Për hetimin e mundësive diplomatike të Gjermanisë dhe të BE-së | Gjermania | DW | 30.11.2006
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Për hetimin e mundësive diplomatike të Gjermanisë dhe të BE-së

Vizita e ministrit të jashtëm gjerman në Lindjen e Afërme

Frank-Walter Steinmeier

Frank-Walter Steinmeier

Ministri gjerman i punëve të jashtme Frank-Walter Steinmeier udhëton sot në Lindjen e Afërme. Stacione të vizitës së tij katërditore janë Jordania, territoret palestineze, Izraeli dhe Libani. Steinmeier do të vizitojë gjithashtu marinën gjermane, e cila në kuadër të trupës së Kombeve të Bashkuara UNIFIL kontrollon bregdetin libanez. E hapur mbetet mundësia e një vizite të ministrit të jashtëm në Siri.

Armëpushimi në Rripin e Gazës, oferta e fundit e kryeministrit izraelit Ehud Olmert për palestinezët: udhëtimi i Steinmeierit ndodh në një kohë kur regjistrohet përsëri pak lëvizje në frontet e ngrira të konfliktit të Lindjes së Afërme. Rifillimi i bisedimeve politike duket së paku i mundur dhe plani i paqes i kuartetit të Lindjes së Afërme, i ashtuquajtura road map, mund të shërbente në këtë rast si bazë për negociatat. Se sa realiste janë këto shpresa, këtë ministri i jashtëm gjerman do ta mësojë gjatë udhëtimit të vet katërditor në rajon.

Janë planifikuar takime me presidentin palestinez Mahmoud Abbas, me ministren e jashtme izraelite Zipi Livni dhe me kryeministrin libanez Fuad Siniora. Nga bashkëbiseduesit e tij Frank-Walter Steinmeier do të dijë edhe se ç'pritje kanë ata kundrejt evropianëve dhe ç'rol mund të luaj në muajt e ardhshëm Bashkimi Evropian si pjesë e kuartetit të Lindjes së Afërme. Këto njohuri do të përcillen më pas në kryesinë gjermane të radhës në Bashkimin Evropian, e cila nis pas katër javësh.

Shumicën e bashkëbiseduesve të tij Steinmeier i njeh ndërkohë personalisht, sepse që prej marrjes së detyrës Lindja e Afërme është rajoni që ai ka vizituar më shpesh. Por një të re mund të ketë udhëtimi i tij i gjashtë në Lindjen e Afërme: ka gjasa që ministri i jashtëm të shkojë në Siri, pasi në muajin gusht ai vendosi brenda një kohe të shkurtër të mos e vizitonte Damaskun. Atëherë presidenti sirian Assad kishte lavdëruar në një fjalim publik Hisbollahun dhe kishte silmuar Izraelin. Kjo përbënte një arsye të mjaftueshme për Steinmeierin që të kthehej menjëherë mbrapsht, megjithëse parimisht është i mendimit që:

"... pjesë e një stabilizimi të qëndrueshëm është edhe roli konstruktiv i Sirisë. Se a e pranon dhe e plotëson këtë rol Siria, kjo duhet të vendoset në Siri."

Çështja nëse ministri i jashtëm do të vizitojë edhe Sirinë në përfundim të udhëtimit të hënën e ardhshme do të vendoset në rrugë e sipër. Në hapje Steinmeieri merr pjesë në konferencën e ministrave të jashtëm të G8-ës në Jordani me homologët nga Lindja e Afërme dhe nga Afrika. Ai do të takohet atje ndër të tjera me ministren e jashtme amerikane Condoleezza Rice, e cila nga ana e saj po zhvillon bisedime në rajon. Është parashikuar edhe një vizitë e Steinmeierit tek ushtarët e marinës gjermane, të cilët që prej tetorit patrullojnë nën mandatin e Kombeve të Bashkuara bregdetin libanez.

  • Data 30.11.2006
  • Autor Nina Werkhäuser
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/AqyT
  • Data 30.11.2006
  • Autor Nina Werkhäuser
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/AqyT