Pasqyra e shtypit gjerman të ditës | Studimi në Gjermani | DW | 30.01.2004
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Studimi në Gjermani

Pasqyra e shtypit gjerman të ditës

Shkëmbimi i të burgosurve nga Lindja e Afërme në Gjermani / Grevat paralajmëruese në industrinë e metalit

Shkëmbimi më i madh i të burgosurve në konfiktin e Lindjes së Afërme që prej dy dhjetëvjeçarësh qëndron në qendër të vëmendjes së faqeve të komenteve të të përditshmeve të sotme gjermane. Një temë tjetër janë grevat paralajmëruese në industrinë mekanike. Lidhur me shkëmbimin e të burgosurve gazeta MANNHEIMER MORGEN shkruan: "Një sukses i madh për diplomacinë dhe shërbimin e fshehtë gjerman. Sepse shkëmbimi u bë i mundur vetëm nëpërmjet besimit të fituar ndër dekada nga Republika Federale në hapësirën e konfliktit. Si ndërmjetës i ndershëm dhe vetëmohues pa interesa të vetat Republika Federale luan një rol të veçantë në Lindjen e Mesme dhe të Afërme. Ajo e sheh veten si avokate dhe përfaqësuese interesash të Izraelit pa lënë pas dore marrëdhëniet historikisht të mira ne vendet arabe përreth." Edhe gazeta e Rostokut OSTSEE-ZEITUNG trajton lidhjet e mira me vendet e rajonit: "Në përfundim shkëmbimi i suksesshëm i falënderohet lidhjeve të mira me Teheranin si dhe me Damaskun. Shpesh i kritikuari "Dialog kritik" i Berlinit me "shtetin e pabesë", Iranin, i vazhduar edhe gjatë krizave si dhe lidhja e tij me Sirinë e sulmuar e treguan përsëri vlerën e tyre. Siç dihet Irani e ka fjalën tek Hisbollahu dhe Siria në Liban. Megjithatë ky gjest i suksesshëm humanitar falë ndihmës gjermane nuk mund të gënjejë lidhur me faktin që paqja në Lindjen e Afërme është ende larg. Kërdija e tmerrshme ndaj civilëve të qetë në Jeruzalem e dëshmoi këtë sërish; por pas shndërrimit të Gadafit nga Saul terrori në Paul paqeje marrëveshja me Hisbollahun përbën megjithatë një arsye më shumë për optimizëm të përmbajtur." Gazeta berlineze NEUES DEUTSCHLAND tërheq vëmendjen tek fakti që shkëmbimi i kryer ka edhe aspekte kundërthënëse: "Askush nuk ishte vërtet i kënaqur me zgjidhjen nëpërmjet bisedimeve të çështjes së shkëmbimit të të burgosurve. Pala palestineze kritikoi faktin që Izraeli po liron kryesisht të burgosur për të cilët vuajtja e dënimit përfundonte së shpejti. Në Izrael Sharoni akuzohet se me këtë marrëveshje i ka bërë lëshime organizatës militante dhe se i ndihmon Hisbollahut që përmes derës së prapme të fitojë njohjen zyrtare. E megjithatë zgjidhja e gjetur është për të dyja palët një kompromis që ia vlen, megjithëse i dhimbshëm. Sidoqoftë të tjera kompromise janë të papërfytyrueshme në Lindjen e Afërme - as të përmasave të vogla e as të atyre të mëdha. Gazeta FRANFURTER ALLGEMEINE bën pyetjen: "A nuk do të ndërmarrin të liruarit përsëri sulme ose të nxisin të tjerët për t'i ndërmarrë ato? A nuk është mbivlerësuar tërthorazi Hizbollahu? Deri në fund të afërmit e viktimave izraelite kërkuan ta bënin të pamundur me anë të mjeteve ligjore shkëmbimin. Nga ana tjetër në Liban, jo vetëm në radhët e Hizbollahut, kthimi i të burgosurve po festohet si fitore arabe kundër Izraelit. Atje si në të gjithë Lindjen e Afërme ata konsiderohen heronj." Në Gjermani u zhvilluan grevat e para parlajmëruese të punëtorëve në industrinë e metalit lidhur me konfliktin për kontratat kolektive. Gazeta e Potsdamit MÄRKISCHE ALLGEMEINE komenton: "Bilbila, flamuj të kuq - nuk kanë kaluar as gjashtë muaj që prej dështimit të mjerueshëm të grevës së sindikatës IG Metall në përpjekjen për të arritur 35 orë pune në javë edhe në ish-Gjermaninë Lindore. Tani po përjetojmë të njëjtat pamje dhe edhe kjo ndeshje në tregun e punës mund të bëhet po aq e ashpër; sepse përsëri bëhet fjalë për kohën e punës, por këtë herë me kahje tjetër. Një temë delikate që ishte në vendin e gabuar në stinën e verës, sepse ndërmarrjet gjermanolindore nuk do ta kishin përballuar në të gjithë shtrirjen e vendit. Me të drejtë sindikata ra me bark. Shfrytëzimi i këtij rasti nga sipërmarrësit për të kaluar nga mbrojtja në sulm është i kuptueshëm, por po aq i gabuar." Edhe gazeta e Mynihut ABENDZEITUNG e sheh sindikatën në gjendje mbrojtjeje: "Sindikata IG Metall është e dobësuar pas grevës së dështuar. Punëdhënësit duket se duan ta shfrytëzojnë këtë rast të përshtatshëm dhe i bien burisë për sulm kundër kontratave kolektive në rang kombëtar. Por tigrat e plagosur janë më të rrezikshmit, ndaj konflikti rrezikon të shkallëzohet. Këtë herë nuk është fjala për pak përqind më shumë rrogë, por për revolucion: Ndërmarrjet dhe këshilli i punëtorëve në ndërmarrje do të kenë të drejtë të merren vesh me sipërmarrësit për një kohë më të gjatë pune pa kompensim me pagë. Kjo çon në zhveshjen e sindikatave nga pushteti."
  • Data 30.01.2004
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/As2e
  • Data 30.01.2004
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/As2e