1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Nuk jemi partia e të rinjve e askujt!

Ralf Bosen2 Dhjetor 2006

Kongresi i partisë së të gjelbërve në Köln

https://p.dw.com/p/AqyR
Kryetarja e Partisë së Gjelbër gjermane, Claudia Roth
Kryetarja e Partisë së Gjelbër gjermane, Claudia RothFotografi: AP

Nën moton "më gjelbër, më mirë!" të gjelbrit gjermanë janë takuar në Köln në kongresin e partisë. Për tre ditë rresht ata do të këshillohen dhe diskutojnë mbi kursin e ardhshëm të politikës së tyre. Në qendër është rizgjedhja e kryesisë së partisë në rang federal dhe e këshillit të partisë. Gjatë ditës së parë të punimeve prioritet pati përmbajtja.

Një vit pas ndarjes nga përgjegjësia qeveritare të gjelbrit gjermanë janë përfundimisht opozitë. Por në sallat e panairit të Kölnit nuk mbizotëron nostalgjia për ndikimin e humbur në politikën e vendit, përkundrazi vështrimi hidhet përpara. Kështu kryetarja e partisë Claudia Roth theksoi në fjalimin e saj në fillim të punimeve sukseset e arritura dhe profilin e partisë: "Ne të gjelbrit kemi bërë të qartë këtë vit se nuk jemi shtojca, nuk jemi partia e të rinjve e askujt. Ne nuk jemi as sigurues maxhorance për një kthim mbrapa neoliberal-konservator që kërkon energjinë bërthamore, bën politikë kundër të drejtave të qytetarit, kërkon një epokë akulli neoliberale. Të dashur shoqe e shokë, me të gjelbrit kjo nuk do të ndodhë."

Të gjelbrit kërkojnë të rikthehen në rrënjët e tyre. Kompetenca kryesore, është togfjalëshi që dëgjohet më shpesh në kongresin e partisë. Fjala është për një kthim në virtytet dhe temat tradicionale të të gjelbërve. Pikët duhet të arrihen në të ardhmen para së gjithash me një politikë më radikale për mbrojtjen e ambjentit dhe klimës. Edhe për të bërë kontrast me partitë e tjera që kanë bërë të vetat temat e ambjentit. Përse të kënaqesh me kopjen kur mund të kesh origjinalin? - ky është mesazhi i të gjelbërve.

Të gjelbrit kërkojnë të profilizohen jo së fundi edhe në çështjet ekonomike, të ndërgjegjshëm se në këtë drejtim ka vend për përmirësim, siç u theksua edhe nga kryetari i grupit parlamentar të të gjelbërve në Bundestag, Fritz Kuhn: "Nëse në sondazhe pyetet mbi kompetencën në çështjet ekonomike pikët kryesore i marrin liberalët dhe kristiandemokratët, ne thuasje asnjë. Për mua është e patolerueshme që kompetenca në çështjet ekonomike e mbledhur nga partia e gjelbër në nivel komunal, landesh dhe në parlament gjatë viteve të fundit ende nuk është e qartë për opinionin publik."

Shqetësim në kongres shkaktoi një kërkesë e cila ka të ngjarë të çojë në një rishikim kritik të punës së ish ministrit të jashtëm Joshka Fisher. Disa të gjelbër kanë kërkuar që një komision ekspertësh të shqyrtojë politikën e jashtme dhe atë të sigurisë gjatë qeverisjes së koalicionit kuq e gjelbër. Një propozim i cili nuk është përshëndetur nga të gjithë delegatët.

"Unë personalisht mendoj se nuk ka kuptim të flasim sërish për Fisherin. Thjesht duhet të diskutojmë mbi të ardhmen dhe të shohim se si do të veprojmë më tej." - thotë një i deleguar.

Një tjetër delegate u bashkua me këtë mendim: "Parimisht do të thoja se nuk është e nevojshme të shohim prapa përkundrazi duhet të hedhim vështrimin përpara."

Ndërkohë një tjetër mendon se një vështrim kritik prapa është me vend: "Sigurisht nuk bëhet fjalë për të denigruar Joschka Fisherin. Pyetja që shtrohet është se çfarë ndodh me një parti në qeveri dhe cilat kanë qenë rastet e oportunizmit. Kjo do të luajë me siguri një rol."

Kështu hija e ish patriarkut të partisë Joschka Fisher ka errësuar kongresin e të gjelbërve në Köln megjithëse ai është tërhequr nga jeta politike aktive.