Përse duhej të vdiste i riu hebre, Ilan Halimi? | Politika | DW | 27.02.2006
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Politika

Përse duhej të vdiste i riu hebre, Ilan Halimi?

Krimi ndaj 23 vjeçarit hebre, Ilan Halimi, ka tronditur Francën: Tri javë me radhë një bandë, e cila e quan veten "barbarët", e keqtrajtoi në mënyrën më brutale, derisa Halimi vdiq

Hyrja e djegur e një sinagoge, Francë

Hyrja e djegur e një sinagoge, Francë

Ceremoni mortore për francezin 23 vjeçar me prejardhje hebraike, Ilan Halimi nga lagjja Bagneux e Parisit, viktimë e një vrasjeje të tmerrshme me anë të torturës nga një bandë që punonte me shantazh. Për t'i bërë Ilanit nderimet e fundit në sinagogën kryesore të Parisit ka ardhur gjithë kreu i shtetit francez, klerikë të krishterë e myslimanë. Kryerabini Joseph Sitruk: "Kur mendoj për Ilanin, atëherë sytë e tij janë të mitë, janë tanët, trupi i tij është i yni, britmat e tij janë tonat, frika e tij është jona."

I dyshuari kryesor i bandës është kapur ndërkohë në Bregun e Fildishtë. Franca pret që ai të ekstradohet. 25 vjeçari nga një familje imigrantësh ka pohuar t'a ketë zgjedhur Ilanin për arsye të besimit të tij, për të nxjerrë me shantazh më shumë para. Motivet antisemitiste, për të cilat e akuzon prokuroria, ai i mohon.

Arrestimi i tij i ka lehtësuar të prekurit. E ëma e Ilanit: "Ishim në varreza. Besoj se Ilani ka bërë diçka për vendosjen e drejtësisë. Nuk mund të ketë rrethana lehtësuese për këta kriminelë. Një krim si ky nuk guxon të përsëritet, sepse ai nuk është i denjë për Francën e as për ndonjë vend tjetër. Askush nuk meriton një vdekje të tillë, pavarësisht ngjyrës së tij të lëkurës apo besimit."

Prandaj kryeministri de Villepin u ka dhënë një premtim të rëndësishëm qytetarëve të tij gjatë një takimi të bashkësisë hebraike të Francës: "Ne i kemi borxh të vërtetën familjes së Ilanit dhe të gjithë francezëve."

Në lagjet e Parisit, ku jetojnë së bashku hebrenj, myslimanë dhe të krishterë, Ilani përbën prej ditësh temë bisedimi. Një kasap i ritit hebraik tregon: "Fëmijët e mi i shpie në një shkollë hebraike. Unë vetë kam shkuar në shkollë laike, bashkë me fëmijë arabë. Ishim të gjithë njëlloj. Por sot kjo nuk është më e mundur. Të rinjtë në shkollat jofetare nuk respektojnë as mësuesit e tyre, si atëherë të respektojnë besimet e tjera? Ata janë agresivë, në fillim me fjalë e pastaj me duar e prerje."

Trazirat e fundit në periferitë e qyteteve e vërtetuan plotësisht klimën shpërthyese, por statistikat zyrtare flasin një gjuhë tjetër: Vitin e kaluar veprat penale antisemitike në Francë kanë rënë me gati 50 për qind. Megjithatë në krimet me motive racore antisemnitiztmi është mbizotërues. Në Francë jetojnë pak më shumë se gjysmë milion qytetarë të besimit hebraik. Pas Shteteve të Bashkuara të Amerikës kjo është bashkësia e dytë më e madhe hebraike jashtë Izraelit.

  • Data 27.02.2006
  • Autor Stefanie Markert
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Aqqo
  • Data 27.02.2006
  • Autor Stefanie Markert
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Aqqo