1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Nekrologjia e publicistit dhe politikanit gjerman Gynter Gaus

Thorsten Gabriel17 Maj 2004

Pas një sëmundje të gjatë vdiq në moshën 74 vjeçare publicisti dhe politikani gjerman Gynter Gaus

https://p.dw.com/p/Ar6g
Publicisti dhe politikani gjerman Gynter Gaus
Publicisti dhe politikani gjerman Gynter GausFotografi: AP

Një prej ndërmjetësuesëve më të rëndësishëm në mes të shteteve gjermane, Gynter Gaus, nuk është më në mesin e të gjallëve. Publicisti, dikur përfaqësuesi i përhershëm i Republikës Federale në Republikën Demokratike Gjermane dhe kryeredaktor i revistës "Spiegel" vdiq të shtunën natën, pas një sëmundje të gjatë në moshë 74 vjeçare. Kancelari gjerman Gerhard Shrëder shprehu keqardhjen e tij me të marrë lajmin e vdekjes. Ai tha se Gaus ka qenë një gazetar i madh, një bashkëpuntorë i ngushtë i Villi Brandit dhe një diplomat i shkathët. "Zëri i tij kritik dhe paralajmërues do të na mungojë", theksoi Gerhard Shrëder.

Ai ishte një prej mendimtarëve më të njohur të Republikës Federale: Gynter Gaus, është lindur më 1929 në Braunshvajg. Debatet e tij televizive e bënë atë të njohur, fillimisht në vitin 1963 në kanalin e dytë televiziv gjerman ZDF dhe më vonë në kanalin e parë ARD.

Bashkëbiseduesi i parë i Gausit ishte ministri i atëhershëm i ekonomisë Ludvig Erhard. Pasuan qindra prominentë nga jeta politike, shkenca dhe kultura. Vetkritika e një burri që filloi karrierën e tij në gazetën "Süddeutsche Zeitung" dhe më vonë ishte drejtor i programit dhe zëvendësdrejtor i përgjithshëm i radios gjermane jugperëndimore SWR:

"E tërë puna gazetareske, pavarësisht nga kualiteti, ka diçka jo të obligueshme. Ju shkruani sot një artikull dhe kur ta keni përfunduar nëse jeni vetkritik i thuani vetes: Ah, ti ke shkruar edhe artikuj më të mirë. Por nuk prish punë, nesër do të shkruaj prapë një artikull", shprehej Gaus.

Megjithatë gazetaria nuk mbeti preokupimi kryesor në jetën e tij. Në vitin 1973 filloi karriera politike e Gynter Gausit. Ishte Villi Brandt, i cili emëroi kryeredaktorin e atëhershëm të gazetës "Spiegel" si përfaqësuesin e parë të përhershëm të Republikës Federale në Berlinin Lindor:

"Ajo çka më ka bërë mirë në thelb ishin obligimet që dilnin nga puna si drejtues i përfaqësisë. Aty nuk mund të thuhet kjo është një marrëveshje e keqe, nesër po e bëj një tjetër. Aty puna duhet të ketë një masë më të madhe serioziteti çka nuk duhet ta bëni patjetër si gazetarë", pat thënë Gaus në një intervistë dhënë stacionit Berlini i lirë në vitin 1987.

Gaus gjatë kohës si përfaqësues i përhershëm në Gjermaninë Lindore ishte mjaft aktiv. Ai ka qenë ndërmjetësues i negociatave që kanë përfunduar me 17 marrëveshje me Reopublikën Demokratike Gjermane dhe pat ndihmuar me këtë në pakësimin e pasojave të rënda për të dy anët e kufirit gjerman nga muri ndarës. Fillimisht Gaus nuk ka qenë antarë i Partisë Socialdemokrate. Ai në parti është antarësuar tek në vitin 1976. Dhe atë në shenjë mirënjohje.

"Për mua puna si përfaqësues i përhershëm ishte thelbësorja në jetën time. Kështu do të jetë kur të kem përfunduar jetën. Dhe këtë në të vërtetë më ka ofruar si një shansë të jetës sime një kancelar federal socialdemokrat. Ai nuk e dinte, unë nuk e dija që kështu do të ishte në fund. Por ai e bëri këtë. Një kancelar tjetër socialdemokrat, zoti Shmidt me të cilin se kam kaluar edhe aq mirë më lejoj të vazhdoj punën në atë post", theksonte Gaus në një intervistë dhënë Radios Berlin Brandeburg në vitin 2001.

Atëherë Gaus vërehej edhe nga zëri se është prekur nga pasojat e një operacioni të rëndë të sëmundjes së kancerit. Në vitin 1981 Gaus bëri një shmanje të vogël si senator shkencor në politikën e landit të Berlinit për tu kthyer sërish në profesionin e tij të vjetër dhe filluar sërish me emisionin e tij të vjetër por tani në radion Berlin-Brandenburg.

Gynter Gaus ka shkruar disa libra politik, nga mesi i viteve të 90-ta ka qenë bashkëbotues i të përjavshmes "Freitag" dhe është nderuar ndër të tjera me Çmimin Adolf Grimm dhe Hans Joachim Friedrichs për gazetari televizive. Përfundimisht Gaus shkruante sepse:

"Gjatë kohës kur shkruaj më kujtohen gjëra që pothuajse i kisha harruar. Dhe këto janë momente ritakimi me ngjarje, pamje, krijesa, një pjesë e tyre e këndshme e një pjesë më e pak e këndshme nga jeta ime. E tërë kjo më pëlqen".