1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pasqyra e shtypit gjerman të së shtunës për zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Gjermani

Përzgjedhur nga Auron Dodi10 Qershor 2005
https://p.dw.com/p/Arv9
Gregor Gizi dhe Oskar Lafonten
Gregor Gizi dhe Oskar LafontenFotografi: dpa - Bildfunk

Komentatorëve të shtypit të sotëm gjerman u intereson para së gjithash tema e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Gjermani dhe aleancat e krijuara në këtë kuadër.

Kështu, NEUE WESTFÄLISCHE që del në Bilefeld shkruan për Partinë Socialdemokrate Gjermane në prag të zgjedhjeve:

"Po të bazohesh thjesht në shifra, kancelari mund të mbështetet në parlament ende te një shumicë e vogël votash. Prandaj bie erë veprimi antikushtetues kërkimi i votëbesimit më 1 korrik pas manipulimeve dhe trukeve. Por edhe kancelarët Vili Brand dhe Helmut Kohl i kanë përdorur këto mjete të diskutueshme. Për aq kohë sa parlamenti nuk do të ketë të drejtën e vetëshpërndarjes...nuk ka rrugë tjetër për zgjedhje të reja. Për socialdemokratët mbetet vetëm një rrugë: ata duhet të pushojnë së ankuari dhe të luftojnë. Përndryshe mund të ndodhë që kandidatja unioniste për kancelare, Angela Merkel të arrijë në pushtet si të thuash me vagonin e fjetjes".


Ndërsa GENERAL ANZEIGER që del në Bonn ndalet në aleancën e re të majtë të shpallur para zgjedhjeve të pritshme parlamentare:

"Nuk ka diskutim: potenciali elektoral për një parti të majtë është i pranishëm me bollëk. Gati pesë milionë të papunë të regjistruar zyrtarisht, nostalgjikë gjermano-lindorë të RDGJ, por edhe mbështetës të të Gjelbërve krijojnë në këto zgjedhje një kolonë simpatizantësh, e cila duhet të mjaftojë për të hyrë në Bundestag. Shanse të mira startimi për duetin Oskar Lafontaine dhe Gregor Gizi"

Ja edhe gazeta e Këlnit KÖLNER STADTANZEIGER për këtë formacion të ri politik paraelektoral:

"Dy të dobët bashkohen me njëri-tjetrin, për t'u forcuar: partisë së socializmit demokratik, PDS i ofrohet shansi unikal për t'i shpëtuar getos si parti rajonale lindore dhe njëkohësisht traditës i fëmijë e Partisë Shtet Socialiste të Bashkuar. Ndërsa Alternativa Elektorale, në një masë të konsiderueshme një parti anti-socialdemokrate e sindikalistëve të zhgënjyer dhe e të majtëve të vjetër pa atdhe, mësoi në zgjedhjet në landin e Nordrajn-Vestfalisë se pa emra të njohur dhe organizatë të fuqishme do të jetë e vështirë të hyjë në parlament. Të dyja partitë paraqiten si avokate të të dobtëve."


Komentatori i STUTTGARTER NACHRICHTEN ndalet në paktin e aleancës së re të majtë:

"Nuk është për t'u cuditur që sorrat e kanë filluar që tani këngën e tyre. (Ish-kryetari i Partisë Socialdemokrate Gjermane,) Oskar Lafontaine dhe (politikani i PSD) Gregor Gizi kërkojnë të përfitojnë nga momenti për të përshpejtuar fundin politik të Shrëderit- në një pakt të cilit i mungon si stabiliteti programatik, ashtu edhe substanca personale. Më e vonta pas një suksesi elektoral do të dalë në pah qartë mungesa e strukturës dhe e konceptit të projektit. Atëherë mund të dalë në pah se sa e gabuar ishte që udhëheqjet partiake për mungesë kohe deri tani folën më shumë për parakushte juridike se sa për përmbajtje. Që kjo aleancë elektorale të ekzistojë për një kohë të gjatë, për këtë do të ishte mirë të mos lidheshin baste."

FRANKFURTER ALLGEMEINE ZEITUNG zbulon gjithashtu synimet e vërteta të organizatorëve të aleancës së re, në bazë të portretit të Lafontenit:

"...Duhet të jesh mjaft i verbër, që të mos shohësh se Lafonteni ndjek synime jo vetëm të stisura, por kryesisht egoiste: një hakmarrje personale te Shrëderi dhe një kthim në pushtetin politik. Që një ish-kryetar partie jo vetëm shpreh mllef, por e braktis krejtësisht partinë e tij dhe lufton madje hapur kundër saj, kjo e bën atë personalisht jo të besueshëm, aq më pak simpatik. Zgjedhjet në Bundestag do të tregojnë se kush ja blen Lafontenti rolin (iluminist) të një Luteri...Partia e re e majtë, edhe nëse nuk futet në Bundestag, do t'i japë kancelarit të dëmtuar rëndë goditjen e fundit, edhe nëse kancelarit, kundër të gjitha atyre që priten, do t'i lulëzonte në verën e vonë ndonjë pranverë e tretë."


Më e ashpër tregohet AACHENER ZEITUNG:

"Kjo aleancë e dy snobëve të cmendur për pushtet, të dashuruar me vetveten dhe jo më aq të rinj në moshë është një kapitull tjetër i cuditshëm për fleksibilitetin e aktorëve politikë. Sido që të jetë, Lafonteni dhe Gizi kanë të përbashkëta politike: njëri ia mbathi nga posti vetëm pas pak muajve si ministër federal i financave, kur puna u bë kritike, tjetri ia mbathi kur ishte senator i ekonomisë në Berlin. Të provuar mirë dhe të parë shpesh janë të dy në talk-show të ndryshme, në prezantime librash dhe në fusha të tjera të veprimtarisë retorike të jetës publike. Në një mënyrë pak a shumë të tillë do ta përjetojmë ne duetin e kuq Gregor&Oskar në fushatën për fat të mirë të shkurtër elektorale."