1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pasqyra e shtypit gjerman lidhur me fitoren e Jushçenkos dhe katastrofën në Azinë Juglindore

28 Dhjetor 2004

Gazetat gjermane fokusohen në suksesin e zgjedhjeve presidenciale në Ukrainë, si edhe në katastrofën me përmasa të jashtëzakonshme në Azinë Juglindore dhe mundësinë e minimizimit të saj në rast të ekzistencës së sistemeve paralajmëruese

https://p.dw.com/p/ArxP

Lidhur me katastrofën tronditëse në Azinë juglindore gazeta e Dyseldorfit "Handelsblatt" në komentin e saj thekson: "Temës së tronditjeve të shtresave tokësore shkenca ndërkombëtare i është përkushtuar prej kohësh. Në zonën e Paqësorit të njohur për tërmete të tilla, në Kaliforni, Japoni janë ngritur sisteme paralajmëruese rreziku, të cilat megjithëse në një hapësirë të kufizuar mundësojnë para katastrofavë që popullsia të evakuohet. Dhe kjo mund të arrihet edhe në pjesë të tjera të globit. Sigurisht që investime të tilla kërkojnë fuqi financiare. Por fakti që të prekurit nga katastrofa në këtë rast janë vetëm vendet e varfëra, mund të arsyetojë përmasat e dëmit, por në asnjë mënyrë nuk mund të jetë një justifikim. Teza e njohur, i varfri vdes shpejt dhe më herët prek jo vetëm rastet e katastrofave më spektakolare, por kap të gjithë spektrin e problemeve të Botës së Tretë."


Gazeta e Berlinit "Berliner Zeitung" thekson në kometin e saj, se sa më gjatë të ketë mbetur një rajon i paprekur nga tërmetet, aq më shumë akumulohet diçka e fuqishme, e cila dikur mund të shpërthejë në një katastrofë të paparë. Ju kushtohet shumë pak vëmendje njoftimeve, sipas të cilave, njëra anë e kraterit në ishullin e La Palmës në Spanjë rrezikon të rrëshqasë. Kjo do të thotë që rreth 500 kilometër kubikë masë gurësh të rrëshqasë si në një platformë direkt në oqean, gjë që do të shkaktonte dallgë apokaliptike. 100 metër të larta do të ishin dallget kur të takonin bregdetin afrikan dhe 20 metër të larta kur të mbërrinin në Florida. Ashtu si në Oqeanin Indian edhe në atë Atlantik nuk ka sisteme paralajmërimi për tërmetet e Sumatrës. Studimet e fundit veçse kërkojnë ngritjen e një sistemi të tillë. Megjithëse njeriu nuk e ka të mundur të mënjanojë katastrofa të tilla, ai të paktën mund të krijojë dijen dhe të komunikoje atë. Njeriu mundet së paku të minimizojë pasojat e katastrofave të tilla të jashtëzakonshme. Në Azi një sistem paralajmërues mund ti shpëtonte jetën mijera njerëzve.

Ndërrojmë temë. Gazeta e botuar në Mynih, "Süddeutsche Zaitung" komenton zgjedhjet në Ukrainë: "Në të vërtetë në Ukrainë bëhej fjalë për demokratizimin e shoqërisë dhe jo për një luftë mes Lindjes e Perëndimit, siç e sheh ate me sa duket shefi i Kremlinit, Vladimir Putin. Dëshminë më të rëndësishme për atë, se Vladimir Putin gabohet, e solli inteligjenca rusishtfolëse e Ukrainës. Para pak vitesh ajo e nderonte shefin e Kremlinit dhe kërkonte madje bashkimin e lindjes dhe jugut prorus me gadishullin e Krimesë me Rusinë. Por kjo kohë ka mbaruar. Shumë intelektualë në zonat e dominuara nga rusishtfolës janë të zhgënjyer nga fenomeni i putinizmit autoritar dhe përkrahin tanimë, Jushçenkon që flet kryesisht gjuhën ukrainase, sepse pikërisht ky ju ofron një perspektivë shoqërore."

Gazeta e Berlinit "die Tageszeitung" lidhur me zgjedhjet në Ukrainë shkruan: "Muajt e ardhshëm do të tregojnë, nëse Viktor Jushçenko
është i aftë dhe ka vullnetin që të marrë në dorë projektin e 'Ukrainës së re'. Ai është mjaft i zgjuar për të kuptuar se sa i madh është presioni ndaj tij, sepse tanimë vetë shkalla e pritshmërisë pas zgjimit të shoqërisë ukrainase është ngritur mjaft lart. Njëherë ai i ka zhgënjyer ukrainasit, kur në vitin 2002 njerëzit dolën në rrugë kundër Kutshmas dhe u etiketuan nga presidenti i ri si fashistë. Edhe të ashtuquajturin kompromis mbi ndryshimet në kushtetutë, të cilin do që ta çojë deri në fund jo vetëm Kutshma, nuk mund ta kuptojnë shumë ukrainas. Por me votën e tyre të së dielës ata treguan se i japin një shans të dytë Jushçenkos. Ai duhet të dijë ta justifikojë atë. Përndryshe mund të ndodhë që revolucioni ta humbasë shumë shpejt heroin e tij."

Gazeta "Frankfurter Rundschau" vë në dukje se Ukraina pas fitores së Viktor Jushçenkos, nuk do t'i ndryshojë ngjyrat e saj kombëtare të verdhë dhe blu. Për udhëheqjen ruse shteti 50 milionësh, një nga më të mëdhenjtë e kontinentit, do të mbesë një i huaj i afërt, por jo një vend tërësisht i huaj. Për evropianoperëndimorët do të mbesë një pjesë e mirë evropiane në skajet e Evropës, por ende jo një Evropë e mirëfilltë. Interesat e fqinjit të madh në veri dhe lindje mbesin po ato që ishin: ekonomike, politike, dhe historike dhë në tërësinë e tyre mjaft intensive. Në Ukrainë ka ndodhur më shumë. Aty është shfaqur një forcë, e cila pas rënies së komunizmit nuk ishte paraparë kështu. Kjo është forca e popullit. Ngjyra e simbolit të saj është portokallia. Dhe kjo nuk do të shuhet shumë shpejt.