Pasqyra e shtypit gjerman 25. mars 2006 | Studimi në Gjermani | DW | 25.03.2006
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Studimi në Gjermani

Pasqyra e shtypit gjerman 25. mars 2006

Minsku nuk është Kievi... Opozita në Minsk ishte që në fillim më e dobët se ajo në Kiev. Asaj i mungonin figurat simbolike dhe edhe ndihma nga Perëndimi nuk ishte profesionale. - shkruan në analizën e saj për përfundimin e zgjedhjeve dhe protestat e opozitës në Bjellorusi gazeta "Der neue Tag" që botohet në Weiden.

Takimi i Brukselit

Takimi i Brukselit

Kjo temë trajtohet gjërësisht në shtypin e sotëm gjerman. Gazeta "Badische Zeitung" trajton rolin e presidentit rus Vladimir Putin në këtë mes:

"Nuk shkon që Vladimir Putini i mbështet kaq qartësisht krahët dikatorit bjellorus, pas zgjedhjeve jodemokratike. A nuk është presidenti rus ai që kundrejt miqve të tij në perëndim thekson se sa e ndjen veten të detyruar për demokracinë? Nga ai duhet kërkuar ta mbajë këtë fjalë dhe të bashkëpunojë për zgjidhjen e problemit në Bjellorusi. Por edhe sikur të angazhohet edhe Putini, askush nuk ka pse të presë ndonjë çudi. Shtetet e tjera të ish-BS as që kanë mundur ta përballonin kthesën. Do të duhen vite të tëra që shtete të tilla si Bjellorusia, e cila ka kushte më të mira, të mund të zhvillohet në një shtet demokratik.

Gazeta "Hannoversche Allgemeine Zeitung" e vë theksin tek roli që mund të luajë BE-ja për demokratizimin e Bjellorusisë:

"Gjatë javëve të ardhshme fryma kundër Lukashenkos do të jetë më e ashpër. Në takimin e tyre të pranverës kryetarët e qeverive dhe të shteteve të BE-së ranë dakord për të ndjekur një kurs më të ashpër ndaj krerëve bjellorusë. Lukashenko dhe bashkëpunëtorët e tij do të jenë në të ardhmen persona të padëshiruar në perëndim. SHBA-të shkuan madje edhe një hap më tej duke deklaruar edhe marrjen e sanksioneve financiare. Por në rast se bjellorusëve duhet t'u ofrohet një shanc për të jetuar në liri, këto nuk mjaftojnë. Opozita dhe OJQ-të duhet të jenë të sigurta për mbështetjen e BE-së. Se ç'formë mund të ketë kjo mbështetje e tregoi kryeministri polak Kazhimjesh Marçinkiewiç, i cili deklaroi se të gjithë studentët bjellorusë që kërcënohen të përjashtohen prej universitetit për shkak të protestave, mund t'i përfundojnë studimet e tyre në Varshavë. Kjo do t'ju japë zemër disave që të vazhdojnë të luftojnë për të drejtat e tyre.

Në qendër të takimit të pranverës së 25 kryetarëve të qeverive dhe të shteteve të BE-së nuk ishin vetëm zhvillimet në Bjellorusi, por në radhë të parë gjendja ekonomike e Evropës. Ja se ç'shkruan për përfundimin e takimit "Märkische Allgemeine" (Potsdam):

"Takimi i BE-së nuk përmbushi asnjë prej shpresave. Gjashtë vjet pas programit ambicioz për arritjen e një hovi ekonomik që do ta çonte BE-në në krye botës, të kujtohet babai i perëndive Zeusi, i cili e la virgjëreshën Evropë në ishullin e Kretës duke i premtuar asaj një jetë të mirë. Asnjë prej këtyre premtimeve nuk u realizua. Takimi i Bruselit ishte më tepër se kurrë një kërkim ndaj asaj që na bashkon dhe atyre që gjithësecili mund t'i bëjë më mirë vetë. Evropës i duhet sërish që të ridefinohet. Dhe në këtë mes ka dallime të pakapërcyeshme. Dhe për sa kohë gjendja është e tillë, atëhere kushtetuta do të ishte po kaq e gabuar sa edhe zgjerimi i verbër, sepse BE-ja në fund nuk do të jetë e bashkuar prej vlerave të përbashkëta, por prej fondeve për ndihmat dhe subvencionet."

Gazeta "Nürnberger Nachrichten" nuk është aq kritike ndaj takimit të pranverës së BE-së në Bruksel:

"Megjithë kritikat nuk duhet të anashkalohet fakti që takimi i nivelit të lartë solli edhe disa përparime. Qëllimi për të krijuar çdo vit dy milionë vende të reja pune nuk është gjë tjetër vetëm se një dëshirë. Por premtimi për t'i rritur në 3% të prodhimit bruto të vendit shpenzimet për shkencën dhe shkollimin është një hap i rëndësishëm. Tek e fundit shtetet e BE-së mund t'u kundërvihen sfidave të globalizimit vetëm në rast se i përdorin me zgjuarsi për zgjerimin e shoqërisë shkencore dhe teknologjike mjetet që kanë në dispozicion. Ky është edhe thelbi i mënyrës se si mund të sigurohet mirëqenia në Evropë."


  • Data 25.03.2006
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Arqk
  • Data 25.03.2006
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Arqk