Poli i Veriut pa akull? Influenca e ndryshimit të klimës në Arktik | Bota | DW | 14.03.2006
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Poli i Veriut pa akull? Influenca e ndryshimit të klimës në Arktik

Studjuesit janë të sigurtë, se në dekadat e ardhëshme Toka do të ngrohet më shumë, pasi njeriu gjithnjë e më shumë po shkakton efektin serë për shkak të emisioneve të gazrave në atmosferë. Pasoja dramatike do të ketë kjo veçanërisht për rajonet polare. Akulli dhe akullnajat mund të shkrijnë, niveli i detit do të rritet.

Shkrirja e akullnajave në Groenlandë

Shkrirja e akullnajave në Groenlandë

500 ekspertë në fillim të marsit në një kongres në Hamburg diskutuan, se si mund të influencojnë pasojat e ndryshimit të klimës ndaj Arktikut dhe Antarktidës.

"Ne presim, që në fund të këtij shekulli në verë akulli do të zhduket krejtësisht. Ndërsa në dimër ai do të ngrijë sërish, por në çdo verë që do të pasojë ai vazhdimisht do të shkrijë."

Këtë parashikon pra eksperti Johen Marotzke, për të cilin ky nuk është aspak lajm i mirë. Nëse studjuesi i klimës pranë institutit Maks Plank për meteorlogjinë në Hamburg ka të drejtë, atëherë në vitin 2080 në Polin e Veriut nuk do të ketë më akull, të paktën në verë. Qysh tani ekspertët kanë regjistruar se shtresa e akullit në oqeanin e ngrirë të Veriut po hollohet gjithnjë e më shumë, vë në dukje Kristian Has, nga institutit Alfred-Vegener në Bremerhaven: "Ne vëzhgojmë pakësimin e shtresës së borës dhe një hollim të shtresës së akullit gjatë verës. Hollimi i këtyre shtresave gjatë verës në 30 vitet e fundit ka qenë rreth 20%."

Ky zhvillim mund të vazhdojë deri në shkrirjen e plotë në vitin 2080. Arësyeja sipas studjuesve të klimës është efekti serë i shkaktuar prej njeriut: "Studimet tona parashikojnë një ngrohje globale. Parashikohet edhe që Arktiku do të ngrohet dy herë më shpejt se mesatarja e përgjithshme. Ne presim një ngrohje në paralelet veriore nga 8 gradë deri në 10 gradë Celsius."

Krejt ndryshe paraqitet gjendja për Antarktidën

Këtu mbizotëron një tjetër klimë, dominojnë rryma detare të ndryshme nga ato të Polit të Veriut. Ndaj ngrohja e klimës në Jug nuk do të jetë kaq e fortë sa në Veri. Pasoja: në Antarktidë deri tani nuk ka shkrirë akulli, thekson Kristian Has, përkundrazi: "Të dhënat tregojnë, se në 30 vitet e fundit ka pasur një rritje të shtresës së akullit në det në zonën e Antarktidës."

Megjithatë në dhjetë vjeçarët e ardhshëm temepratura do të rritet edhe në Polin e Jugut. A do të shkrijë akulli edhe atje? Lidhur me këtë pyetje ekspertët ende janë duke debatuar. Arësyeja është, se Antarktida është e madhe, dhe në rajone të ndryshme mbizotërojnë kushte krejt të ndryshme: "Pjesa lindore e Antarktidës është më e trashë dhe më e lartë. Ndaj atje mund të mblidhet shumë borë që çon në rritjen e masës së akullit. Pjesa perëndimore e Antarktidës përballet me rrymën qendrore të Antarktidës, që sjell ujë të ngrohtë. Këtu kemi të bëjmë me një ndërthurje të ngushtë mes ngrohjes së oqeanit dhe shkrirjes së akullit."

Kësaj i shtohet edhe pasiguria tjetër, se ç´mund të ndodhë nëse Poli i Jugut ngrohet më shumë. Eksperti Marotzke: "Ka procese kontradiktore: nëse ngrohet më shumë, ne presim që të rriten kuotat e reshjeve të borës. Por ne parashikojmë edhe që akulli në rrëzë të akullnajës mund të shkrijë më shpejt. Pyetja është e thjeshtë: cili prej këtyre proceseve do të mbizotërojë? Bazuar në llogaritjet tona ne nuk presim ndonjë ndryshim të madh të shtresës së akullit, por pasiguria është e madhe."

Sidoqoftë: ngrohja e klimës dhe efekti i serës do të kenë pasojat e tyre, edhe ndaj nivelit të përgjithshëm të detit. Ai do të rritet edhe për shkak të shkrirjes së shtresës së akullit të Groenlandës. "Ne parashikojmë në mesataren e përgjithshme një rritje të nivelit të detit me rreth 40 centimetra, ndoshta edhe 50 deri në vitin 2100."

Një gjë është pra e qartë: nëse në vitin 2080 akulli polar do të zhduket në verë, atëherë kjo do të ketë pasoja të forta ndaj faunës arktike, për peshqit, planktonin, fokat dhe ariun polar.

"Kjo do të shkaktonte një humbje të madhe për shumë organizma në këtë hapësirë mjaft specifike jetese", thotë studjuesja Iris Verner nga Universiteti i Kielit: "Shumë organizma i janë përshtatur fort detit të ngrirë duke krijuar hapësirën e tyre të jetesës prej së cilës janë të varura. Kjo do të thotë që nëse akulli pakësohet ose zhduket në verë, edhe këto organizma do të humbasin bazën e ekzistencës dhe ka mundësi që ato të zhduken." Veçanërisht të prekur do të jenë llojet që jetojnë në majën e polit siç janë fokat dhe ariu polar.

  • Data 14.03.2006
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArMC
  • Data 14.03.2006
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArMC
Reklamë