Planet gjermano-franceze për reformimin e Paktit të Stabilitetit rrezikojnë të dështojnë
28 Tetor 2010Shtetet e vogla ankohen se shtetet e mëdha duan t'i anashkalojnë
Shumë politikanë evropianë dhe komisionerë të BE-së nuk e kuptojnë më botën. Edhe pse kancelarja gjermane Angela Merkel ka pas mbështetur me forcë propozimin e Komisionerit Evropian për Çështjet Ekonomike dhe Financiare, Olli Rehn që mëkatarët e deficit të dënohen automatikisht ajo ndryshoi qëndrimin e saj në Deauville të Francës. Ajo u pajtua me presidentin e Francës, Nikolas Sarkozy që mos të ketë sanksione automatike. Guy Verhofstadt është kryetar i grupit parlamentar të liberalëve në Parlamentin Evropian.
"Karakteri gjysëmautomatik në propozimin e Komisionit humbet plotësisht dhe kjo është për mua e pakuptueshme para së gjithash nga ana e Gjermanisë. Dhjetë muaj rresht gjermanët kërkuan dënime të ashpra dhe pastaj bëjnë të kundërtën."
Përfaqësuesit e shteteve të vogla të BE-së janë ankuar po ashtu se dy shtete të mëdha provojnë që të marrin vendime pa pyetur për mendimin e tyre. Dhe shefi i grupit parlamentar socialist, Martin Schulz mendon se marrëveshja e arritur në Deauville tregon mospërfillje ndaj presidentit të Këshillit të BE-së, Herman Van Rompuy.
"Unë i shtroj vetes pyetjen se kur do të nxjerrë konsekuencat zoti Van Rompuy. Ai ngarkohet me detyrën që me task forcën e tij të përshkruajë reformat që janë të nevojshme dhe para se ai të prezantojë diçka, çifti në Deauville (Merkel dhe Sarkozy) thotë se: jo, ne kemi vendosur për gjithçka."
Franca kritikohet për mbështetjen e dhënë prpozimit gjerman
Zëra kritikë ka edhe në adresë të Francës e cila vendosi të mbështesë kërkesën gjermane për ndryshimin e marrëveshjeve të BE-së. Gjermania ka kërkuar ndryshimin e Paktit të Bashkimit Evropian, në mënyrë që të arrihet dënimi më i ashpër për shkaktarët e deficiteve. Sipas idesë së qeverisë gjermane, atyre duhet t'u hiqet përkohësisht e drejta e votës në organizmat e Bashkimit Evropian. Nga ana tjetër bëhet fjalë edhe për të ardhmen e mburojës financiare për shtetet e Euros, e cila skadon pas dy vitesh. Gjermania dëshiron që në rastet e krizave të kontribuojnë për kapërcimin e tyre edhe kreditorët, jo vetëm taksapaguesitë evropianë. Edhe pse qëndrimet e qeverive janë të ndryshme prapëseprapë ato i shohin ndryshimet e marrëveshjeve si joreale. Si komisioneri Olli Rehn ashtu dhe komisionerja e Drejtësisë Viviane Reding paralajmërojnë nga këto përpjekje. Ndërkaq presidenti i Komisionit Evropian, José Manuel Barroso apelon tek palët që mos të harrojnë në samit objektivin e përgjithshëm të reformave.
"Më lejoni ta them këtë në mënyrë të qartë: rezultati i përgjithshëm duhet të dallojë nga gjendja aktuale. Ne duhet t'u tregojmë qytetarëve tanë që Bashkimi Evropian i ka mësuar të gjitha leksionet e krizës dhe ka nxjerrë konsekuencat."
Gjermania e vendosur që të ndryshojë marrëveshjet e BE-së
Nga pranvera kur BE së bashku me Fondin Monetar Ndërkombëtar vendosën për mburojën financiare është zbutur dukshëm kriza e euros. Shef i këtij institucioni evropian për stabilizim financiar, siç quhet zyrtarisht, është Klaus Regling. Ai beson që shtetet e rrezikuara kanë bërë si duhet detyrat e shtëpisë.
"Para katër, pesë muajsh të gjithë në treg ishin të bindur se Spanja do të jetë klienti i parë. Sot për këtë nuk flet më askush. Skenari im qendror është që asnjë vend anëtar në zonën e euros të mos ketë nevojë për masat e ndihmave financiare."
Sidoqoftë qeveria gjermane angazhohet për vendosjen e sanksioneve më të ashpra kundër vendeve të BE-së që futen në borxhe të mëdha. Megjithatë për arritjen e këtij qëllimi nevojiten ndryshimi i marrëveshjeve të BE-së. Por për ndryshimin e marrëveshjeve të BE-së duhet të vendosin njëzëri të gjitha 27 vendet anëtare të BE-së. Dhe aktualisht asgjë nuk duket më larg se arritja e një kompromisi të tillë.
Autor: Christoph Hasselbach / Esat Ahmeti
Redaktoi: Eliana Xhani