p.dw.com/p/GrVv
Çarls DarvinFotografi: picture-alliance / dpa

Zbulimet e tij ishin një revolucion. Ai u bë njëri nga studiuesit më të rëndësishëm të të gjitha kohërave, gjë që asokohe Darvini një djalë i ri, 22 vjeçar rreth vitit 1830, as që e merrte me mend.

Teolog dhe biolog pa ambicie të mëdha

Darvini - djalë i një familjeje të pasur, studion teologji dhe biologji - ndonëse babai do të kish preferuar më shumë mjekësinë - dhe e kalon kohën duke rrëmuar gjatë ditës. Pasioni i tij janë gjuetia, kalorësia dhe natyre. Ai nuk është ambicioz, por plot entuziazëm kur i ofrohet një mundësi e mrekullueshme për të udhëtuar nëpër botë me anijen e hulumtimit „Beagle“.

Në vitin 1831 Darvin nis një udhëtim pesëvjeçar. Ky udhëtim do të ndryshojë tërësisht jetën dhe këndvështrimin e tij ndaj botës. Mbi udhëtimin Çarls Darvin shkruan: „Kur u ngjita në bordin e „Beagle“ u befasova jashtë mase nga një farë mënyre e çuditshme si ishin përhapur kafshët dhe bimët e Amerikës së Jugut. Këto fakte mu duk sikur më ndriçuan disi mbi origjinën e llojeve."

Darwins Expedition mit der Beagle
Ekspedita me bordin e "Beagle", punim me dru nga Robert Taylor Pritchett (1828-1907).Fotografi: picture-alliance / akg-images

Shkencëtari mbledh gjithçka gjen. Gurë, bimë të thara, skelete të fosilizuara kafshësh, insekte, buburrecë pafund dhe shumë lloje zogjsh, që ai i gjen vetëm në ishujt e Galapagove.

Historiani i shkencës dhe biologu, profesor Ernst Peter Fischer tregon: „Atij me sa duket në Galapago i ka pëlqyer aq shumë që të luajë me breshkat dhe me hardhucat, sa që duke mbledhur zogjtë Finke, që sot mbajnë emrin e tij, ka harruar të shënojë vendin e gjetjes. Ai vetëm i ka futur ato në një thes dhe i ka marrë me vete në Angli për t´ia treguar ndonjë njohësi të shpendëve. ...“ Duket se studiuesi ka qenë krejtësisht i shtangur, sepse ai as nuk e dinte se çfarë lloji ishin ato që kish mbledhur dhe as se ku i kish marrë ato me saktësi. Fischer: „Pra ai ka qenë disi i çoroditur duke i lënë disa gjëra pasdore, por kjo i falet. Ai është i ri dhe nuk e di, që po bën një zbulim universal për të gjithë botën.“

Një zbulim revolucionar falë zogjve të vegjël Finke

Secili prej tyre duket ndryshe. Disa kanë sqep të trashë dhe të shkurtër. Me këtë ato thyejnë arrat dhe farat. Të tjerë kanë sqep shumë të hollë. Me të ato depërtojnë thellë tek gonxhet si dhe nëpër të çara të imëta. Darvini vëzhgon, mendon dhe prej asaj që kupton ka frikë. Ai arrin në konkluzionin, se Finket e Galapagosve duhet të kenë pasur parardhës të përbashkët, prej nga në rrjedhën e disa mijëra viteve janë zhvilluar llojet e ndryshme. Një herezi kjo. Sepse mësimi i vetëm biblik i kishës për krijuesin asokohe thoshte: që Zoti ka krijuar brenda gjashtë ditësh qëniet e gjalla - njeriun, kafshët dhe bimët, në formën që kanë sot.

Studenti i teologjisë Darvini nuk ndihet mirë. Ai i shkruan një shoku: „Ndërkohë jam thuajse i bindur, që llojet nuk janë të pandryshueshme. Më duket sikur po bëj një vrasje. “

darwin3-Kopie.jpg
Pamje nga ekspozita për Darvinin në Muzeun e Historisë së Natyrës në Londër, hapur në 11.11. 2008Fotografi: picture alliance/dpa

Për Profesorin Fischer kjo ishte si një vrasje ndaj historisë së kulturës, në një farë mënyre ai vriste mendimin e vjetër. "Madje e bënte këtë në mënyrë radikale dhe të plotë. Për këtë ai u bë atje i vetëdijshëm. Tani duhej krijuar një mendim i ri, për të kuptuar, se si janë zhvilluar ato që njeriu i quan realitet, natyrë, apo botë.“

Pasi kthehet në Londër Darvini shkruan veprën, që e bën atë të njohur dhe njëkohësisht një ndër dijetarët më të diskutueshëm të kohës së re. – „Krijimi i llojeve përmes seleksionimit natyror“. Për vite me radhë kjo vepër zhduket fillimisht në sirtar. Darvini ka skrupul dhe hahet me veten. Ja si shkruan studiuesi: „Ata do të më mallkojnë. Ati ynë në qiell, sa të egjër do të jenë - do të kënaqen duke më goditur të gjallë në kryq.“

Teksa libri u publikua më në fund në vitin 1859, shiten qysh në ditën e parë të 1.250 ekzemplarët. Reagimet janë: entuziazëm kryesisht tek shkencëtarët e rinj, tmerr dhe indinjatë në radhët e shkencëtarëve të etabluar dhe nga kisha. Darvinin e shajnë si heretik dhe ateist. Ndonëse Darvini duke e parandjerë, lë tërësisht mënjanë evolucionin e njeriut duke e nënkuptuar atë në mënyrë të turbullt.

Hamendësimet e shkencëtarit

Në këtë drejtim Darvini shtron shumë hamendësime të drejta si p.sh.: që djepi i njerëzimit është në Afrikë. Por ai asnjëherë nuk i mbrojti hapur tezat e tij. Megjithatë libri i tij mbi krijimin e llojeve brenda një kohe fare të shkurtër u bë një bestseller. Edhe sot Çarls Darvini konsiderohet si një ndër biologët më të rëndësishëm, thotë historiani i shkencës Ernst Peter Fischer: „Ai vazhdon të jetë i madh. Edhe sot e kësaj dite është një sfidë që të mendosh për shumëllojshmërinë e botës. Unë besoj, se është një detyrë, që edhe në të ardhmen nuk mund të përfundojë. Në çdo bisht xhirafe, në çdo pendë zogu dhe në çdo hundë gjeni, mund të përpiqesh të analizosh mendimet e Darvinit."

Çarls Darvini vdiq më 19. April 1882 në moshën 73 vjeçare. Ai është varrosur në kishën e nderit në Londër, në abacinë Westminster.