1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Në Greqi kryhen për herë të parë dy martesa homoseksualësh

Niko Anagnosti/ Athinë3 Qershor 2008

Ne Greqi u zhvilluan sot dy martesat e para midis homoseksualeve. Aktet martesore civile u kryen nga kryetari i Bashkisë së një ishulli të Egjeut, i cili eventualisht do të ndiqet penalisht për shkelje të ligjit

https://p.dw.com/p/EBwl
"...tani mund ta puthësh nusen."
"...tani mund ta puthësh nusen."Fotografi: AP

“Dikush duhet të bëjë fillimin”. Kështu përgjigjet komuniteti i homoseksualeve të Greqisë, i cili sot në mëngjes, me dy martesat e para civile në bashkinë e ishullit Tillo të Egjeut, shënoi fitoren e tij të parë kundër një qëndrimi tabu nga ana e shtetit grek që ndalon martesat midis dy personave të të njëjtit seks. “Jemi të gjithë shumë të gëzuar, pasi bëjmë hapa në drejtim të asaj që ne i quajmë të drejtat e njeriut dhe që në Greqi lenë shumë për të dëshiruar” thotë njëra nga të porsamartuarat, Evangjelia Vllami. “Këtu argëtimi do të vazhdojë për ditë të tëra”, thotë përfaqësuesi i Homoseksualëve, Grigoris Valanatos, që ashtu si shumë pjesëtarë të tjerë të këtij komuniteti vajtën në ishull për dy martesat, midis dy meshkujve dhe dy femrave, por edhe për të përgëzuar dhe nderuar nga afër dhe kryetarin e bashkisë Tasos Aliferis. Ai iu përgjigj pozitivisht kërkesës së tyre duke injoruar jo vetëm reagimet e shoqërisë dhe kishës, por edhe paralajmërimin e prokurorit të Gjykatës së Lartë, Arios Pagos, për shkelje të ligjit dhe ndjekjen penale eventuale të tij.

Prokurori i Gjykatës së Lartë kërkon hapjen e procedures penale

“Prokurori ka mundësi të apelojë për shfuqizimin e martesës”, thotë avokatja Glegle, nga kundërshtaret më të apasionuara të një akti të tillë martesor, në të njejtën frekuencë me prokurorin e Gjykatës së Lartë, Jorgos Sanidas, që duke iu referuar dhe nenit 21 të Kushtetutës për familjen dhe martesën kërkoi me shkresë të posaçme hapjen e procedures penale kundër kryetarit të bashkisë dhe sigurisht anulimin e martesës. Juristët ndërkohë theksojnë se dispozita e Kodit Civil, që parashikon premisat për kryerjen e martesës civile, nuk i referohet seksit të ndryshëm të të kurorëzuarve. “Ndalimi i martesës përbën një akt që prek bërthamën e të drejtave të njeriut”, deklaroi kryetari i Bashkisë Aliferis, nga kuadrot e opozitës socialiste, që duke sjellë akoma edhe shembullin e figurave të shquara homoseksuale të antikitetit u shfaq i vendosur për të mbrojtur legjitimitetin e aktit të tij.

Greqia hedh një hap drejt modernizimit të legjislacionit

Zaret u hodhën pra për martesat e homoseksualëve, që thuhet se do të pasojnë dhe në shumë bashki të tjera që drejtohen nga kuadro të së djathtës në pushtet, për të mbajtur afër elektoratin homoseksual. Greqia hedh kështu një hap drejt domosdoshmërisë së modernizimit të legjislacionit të saj, që në vende të tjera evropiane është kryer me kohë dhe është sanksionuar dhe me rezolutën 94 të Parlamentit Evropian. Kjo rezolutë kërkon legalizimin e martesave homoseksuale dhe dhënien fund të çdo diskriminimi kundër tyre.