1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pasqyra e shtypit tö Kosovës

Agim Zogaj3 Nëntor 2003
https://p.dw.com/p/As4b


Duke njoftuar se Marc Grossman, nënsekretar për Çështje Politike në State Departament, vjen gjatë javës në Kosovë me pakon e operacionalizimit të standardeve, "Koha Ditore" në kryetitullin e madh shkruan" Amerikanët rimarin iniciativën politike në Kosovë".
Gazeta sqaron se " Shtetet e Bashkuara të Amerikës konsiderojnë se ka ardhur koha që të kapërcehet gjendja e krijuar e amullisë politike në Kosovë. Ky sinjal, i pëshpëritur prej kohësh në qarqet diplomatike amerikane, tashmë duket se po del sheshazi me vizitën që do tia bëjë Kosovës gjatë javës diplomati i lartë, Marc Grossman, i cili konsiderohet të jetë njeriu i tretë për nga rangu në diplomacinë amerikane".
Sipas burimeve nga Washingtoni dhe rajoni, "Koha Ditore" merre vesh se " Grossman do të sjellë më vete një pako të operacionalizimit të standardeve që duhet ti përmbushë Kosova dhe UNMIK-u para se të hyjë në zgjidhjen e çështjes së statusit të përherëshëm në Kosovë. Sipas këtyre burimeve, SHBA-ja ka kohë që ka kërkuar nga UNMIK-u, që nga koha e kryeadministratorit Steiner, që politika e " sandardeve para statusit" të jetë konkrete, e detajizuar me afate dhe bartës të obligimeve. Njëkohësisht ka kërkuar që të krijohen instrumentet zbatuese të këtyre standardeve dhe ato matëse për të parë progresin.
"Koha Ditore", njofton se Grossman do të mbledhë, liderët institucionalë e politikë shqiptarë dhe serbë, dhe në këtë mbledhje do tu detajizohen obligimet dhe afatet për t'i përmbushur këto obligime.
Krahas vizitës në Kosovë, Grossman do të vitzitojë shkurtimisht edhe Tiranën.
"Zëri" ndërsa, duke iu referuar burimeve redaksionale merr vesh se " Shefi i UNMIK-ut Hari Holkeri, përfaqësuesit e vendeve të Kuintit si dhe liderët kosovarë, do të takohen me një takim pune të mërkuren.
Takimi do të mbahet në njërën prej pesë zyrave të përfaqësive diplomatike në Prishtinë, thonë të njëjtat burime, kurse parashihet që aty të jetë i pranishëm edhe një zyrtar i lartë amerikan vend ky i cili pritet që të ketë një rol shumë më aktiv në proceset më të reja që po hyn Kosova në rrugën e saj nga administrimi ndërkombëtar drejt krijimit të strukturave legale vendore vetëqeverisëse.
"Zëri", edhe sot riaktualizon zhbërjen e strukturave paralele duke theksuar se "Strukturat paralele serbe në Kosovë janë mohim faktik dhe ligjor i UNMIK-ut dhe i pushtetit vendor të krijuar me zgjedhjet e përgjithshme dhe ato lokale. Holkri duhet të veprojë konkretisht në zhbërjen e këtyre strukturave, konkludon "Zëri".
"Bota Sot" duke reaguar ndaj paraqitjes më të re të zëvendëskryeministrit serb, Nebojsha Çoviq, në selinë e OKB-së shkruan se "përderisa do të ndodhë kjo, që Këshilli i Sigurimit të mirëpresë figurat e politikës aktuale serbe dhe t'i injorojë shqiptarët, me të njëjtin stil si i injoron ekstremisti Çoviq zotërinjtë Anan dhe Holker, Kosova do të vazhdojë të mbetet shprehja më adekuate e qëndrimeve kontraverse të këtij Këshilli, i cili u jep kështu parimeve të demokracisë shprehje kontraverse, duke vonuar pavarësinë e Kosovës".