1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pasqyra e shtypit ndërkombëtar

Marko Langer25 Nëntor 2006

Shtypi ndërkombëtar i javës që sapo kaloi, u fokusua tek bilanci koalicionit të madh qeveritar gjerman një vit pas marrjes së postit të kancelares nga Angela Merkel, si edhe tek vdekja e ish spiunit rus Aleksandër Litvinenko

https://p.dw.com/p/Armo
Merkel flet në debatin për buxhetin, 22 nëntor 2006
Merkel flet në debatin për buxhetin, 22 nëntor 2006Fotografi: AP

Në lidhje me këtë ngjarje, gazeta britanike THE TIMES shkruan:

"Putini ndodhet në një situatë të vështirë. Përpjekjet e tij për ta rikthyer Rusinë në një shtet të respektuar në të gjithë botën, humbin në vlerë kur akuzohet se po drejton një rregjim gangsterrash. Ai duhet t´u ofrojë hetuesve britanikë bashkëpunim të plotë dhe t´u lejojë akses në të gjitha qarqet ku duan të hyjë ata. Në rast se ai nuk do të pranojë ta bëjë këtë gjë, ai do të dëshmojë se ka pasur dijeni mbi ato që ndodhën. Rusia nuk duhet të mendojë se ky episod do të jetë harruar pas disa javësh."


Gazeta austriake DIE PRESSE shtron pyetjen:

"Presidenti rus Vladimir Putin nuk mund të jetë aq budalla, sa të urdhërojë përpara çdo vizite zyrtare jashtë shtetit shërbimet e tij sekrete, që të vrasin kritikuesit e tij. Kjo do t´ja prishte të gjithë lezetin udhëtimit. Litivnenko mund të dilte fare lehtë jashtë loje, pa urdhërat nga Kremlini. Me gjithë autoritetin e Putinit, në kremlin ka ndërkohë forca të mjaftueshme, që mund ta zgjidhnin këtë problem pa marrë leje."

Gazeta THE GUARDIAN nga Britania e Madhe shkruan:

"Edhe pse deklarata e Rusisë se ka hequr dorë me kohë nga aksionet vrasëse jashtë shtetit, nuk duhen marrë shumë seriozisht, sërish argumenti i Rusisë se një skandal i tillë është gjëja e fundit që i nevojitet Putinit aktualisht, është i drejtë. Përse duhet të shkaktojë Kremlini pikërisht tani një zemërim pafund të Perëndimit duke vrarë një kritikues aspak të rrezikshëm të qeverisë ruse në Londër?

Gazeta spanjolle EL PAIS analizon:

"Presidenti Vladimir Putin dhe "Putinizmi" duan të kotrollojnë gjithçka. Eshtë për t´u habitur që kanalet televizive më të mëdha ruse nuk e përmendën me asnjë fjalë helmimin e ish spiunit rus. Putini nuk do të kandidojë në zgjedhjet e vitit 2008. Por ai do të dorëzojë vetëm postin dhe jo pushtetin që ka fituar ndërkohë në Rusi. Bota ka filluar të hedhë vështrime gjithnjë e më skeptike drejt Kremlinit dhe Vladimir Putinit."

Ndryshojmë temë. Viti i parë i kancelares gjermane Angela Merkel është temë tjetër e gazetës spanjolle EL PAIS:

"Një vit pas marrjes së postit të saj, kancelarja gjermane e ka forcuar pozicionin e saj si një kryetare e fortë politike. Jashtë Gjermanisë ajo gëzon një reputacion shumë më të lartë se në atdhe. Koaliconi me partinë social-demokrate e ruajti atë nga gabimi i një liberalizimi radikal, që në fakt kishte ndërmend të kryente. Nga ana tjetër, partia social-demokrate SPD e mbijetoi shumë lehtë ndryshimin e kryesisë së saj."

Gazeta franceze LE MONDE kritikon:

"Pas një viti në pushtet, qeveria e Angela Merkelit nuk ka më asnjë ide mbi politikën e brendshme gjermane. Duket sikur Merkel nuk do t í dëgjojë këshillat se duhet ta shpejtojë hapin. Ajo i mbeti besnike politikës së saj të hapave të vegjël. Kancelarja fokusohet më shumë drejt politikës ndërkombëtare, ku bëri edhe bujën më të madhe në fillim të karrierës së saj."

Dhe së fundi gazeta nga Strasburgu LES DERNIÈRES NOUVELLES D'ALSACE komenton:

"Stili i ri dhe femëror i Angela Merkelit qëndron në kontrast me tonin e lartë të parardhësit të saj. Merkel ecën me hapa të kujdesshëm përpara. Ajo vëzhgon, dëgjon dhe zhvillon dialog. Një sjellje e tillë modeste është e rrallë në ditët e sotme. Madje disa herë kjo modesti interpretohet si dobësi. Por që kur morri postin e kancelares gjermane, Merkel ka dëshmuar se di t´i ndjekë me vendosmëri qëllimet e saj. Për të si shkencëtare kanë vlerë faktet dhe jo vizionet e mëdha."