Politika e presidentit amerikan Bush e ka dëmtuar shumë reputacionin e SHBA-ve
14 Shtator 2004Ndër sondazhet që po zhvillohen në SHBA John Kerry renditet për momentin pas presidentit aktual amerikan, po sikur më 2 nëntor të kishin të drejtë të votonin të gjithë banorët e botës, atëhere ai s'kishte fare pse ta vriste mendjen për fitoren. Sipas të dhënave të institutit kanadez për demoskopinë "Globe scan" të zhvilluar në 35 vende të botës, demokrati Kerry do të fitonte në 30 vende shumicën e votave. Vetëm polakët, filipinasit dhe nigerianët do të votonin pro Bushit. Në Tajlandë dhe në Indi Bushi dhe Kerry morën të njëjtat vota.
Bie në sy se George Bush-i dhe politika e tij po ndesh gjithnjë e më tepër në refuzim edhe në radhët e vendeve tradicionalisht aleate. Në Gjermani, Norvegji, Francë, Holandë, Itali dhe në Kanada shumica e të pyeturve do të votonin për Kerry-n. Rasti i Polonisë shpjegohet me faktin se ky vend është një ndër partnerët e rinj të SHBA-ve.
Sa u përket shkaqeve të kësaj antipatie globale ndaj SHBA-ve, studiuesit erdhën në përfundimin se kjo ka të bëjë në radhë të parë me politikën e jashtme të presidentit amerikan dhe luftën në Irak. Krahasuar me të dhënat e sondazheve të para katër viteve simpatia ndaj SHBA-ve ka shënuar rënie dramatike. Në Gjermani p.sh. nga 83% në 46 %. Doug Miller punonjës i institutit "Globe Scane" vëren:
"Ne vëmë re se gjatë periudhës së presidentit Bush kurba e simpatisë për SHBA-të ka shënuar kudo - me përjashtim të Rusisë - rënie. Të gjitha të dhënat tona tregojnë se kemi të bëjmë me një fenomen të ri, që lidhet me politikën e jashtme të qeverisë së Bushit dhe që çon në një qëndrim anti-amerikan.
Këto tendenca vihen re edhe në sondazhet e tjera. Sipas të dhënave të fundit të një studimi të "German Marshall Fund" gjatë dy viteve të fundit po vihet re një humnerë mes vendeve të Evropës dhe SHBA-ve. 79% e evropianëve të anketuar janë kundër një roli drejtues global të SHBA-ve në politikë. Këtë vit kjo shifër është shtuar me 9%.
Megjithatë pavarësisht prej dallimeve në qëndrime shumica e amerikanëve dhe e evropianëve janë të mendimit se kanë vlera të mjaftueshme të përbashkëta për të bashkëpunuar për zgjidhjen e problemeve ndërkombëtare. Gjithsesi sipas të dhënave të "Globe scan" në botë po përhapet gjithnjë e më tepër paragjykimi se SHBA-të nuk interesohen për pjesën tjetër të botës.