1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pasqyra e shtypit ndërkombëtar

Beatrice Hyder7 Maj 2006
https://p.dw.com/p/Arq4
"Karambol masiv" - Humbja e zgjedhjeve komunale nga ana e partisë laburiste të Blairit
"Karambol masiv" - Humbja e zgjedhjeve komunale nga ana e partisë laburiste të BlairitFotografi: AP

Temat që dominojnë shtypin evropian të javës që lamë pas janë vendimi i BE-së për t'i anuluar bisedimet për marrëveshjen e asociimit me Serbinë dhe Malin e Zi si dhe humbja e rëndë e Toni Blerit në zgjedhjet lokale të së enjtes.

Në lidhje me temën e parë, anulimin e bisedimeve të BE-së me SCN-në për shkak se Serbia nuk e arrestoi dhe nuk e dorëzoi në afat në Hagë ish-gjeneralin Ratko Mlladic, në gazetën zvicerane "Tagesanzeiger" lexojmë:

"Me vendimin e tij konsekuent komisari për zgjerimin e BE-së Olli Rehn jep një sinjal të qartë: Serbia nuk ka të drejtë të përfitojë prej procesit së integrimit evropian, për sa kohë nuk është ndarë nga e kaluara e saj e errët. BE-ja nuk kishte rrugë tjetër. Në rast se do t'ia zgjaste Serbisë afatin për dorëzimin e Mladicit në tribunalin e Hagës, BE do ta kishte humbur besueshmërinë në rajon."

Edhe gazeta britanike "Times" mendon se ky ishte një vendim i drejtë:

"Ndryshe nga Kroacia e cila ishte në kushte të krahasueshme një vit më parë, Serbia nuk solli dëshmi se ishte përpjekur vërtet për t'i gjetur apo izoluar kriminelët e luftës, që janë ende të lirë. Nga ana tjetër duhet të jetë mëse e qartë se shërbimet sekrete duhet ta dinë se ku ndodhen ata. Këmbëngulja për dorëzimin e Mladicit, është leva më e rëndësishme që ka në dorë BE-ja në lidhje me bisedimet me Beogradin."

Gazeta serbe BLIC mendon se me veprimet e saj Serbia po e miraton emrin e keq që ka si njollë e zezë e Evropës:

"BE nuk është në gjendje që të impresionojë më askënd në Serbi me deklaratat për masa ndëshkimore. Vrima e zezë e Evropës po mësohet me dënimet dhe qortimet dhe po përpiqet seriozisht për t'i nxjerrë namin e keq vetes. Sundimtarët në vend dhe krerët e partive nxjerrin në këtë mes përfitime në politikën e përditshme, por në një aspekt afatgjatë ky qëndrim sjell dëme për të gjithë qytetarët."

Kalojmë në temën tjetër: "Perëndimi i perëndive", "Karambol masiv" "Ditë të numëruara" këto janë vetëm disa nga vlerësimet e gazetave evropiane për humbjen e zgjedhjeve komunale nga ana e partisë laburiste të Blairit dhe vendimin e tij për të riformuar kabinetin.

Gazeta franceze "Le Figaro" mendon se Blairi nuk kishte rrugë tjetër:

"Për të ruajtur autoritetin dhe për t'i marrë sërish gjërat në dorë, Tony Blairit i duhej ta ndryshonte me themel ekipin e tij. Në rast se do ta përfundojë me sukses mandatin e vet Blairit i duhet të përveshë mëngët. Në tetor 2004 Blairi i tha elektoratit të tij se nuk do ta mbaronte mandatin e tij të tretë. Por ndryshimi i kabinetit tregon se ai nuk e ka me kaq urgjencë që ta mbajë këtë fjalë."

Kurse gazeta konservatore britanike "The Times" shkruan:

"Normalisht ndryshimet e kabineteve janë në rastin më të mirë të pavlefshme, në rastin më të keq shkatërrimtare. Ato janë të pavlefshme, sepse përmes tyre nuk arrihet që të ndryshohet mendimi i elektoratit për qeverinë. Madje ato janë shpesh shkatërruese, sepse ministrat që pas disa viteve në post kanë filluar të marrin vesh diçka nga puna e ministrisë, dërgohen në një fushë tjetër, ku u duhet të fillojnë të mësojnë nga e para."

Gazeta liberale e majtë "Guardian" e krahason ndryshimin e qeverisë me një karambol masiv:

"Si në rastin e një karamboli masiv ndryshimi i kabinetit u bë në kushtet e një shpejtësie dhe tollovie të madhe dhe për këtë lë pas një varrezë të tërë. Natyrisht që ky ishte një veprim dramatik dhe i përgjakshëm, por përmes tij nuk u bë ndonjë gjë për t'i bindur zgjedhësit e partisë laburiste, se qevria është sërish në rregull dhe e aftë për të vepruar. Mënyra e ndryshimeve dhe sidomos cilësitë e disa prej ministrave të rinj, që ka kohë që janë konsumuar, tregojnë se sa të kufizuara janë mundësitë që ka ende Tony Blairi."

Gazeta "Luxemburger Wort" sheh në këtë veprim të Blairit fillimin e fundit të qeverisë së tij:

"Humbjen asgjësuese të laburistëve në zgjedhjet lokale nuk mund të mos e konsiderosh si perëndimin e kryeministrit Tony Blair. Arroganca e pushtetit dhe skandalet në radhët e qeverisë Blair e dëmtuan shumë reputacionin e kësaj partie në radhët e zgjedhësve. Blairi e ka kaluar tashmë zenitin e pushtetit dhe në Britaninë e Madhe duket se do të kemi ndryshime politike."