1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pasqyra e shtypit ndërkombëtar

Hans Ziegler3 Shtator 2006

Temë qendrore e komenteve të shtypit ndërkombëtar të kësaj jave ishte çështja e mosmarrëveshjeve me Iranin si dhe gjendja në Liban

https://p.dw.com/p/Aro8



Qëndrojmë fillimisht tek Irani, i cili sërish e injoroi ultimatumin e OKB-së. Gazeta "Luxemburger Wort" mendon se përgjegjësinë për këtë e ka pavendosmëria e Perëndimit, citojmë:

"Presidenti Ahmadinexhad po e shfrytëyon me mjeshtëri pavendosmërinë e Këshillit të Sigurimit. Ai mbështetet tek qendrimi dashamirës i tërhequr i Rusisë dhe Kinës, ndërkohë që SHBA, Franca, Britania e Madhe dhe Gjermania ngulin këmbë për sanksione".

Gazeta italiane "Corriere della Sera" mendon ndryshe. Sipas saj, vendet perëndimore janë në konsensus:

"Franca, Britania e Madhe dhe Gjermania, e cila nuk bën pjesë në radhën e anëtarëve të përhershëm të KS, janë të një mendjeje me SHBA se nëse Irani i injoron kërkesat për ndërprerjen e programit bërthamor duhet reaguar. Me sanksione apo jo në Perëndim të gjithë dëshirojnë që presioni ndaj Teheranit të shtohet."

Gazeta britanike "Finantial Times" shprehet, gjithashtu, pro presionit ndaj Teheranit, por kujton me këtë rast edhe kërkesat e palës iraniane:

"Irani dëshiron t´i jepen garanci dhe të njihet si një fuqi rajonale serioze. Këto dy gjera mund t´i garantojnë në fund të fundit vetëm SHBA. Në kundërpërgjigje të kësaj teherani duhet të jetë i gatshëm të ofrojë transparencë të plotë dhe të kontrollueshme në lidhje me programin e tij atomik për të treguar se nuk përzihet më në punët e brendshme të fqinjëve të vet dhe bashkëpunon me ta për ndërtimin e stabilitetit në Lindjen e Mesme."

Së fundi për këtë temë citojmë nga gazeta moskovite "Komersant", e cila në komentin e vet ndjek qendrimin e qeverisë ruse:

"Në krizën me Iranin ka shumë spekulime dhe pak gjëra të qarta: Si do të bëhej puna në rast se iranianët pasurojnë vërtet iranium, ndërtojnë vërtet një bombë atomike dhe u ndihmojnë, madje, dhe të tjerëve që mund të jenë po aq të paarsyeshëm dhe të rrezikshëm si ata? Nga ky këndvështrim gjithëkush në botë mund ta gjykojë problemin e Iranit si t´i vijë për shtat. SHBA dhe Izraeli u bien këmbanave të alarmit. Moska dhe Pekini vazhdojnë të mendojnë se akuzat janë trillime."

Kalojmë në temën tjetër për situatën në Liban. Në konferencën e donatorëve në Stokholm bashkësia ndërkombëtare premtoi një ndihmë prej 700 milion eurosh për ndërtimin e Libanit.

Gazeta britanike "The Guardian" thotë se një gjë e tillë është shumë e shtrenjtë, megjithatë marrëveshja është në rregull:

"Tani që bashkësia ndërkombëtare duhet të përgjigjet për pasojat katastrofike dhe të shtrejta të luftës së Libanit ka me tepricë dëshmi që vërtetojnë proverbin e vjetër, sipas të cilit parandalimi është më i mirë se sa kurimi. Bashkimi Evropian bën mirë që i ka kapërcyer mosmarrëveshjet për dislokimin e disa mijëra ushtarëve përgjatë kufirit të rrezikshëm libanezo-izraelit. Premtimet bujare të konferencës së donatorëve në Londër do të bëjnë gjithashtu të tyren."

Gazeta franceze "Le Monde" e vlerëson, gjithashtu, konferencën, por nisur nga dëmet e mëdha të luftës kërkon që shpresat prej ndihmave të mos jenë shumë të mëdha:

"BE-ja duhet t´i marrë në dorë frenat për rindërtimin e Libanit dhe të jetë në radhën e parë të atyre që ndihmojnë financiarisht. Gjendja është katastrofike. Pas luftës Libani është kthyer 15 vjet mbrapsht dhe sipas vlerësimeve të OKB-së për riparimin e dëmeve të luftës do të nevojiteshin të paktën 15 miliardë dollarë."

Së fundi, për këtë temë citojmë nga gayeta zvicerane "Basler Zeitung", e cila mendon se paratë nuk janë mjet gjithëshërues:

"Vetëm paratë nuk sjellin paqe. Territoret e pushtuara nga Izraeli janë shembulli më i mirë për këtë. Palestinezët kanë vite që kryesojnë listat e përfituesve të ndihmave ndërkombëtare. Donatorët financojunë ndërtimin e administratës autonome palestineze, ushqejnë refugjatët, ndërtojnë rrugë dhe shkolla. Megjithatë, në Rripin e Gazës dhe në Jordanin Perëndimor vazhdon të luftohet dhe luftës nuk i dihet fundi. Në fund bekimi i parave ndoshta mund të paralizojë edhe çdo përpjekje të donatorëve për arritjen e një zgjidhjeje politike. Bujaria është gjithashtu një metodë për të tërhequr vëmendjen nga mungesa e veprimit."