1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pasqyra e shtypit ndërkombëtar

Gerhard Friese3 Dhjetor 2005

Në qendër të gazetave evropiane ishin gjatë javës së kaluar deklarata e parë qeveritare e kancelares Angela Merkel, pengmarrja e gjermanes Osthoff në Irak si edhe vizita e parë e Angela Merkelit në Poloni.

https://p.dw.com/p/ArsX

Gazeta zviceriane BERNER ZEITUNG shkruan mbi deklaratën qeveritare:

"Jo, kjo deklaratë nuk ishte një plan i madh. Programi qeveritar i parë i Angela Merkelit ishte po aq jo i bujshëm, sa vetë marrëveshja për koalicion mes unionit dhe SPD-së. Mungonin vizionet, mungonte aspekti i ri dhe patosi. Por një gjë duhet përmendur patjetër në mënyrë pozitive mbi kancelaren e re: Ajo nuk bën premtime boshe dhe i thotë gjërat troç."


Gazeta TAGES-ANZEIGER nga Zyrihu komenton:

"Mesa duket Angela Merkel mësoi nga gabimet që bëri gjatë fushatës së saj elektorale. Gjatë asaj kohe ajo thoshte se Gjermania ka rënë një një gropë të thellë. Tani kancelarja e re thotë të paktën hapur se nuk ka asnjë alternativë tjetër, përveç se të vazhdojë kursin e reformave të nisura nga Gerhard Schröder, ndonënse kjo do të thotë se populli gjerman do t´i vuajë ato."

Gazeta spanjolle EL PAIS shkruan se Angela Merkel ndodhet përpara disa sfidave të mëdha dhe komenton:

"Kancelarja gjermane është e vetëdijshme se nuk gëzon mbështetjen e plotë të parlamentit dhe se koalicioni që udhëhiqet prej saj, duhet të përjetojë sa më parë disa suksese të vogla, nëse do t´i mbijetojë 4 vitet e periudhës legjislative. Por Merkel ja doli mbanë të lërë përshypje pozitive. Sfida e saj është tani që ta konsolidojë këtë përshtypje, duke e ringjallur Gjermaninë nga ana politike, ekonomike dhe sociale."

Edhe gazeta tjetër spanjolle ABC shkruan:

"Angela Merkel i bëri të qarta kordinatat e projektit të saj dhe tha atë që prisnin shumë njerëz: Gjermania ka tani shansin e madh ta rigjejë vetëveten dhe t´i përkushtojë sërish energjitë e saj të ardhmes së vendit. Me këto fjalë Merkel dëshmoi qartë se është e gatshme të fillojë një strategji të re qeveritare. Ajo foli në mënyrë të pastër dhe të qartë. Madje ajo ja arriti të kombinojë tonin energjik të Thatcherit me atë miqësor dhe të mahnitshëm të Ton Kennedit."

Gazeta austriake DER STANDARD shkruan:

"Hapa të vegjël do të ndërmarrë qeveria e saj, thotë kancelarja gjermane, sepse e di se koalicioni i saj i madh nuk ka asnjë formulë për zgjidhjen e krizës ekonomike në të cilën ndodhet Gjermania. Merkel u tregua shumë e sinqertë dhe nuk ju shmang realitetit."


Ndërkohë gazeta ruse NESAWISSIMAJA GASETA tregohet pesimiste mbi programin e ri qeveritar:


"Merkel u përpoq t´i shpjegonte popullit që defiçiti i madh qeveritar do të sjellë vendime të pakënaqshme për gjermanët dhe se tani vendi duhet të kursejë në mënyrë masive. Por masat që do të marrë Merkeli me rritjen e taksave dhe ndalimin e subvencioneve, nuk do ta gëzojnë fare popullin gjerman."

Ndërrojmë temë. Gazeta ruse GASETA shkruan mbi pengmarrjen e gjermanes Osthoff në Irak:

"Gjermania ishte së bashku me Francën dhe Rusinë, kundërshtarja kryesore e Uashingtonit dhe Londrës, kur filluan përgatitjet për luftën e Irakut. Berlini i kritikoi ashpër planet për pushtimin e Irakut dhe i vuri në dyshim informacionet e shërbimeve sekrete amerikane mbi armët bërthamore të Sadam Hyseinit. Tani kancelarja e re gjermane deklaroi se qëllimi i saj kryesor në politikën e jashtme gjermane është riafrimi i Gjrmanisë me SHBA-s. Ende nuk është e qartë nëse pengmarrja e gjermanes në Irak ka të bëjë me këtë deklaratë, apo jo."

Dhe së fundi një komentar i gazetës polake GAZETA WYBORCZA mbi vizitën e kancelares Merkel në Varshavë:

"Dihet se mes ne polakëve dhe gjermanëve kanë ndodhur shumë gjëra, që ende nuk janë përpunuar siç duhet. Tani të dyja palët theksuan se marrëdhëniet mes dy shteteve do të bazohen vetëm tek e vërteta. Si gjermanët ashtu edhe polakët dëshirojnë marrëdhënie të mira fqinjësore. Hapi i parë në këtë drejtim u hodh. Pjesa tjetër do të varet tani nga dëshira dhe vullneti i të dyja palëve."