1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Parisi nën ethet e trazirave

Stefani Markert7 Nëntor 2005

Presidenti francez Zhak Shirak deklaron, se rivendosja e rendit do të jetë prioriteti kryesor i qeverisë. Cilët janë ata që po mbajnë Francën nën ethe?

https://p.dw.com/p/Aqhu
Fotografi: AP

Fundjava e zezë, kështu u emërtua shkallëzimi i dhunës pas më shumë se dhjetë ditëve në periferitë e Parisit. Në fundjavë kjo valë përfshiu edhe qytete të tjera. Sipas të dhënave të policisë gjatë natës në fundjavë u është vënë zjarri mbi 500 makinave. Trazirat natën duke gdhirë dita e dielë arritën deri në qendër të Parisit, ku u është vënë zjarri maikinave dhe janë dëmtuar dyqane, e madje edhe një shkollë. Pronari i një dyqani të shkatërruar kërkon që të mobilizohet ushtria: "Ne ndodhemi në luftë. Duhet të angazhojmë ushtrinë. Nuk ka zgjidhje tjetër. Tani që po më filmojnë edhe kamerat dhe do të ma njohin fytyrën aq më keq, do të vijnë të më rrahin."

Të rinjtë që ushtrojnë dhunë janë të nxitur edhe më shumë për vazhdimin e trazirave pas deklaratës së ministrit të brendëshëm Nikola Sarkozi: "Këtë e bëjmë për shkak të Nikola Sakozisë dhe shprehjeve të tij. Ai do të bëjë spastrime, por ne nuk jemi llum. Kjo që po ndodh është si në majin e vitit 1968. Po përsëriten të njëjtat ngjarje", thotë një i ri.

Në të vërtetë vala e parë e dhunës së francezëve me prejardhje nga Afrika e Veriut daton në vitet tetëdhjetë. Por shteti francez ka dështuar me sa duket në integrimin e këtyre shtetasve dhe nuk ka nxjerrë mësimet e duhura nga ajo kohë. Faktikisht të rinjtë francezë me prejardhje arabe jetojnë nëpër geto. Ministri i brendëshëm, Nikola Sarkozi i ka quajtur ata "llumi". Socilogët thonë që këta të rinj nënvleftësohen. Por cilët janë ata që po djegin makina e dyqane nërpër lagjet periferike të Parisit?

"Seine-Saint-Denis - kjo është bombë, bebi". Një këngë e bukur rep, thotë Isa, i cili banon në qarkun Seine-Saint-Denis, në periferinë veriore të Parisit. Afrikani me ngjyrë është i gjatë, elegant dhe mban një kapuç në kokë. 20 vjeçarin e marrin më shumë për një adoleshent. Isa tregon për jetën e vet: "Unë nuk bëj asgjë. Kam mbaruar shkollën përpara tri vjetësh dhe tani s´kam as ndonjë kurs profesinal dhe as punë. Kam qenë në zyrën e punës. Dhe herë pas herë kam kryer punë sezonale. Nga reformat e punës që shohim në televizion ne nuk përfitojmë asgjë. Ndër 50 të papunë, ndoshta ndonjeri gjen diçka. Por 49 të tjerët? Ne kërkojmë, kërkojmë, kërkojmë dhe nuk gjejmë asgjë."

Isa nuk ka asnjë asistencë, ai jeton duke u marrë nëpër rrugë me biznese dhe tregti ilegale. Në këtë mënyrë gjithnjë funksionon. Kjo kuptohet edhe nga veshja e tij sipas modës me ngjyra bardhë e zi: "Prindërve nuk u kërkoj më para. Ata kanë të ardhura të pakta dhe me to u duhet të paguajnë qeranë dhe të ushqehen. Atletet që kam veshur kushtojnë 150 euro, po aq kushton edhe xhupi me kapuç. Këto i paguaj me para të zeza. Nëse do t´mi blinin prindërit këto rroba atëherë ata do të mbeteshin pa ngrënë."

Isa ka tre vëllezër dhe tre motra. Prindërit e tij janë nga Mali. Ai vet ka lindur në Francë dhe ka pasaportë franceze. Por ai është i zhgënjyer: "Nuk më pëlqen qëndrimi që mbajnë të tjerët kundrejt nesh. Nuk kanë besim dhe nuk na pranojnë. Ata thonë, se ne nuk jemi francezë dhe nuk duan të kenë të bëjnë me ne. Ndaj ata mblidhen në qoshen e tyre dhe ne në tonën."

Isa tregon pallatet shumëkatëshe të lyera ngjyrë bezhë. Kjo është qyteza, territori i tij. 3000 apartamente ndodhen këtu. Në këtë zonë netët ziejnë prej trazirave. Disa aksione revolte duhen, mendon Isa, por ai nuk është dakord me gjithë këto trazira:"Të qëllojmë policinë me gurë, këta jemi ne. Të djegim makinat pranë´ndonjë komisariati, të hedhim ndonjë bombë molotov, këta jemi ne. Por unë nuk jam dakord të digjen shkolla dhe kopshte, kjo është marrëzi. Njerëzit që i kanë vënë zjarrin këtu një fabrike, nuk e kuptojnë, se në fund të fundit atje ka punë për ne."

Isa e di, se të rinjtë me orgjinë e dhunës që po ushtrojnë tani e kanë humbur simpatinë. Por ai vazhdon turin e tij në zona të tjera. Prindërve u thotë, se po shkon tek miqtë apo të afërmit. Ai ka dalë në rrugë jo për aksidentin vdekjeprurës të bashkëmoshatarëve të tij, që përflitet se ishin viktima të policicë. Ajo që e ka nxitur atë më shumë për të marrë pjesë në trazira është granata me gazlotësjellës e hedhur nga policia në një xhami. E për këtë figura kryesore është ministri i brendëshëm francez, Nikola Sarkozi: "Ai thotë se do të pastrojë gjithçka këtu nga llumi, qelbësirllëku dhe metastazat e kancerit. Këto deklarata nuk mund t´i pranojmë. Ai vjen këtu dhe na provokon."

Po kështu bën edhe policia, ajo është në rregull, për aq kohë sa nuk ka përforcime, por ata na provokojnë, na shtyjnë dhe na filmojnë me kamera të fshehta, thotë Isa: "Ne duam t´i tregojmë qeverisë, se na ka ardhur në majë të hundës me Francën dhe ligjet e saj, prej të cilave ne jemi gjithnjë në shënjestër të policisë."

Isa nuk beson tek planet për restaurimin e kësaj lagjeje të rrënuar të qytetit. Po të bëhet kjo do të na rritet qeraja. Ai madje s´u beson as planeve të emergjencës, tek e fundit problemet e periferive nuk janë zgjidhur qysh prej 30 vjetësh.

Por a do të heqë dorë Isa nga vjedhja nëse gjen punë?

"Edhe po të kem punë do të vazhdoj, por më pak, sepse njeriut i duhen paratë. Por edhe nëse ne kemi punë do të vazhdojnë më të rinjtë. Shteti duhet t´i ndihmojë ata."

Qëllimi kryesor që ka tani Isa është që të mos e kapë policia. Drejtuesit e tij kanë bërë thirrje për qetësi. Imazhi i këtij departamenti nuk duhet të dëmtohet më shumë. Ai thotë, se ndoshta do të vazhdojë edhe ndonjë ditë me trazirat, por në kuartierin e tij e kanë vendosur të tërhiqen. Ai mendon tani, se çdo të bëjë fundjavën e ardhëshme: do të shohë futboll dhe do të shkojë të kërcejë. Ai mendon edhe për zanatin e ëndërruar: afrikani dëshiron të bëhet konstruktor i impanteve të ftohjes, por tani për tani duhet të ftohen gjakrat e nxehura në Francë.