Një ″Po″ e lehtë dhe një ″Nëse″ gjithnjë e më e fortë | Evropa | DW | 27.10.2006
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Një "Po" e lehtë dhe një "Nëse" gjithnjë e më e fortë

Vendimi për anëtarësimin e Bullgarisë dhe Rumanisë në Bashkimin Europian në 1 janar 2007 është marrë që në shtator. Tani duhet vetëm që ai të ratifikohet nga anëtarët e BE-së çka është në fakt vetëm një procedurë formale

Rumania dhe Bullgaria prej 1 janarit 2007 në BE

Rumania dhe Bullgaria prej 1 janarit 2007 në BE

Miratimi nga parlamenti gjerman nuk ishte i tillë këtë herë pasi paraprakisht u dikutua me zjarr mbi klauzolat mbrojtëse në çështje të drejtësisë dhe ato ligjore. Mundësia e klauzolave të tilla ekziston nëse Bullgaria dhe Rumania nuk vënë në jetë premtimet e tyre për përmirësime në këto fusha. Kësaj i shtohet edhe fakti që pjesa më e madhe shteteve anëtare të BE-së nuk janë të gatshme të hapin tregjet e tyre të punës për bullgarët dhe rumunët. Të gjitha këto të lënë të mendosh se bashkësia e shteteve europiane nuk po i përshëndet anëtarët e rinj aq miqësisht sa dhjetë të tjerët në zgjerimin e fundit.

"Po"-ja thënë gojëplot Bullgarisë dhe Rumanisë është shndërruar prej kohësh në një "Po" me zë të ulët shoqëruar nga rezerva të shprehura me zë gjithnjë e më të lartë. Të paktë janë tashmë ata që do ta cilësonin ende si "ditë të madhe për Europën" samitin e BE-së në fund të vitit 2002 ku u dha premtimi i pakthyeshëm për anëtarësim, si dikur koalicioni kuq e gjelbër. Konservatorët gjermanë e kishin parë këtë që në fillim me më shumë realizëm: pranimi i Bullgarisë dhe Rumanisë ishte vetëm çështje kohe, alternativë tjetër nuk kishte. Ndërkohë duket se xhaketa që Bashkimi Europian ka zgjedhur vetë ka filluar t'i rrijë atij shumë ngushtë.

Shumë gjëra njëkohësisht nuk kanë rrjedhur ashtu si e kishin përfytyruar kryetarët e shteteve dhe qeverive: Bullgaria dhe Rumania i kanë ndërmarrë me shumë ngurim reformat e kërkuara në fushën e drejtësisë. Veç kësaj lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar janë ende shumë prapa pritjeve të Brukselit. Këtu po përmenden vetëm dy nga pikat më të rëndësishme. Për këtë arsye kujdesi, pra ajo ndajfolja "nëse" që BE kërkon të përfshijë në marrëveshjet e anëtarësimit, është me vënd. Nuk duhet që një premtim pranimi të kuptohet si pasaportë hyrjeje dhe që pastaj muajt e ardhshëm anëtarët e rinj të rrinë duarkryq.

Por kjo "nëse" qëndron tani si shpata e Damokleut mbi anëtarësimin: ngurrimet e reja ndëshkohen nga Brukseli me klauzolat mbrojtëse, si p.sh. mosnjohja e vendimeve të gjykatave rumune dhe bullgare nga vendet e tjera të BE-së.

Bullgaria dhe Rumania nuk janë megjithatë të vetmet vende që nuk kanë plotësuar objektivat e vënë: anëtarët aktualë të BE-së rregjistrojnë ende shifra të larta papunësie. Prej 1 janarit të vitit të ardhshëm shumë bullgarë dhe rumunë mund të vihen në kërkim të punëve të paguara më mirë në Gjermani apo vende të tjera të BE-së, një ëndërr e keqe për anëtarët e BE-së. Që në raundin e fundit të zgjerimit shumë vende ia arritën të miratoheshin afate që pezullojnë deri në vitin 2011 rregullin e përgjithshëm sipas të cilit çdo qytetar europian ka të drejtë të kërkojnë punë në secilin prej vendeve të BE-së. Afate të tilla kanë kërkuar sërish anëtarët aktualë - deri në 2012.

Raundi i madh i zgjerimit dy vjet më parë bëri të qartë një gjë: etiketa "anëtarësi" nuk do të thotë më arritje e një pozicioni të barabartë me vendet e tjera të BE-së. Në rastin e Bullgarisë dhe Rumanisë për shkak të monitorimit shtesë bëhet një hap përpara drejt "anëtarësimit të lehtë". Shumëkush në Sofje dhe Bukuresht mund të revoltohet me këtë pasi këto vende janë vetëm pjesërisht fajtore për mos plotësimin e objektivave. Megjithatë asgjë nuk ka për të ndryshuar. Trysnia ndaj pushtetarëve për të çuar vendin përpara do të jetë e njëjtë. Dhe në fund të fundit ajo është në interes të qytetarëve.

  • Data 27.10.2006
  • Autor Klaus Dahman
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Ar9t
  • Data 27.10.2006
  • Autor Klaus Dahman
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Ar9t