Pasqyra e shtypit gjermanofon | Studimi në Gjermani | DW | 04.05.2004
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Studimi në Gjermani

Pasqyra e shtypit gjermanofon

Fillimisht disa citate nga artikujt mbi Ballkanin

Në revistën "Der Spiegel" nën titullin "Lepujt e Fushë Kosovës" botohet sot një artikull kritik mbi rolin e trupave gjermane të Bundesverit të dislokuara në kuadër të KFOR-it në Kosovë. Pas trazirave të fundit janë ngritur akuza të rënda kundrejt trupave gjermane të KFOR-it. Akuzat madje vijnë nga vetë policët gjermanë të OKB-së, sipas të cilëve gjatë trazirave të ekstremistëve shqiptarë ata i kanë bërë bisht detyrës dhe kanë dështuar.
(Përmbledhje e artikullit në rubrikën Tema Shqiptare)

"Frankfurter Allgemine Zeitung" boton komentin me titull "Përse u dorëzua Lukovic?". Citojmë:

"Në matematikën politike të Ballkanit shpesh herë llogaria dy plus dy rezulton tre ose ndonjëherë edhe pesë, por shumë rrallë dy plus dy bëjnë katër. Në këtë mënyrë nuk ishte aspak e habitshme që natën duke gdhirë dita e hënë pasi u bë i ditur arrestimi i Millorad Lukovic, armiku numër 1 i shtetit të Serbisë, menjëherë u përhapën tezat spekuluese për ndonjë komplot lidhur me sfondin e arrestimit të papritur. Madje disa prej këtyre tezave në mënyrë jozyrtare u dëgjuan edhe nga ambasadat perëndimore në Beograd. Pyetjet që shtrohen në këtë kontekst janë: Përse u dorëzua Lukovici pikërisht tani, ndërsa një vit më parë ai doli në ilegalitet menjëherë pas të shtënave vdekjeprurëse ndaj kryeministrit reformator Zoran Xhinxhic? Mos vallë atij i mbaruan paratë për të financuar arratinë e vazhdueshme? Apo mos vallë ai u lodh nga loja kukashfehti? Një tjetër tezë është, se mos ndoshta kemi të bëjmë me ndonjë marrëveshje mes kryeministrit të ri Koshtunica dhe të akuzuarit kryesor në procesin e Xhinxhicit? Sidoqoftë deponimi i Lukovicit në procesin për vrasjen e Xhinxhicit pesë javë përpara raundit të parë të zgjedhjeve presidenciale në Serbi më 13 qershor përputhet mësë miri me konceptin", shkruan komentatori i Frankfurter Allgemine Zeitung.

Gazeta zvicerane "Bieler Tageblat" boton një intervistë me Koordinatorin e Paktit të Stabilitetit për Evropën Juglindore Erhard Busek, i cili zhvillon një vizitë ne Zvicër. Nga kjo intervistë vecojmë komentin që zoti Busek bën ndaj pyetjes, se mos vallë koordinatori i Paktit të Stabilitetit, detyra e të cilit është të stabilizojë Evropën Juglindore ka për të kryer një punë Sizifi në Ballkan në sfondin e trazirave të marsit në Kosovë? Busek thekson: "Puna e Sizifit ka të bëjë me gurin që rrokulliset teposhtë dhe që vazhdimisht ai duhet ngritur lart. Ndërsa për punën time mund të jetë më e përshtatshme figura e dy hapave përpara dhe një prapa. Pra trazirat e rënda në Kosovë treguan megjithatë se atje janë bërë edhe përparime. Këto trazira u shuan shpejt dhe u vunë nën kontroll pa u përhapur më tej si në në Maqedoni apo në republikën Serbska. Sigurisht që kjo s´është e mjaftueshme, por ky është një përparim. Do të ishte mjaft naive të besoje, se pas katër lufrave në Ballkan, një hartë e re dhe një situatë globale në lëvizje, do të mund t´i ndryshonte gjërat mes sot e me nesër", nënvizon Busek.


Nga temat e tjera ndërkombëtare në shtypin e Gjermanisë vecojmë edhe komentet lidhur me dështimin e refrendumit në partinë Likud që qeveris në Izrael mbi planin e kryeminsitrit Ariel Sharon për tërheqjen nga vendbanimet hebreje të Rripit të Gazës. Në të përditshmen e Erfurtit "Tyringer Allgemeine" lexojmë:

"Fitorja dhe dështimi ishin shumë pranë njëra-tjetrës. Nisur nga fakti që ai ia arriti ta bëjë Bushin për vete, kryeministri izraelit, mendoi, se edhe partia e tij Likud do ta pasonte atë duke valëvitur flamujt. Megjithatë Sharoni nuk do ta pranojë, se i pat mbivlerësuar aftësitë e veta. Me "Jo-në" në partinë e tij lidhur me cështjen e tërheqjes nga territoret palestineze, vështirë se ai mund të llogarisë më me mbështetjen e shumicës brenda kabinetit. Jo më kot udhëheqësi i opozitës Shimon Perez i la të kuptojë Sharonit, se duhet të japë dorëheqjen."

Edhe gazeta "Financial Times" e Gjermanisë, që botohet në Hamburg shpreh habi:

"Instikti i pushtetit ka qenë gjithmonë forca e kryeministrit të Izraelit Ariel Sharon. I sigurtë dhe me lehtësi ai lëviz lirshëm në xhunglën e zakonshme të politikës së tij të brendëshme. Megjithatë në referendumin brenda partiak për tërheqjen nga Rripi i Gazës instikti i tij dështoi rëndë. Sharon mbivlerësoi veten duke nënvleftësuar partinë e tij Likud.

  • Data 04.05.2004
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/As0g
  • Data 04.05.2004
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/As0g