301109 EU-China Gipfel
1 Dhjetor 2009Kina dhe Bashkimi Evropian e shohin të ardhmen e tyre kryesisht në bashkëpunim në çështjet e klimës. Politikanë të lartë të dy blloqeve demonstruan në samitin e Nanxhingut unitet. Kryeministri Wen Jiabao:
"Presidenti i radhës së BE-së Reinfeld dhe unë ramë dakord që të mbështesim disa projekte në fushën e teknologjisë ekologjike, industrisë së gjelbërt".
Kina do të ulë emetimin e dioksidit të karbonit
Wen Jiabao do të vizitojë konferencën për klimën në Kopenhagë. Para disa ditësh vendi i tij paralajmëroi disa objektiva për klimën. Republika e Kinës deri në vitin 2020 do të zbresë emetimin e dioksidit të karbonit në raport me prodhimin e brendshëm bruto në kuotën 45%, nën nivelin e 2005. Këto të dhëna dallojnë nga shifrat e përgjithshme të BE-së dhe do të thonë se emetimi i gazrave të dëmshme kineze do të rritet edhe për një kohë të gjatë.
Megjithatë Komisionerja për Politikën e Jashtmë të BE-së, Benitta Ferrero-Waldner thotë:
"Kina për herë të parë përmend objektiva. Kjo është e mirë dhe e rëndësishme, por ne natyrisht dëshirojmë që Kina të vazhdojë rrugën e nisur. Andaj ne shpresojmë që në Kopenhagë do të shohim edhe një hap tjetër të Kinës".
Kryetarin e Dhomës Evropiane të Tregtisë në Kinë, Jürg Wuttke nuk e befason fakti që Kina vazhdoi të këmbëngulë në rrugën e saj edhe në konferencën e Nanxhingut, në mënyrë që të mund t'u sigurojë më shumë mirëqënie 1,3 miliardë njerëzve. Megjithatë ai shpreson se gjendja do të ndryshojë në aspektin afatgjatë.
Rezerva të evropianëve për politikën monetare kineze
Një çështje tjetër e diskutuar në samitin e Nanxhingut ishin mosmarrëveshjet në mes BE-së dhe Kinës për vlerën e monedhës kineze, juan. Wuttke:
"Pala kineze e bëri të qartë se është e drejtë sovrane e saj që të vendosë për monedhën e saj. Unë nuk e besoj se është arritur diçka e madhe në këtë drejtim. Megjithatë e rëndësishme është që evropianët shprehën rezervat dhe problemet e tyre. Nuk e besoj që dikush të jetë aq naiv sa të ketë besuar që pas kësaj Kina do të ngrejë vlerën e monedhës e saj, Renminbi. Por unë besoj që është me rëndësi që Kina të dëgjojë se çfarë problemesh kemi ne. Nga fillimi i vitit euroja e ka shtuar vlerën me 15 përqind në krahasim me juanin kinez, ndërkohë që ne jemi një zonë me zhvillim zero, ndërsa Kina ka shënuar rritje prej tetë përqind", tha Wuttke.
Autor: Astrid Freyesen/ Ina Verbica
Redaktoi. Auron Dodi