″Nëse unë do të mbetem ose jo kryeministër duhet të vendoset në mënyrë demokratike!″ | Politika | DW | 01.04.2006
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Politika

"Nëse unë do të mbetem ose jo kryeministër duhet të vendoset në mënyrë demokratike!"

Tailanda në prag të zgjedhjeve

Kryeministri i Tailandës Thaksin

Kryeministri i Tailandës Thaksin

Koha e qeverive ushtarake ka pëfunduar në Tailandë që prej vitit 1992. Ishin pjesëtarët e shtresës së mesme të Bangkokut që 14 vjet më parë arritën me luftë dhe shumë viktima nëpër rrugë tërheqjen e ushtarakëve nëpër kazerma. Në demonstratat që prej javësh dominojnë jetën publike në Tailandë forca shtytëse janë sërish përfaqësuesit e shtresës së mesme të kryeqytetit. Ata kërkojnë tërheqjen e kryeministrit Thaksin të cilit roli i tij i dyfishtë si kryeministër dhe sipërmarrës milioner i ka nxjerrë vazhdimisht vështirësi që prej fillimit të mandatit në vitin 2001. Thaksin mbështetet në mandatin e tij demokratik dhe nuk ka ndër mend të dorëzohet përballë presionit të rrugës. Ai madje kërkon konfirmimin e këtij mandati përmes zgjedhjeve parlamentare më 2 prill, por opozita do ti bojkotojë ato.

Qendra e Bangkokut i ngjan një kazani shtrigash. Krahas bllokimit të vazhdueshëm të saj prej kaosit në qarkullimin rugor, prej disa javësh mijëra demonstrues kanë paralizuar thuajse plotësisht jetën tregtare dhe qarkullimin. "Thaksin largohu, Thaksin largohu", kërkojnë kundërshtarët e kryeministrit të zgjedhur në mënyrë demokratike.


Kryeministri karizmatik dhe biznesmeni i suksesshëm Thaksin Shinavatra u rizgjodh vitin e kaluar me shumicë të madhe. Por kur një muaj më pas u bë e ditur se firma e telekomunikacionit "ShinCorp" e kontrolluar nga familja e tij i ishte shitur koncernit Temasek në Singapor, kundërshtarët e tij mobilizuan demonstrime të masave dhe kërkuan dorëheqjen e tij.

Thaksin ka thirrur mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare ditën e djelë për të siguruar një mandat të ri por kriza politike është ashpërsuar qysh atëherë. Kërkesat për dorëheqje nga kundërshtarët e tij të cilët i përkasin kryesisht shtresës së mesmem Thaksin i refuzon. Në fund të fundit ai është zgjedhur në mënyrë demokratike dhe nuk do të lejojë që në Tailandë pushteti të merret nga turmat e inatosura. "Nëse Tailanda shmanget nga rruga e demokracisë qoftë edhe për një kohë shumë të shkurtër, pra nëse turma triumfon ndaj demokracisë, kush do të ketë më besim në këtë vend? Unë po ju them se nëse rrezikohet demokracia Tailanda ndodhet përpara një krize të re. Prandaj unë jam këtu dhe luftoj. Kjo nuk do të thotë se do të jem përjetë kryeministër, por nëse mbetem ose jo në këtë post duhet të vendoset në mënyrë demokratike", është shprehur Thaksin.

Të gjitha partitë e mëdha opozitare kanë bërë thirrje për bojkotimin e zgjedhjeve dhe nuk kanë paraqitur asnjë kandidat. Partia në pushtet me emrin "Tailandezët i duan tailandezët" ndodhet pra përpara një fitoreje të madhe elektorale por pikëpyetja e madhe është nëse situata politike pas zgjedhjeve do të stabilizohet. Në zonat elektorale ku kandidon vetëm përfaqësuesi i partisë në pushtet duhet që ky të marrë të paktën 20% të votave. Në qendrat e forta të opozitës në jug të vendit kjo përqindje është e rrezikuar. Nëse disa kandidatë dështojnë parlamenti i ri nuk do të ishte në gjendje të kryente funksionin e tij legjislativ pasi nuk të ishin të plotësuara të gjitha vendet. Vendi do të ndodhej kështu përpara njërës prej krizave më të rënda politike që prej fillimit të viteve '90.

Vendi është i përçarë. Demonstruesit që prej disa javësh dalin në rrugë dhe kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit janë në rradhë të parë biznesmenë të shtresës së mesme. Ndër përkrahësit e Thaksin janë njerëzit e thjeshtë nga zonat rurale dhe të varfrit e qyteteve. Me futjen e një përkujdesjeje bazë veçanërisht në shëndetësi qeveria e kryeministrit Thaksin ka përmirësuar para së gjithash kushtet e jetesës së këtyre grupeve të popullsisë.

Shtresa e mesme i konsideron këto masa sociale dhurata elektorale të partisë në pushtet të cilat rëndojnë ekonominë vendase. Fitorja e thellë elektorale e Thaksin vitin e kaluar konsiderohet nga shtresa të gjera të shoqërisë e blerë dhe nuk njihet, është shprehur në radio politologu Andrew Walker nga Qendra për Studime Tai në Universitetin Kombëtar australian: "Egziston bindja e përgjithshme se masa e gjerë e popullsisë veçanërisht ajo në rajonet rurale nuk është e aftë për demokracinë, se asaj nuk mund t'i besohet pasi mund të korruptohet lehtë. Ka patur raste të shumta të blerjes së votave dhe shembuj të influencimit në vendimet për votën përmes premtimeve të fryra që i janë bërë popullsisë në fshatra. Për këtë arsye vota e tyre konsiderohet jo legjitime në aspektin elektoral."

Kundërshtarët e Thaksin ankohen për korrupsionin në rritje dhe një gërshetim gjithnjë e më të fortë të politikës me bizneset e mëdha. Akuza që për pjesën më të madhe të njerëzve të thjeshtë në Tailandë nuk kanë asnjë kuptim, thotë profesori Peter Warr nga Universiteti Kombëtar australian: "Egziston vërtet një ndarje politike e vendit dhe kjo është shumë e rrezikshme. Kjo mund të vërehet shumë mirë në Bangkok. P.sh. shoferët e taksive vijnë kryesisht nga zonat rurale dhe ata mbështesin në pjesën më të madhe kryeministrin. Ka patur informacione në medie për përleshje të dhunshme mes shoferëve të taksive dhe pasagjerëve të tyre kur biseda është bërë politike. Pra kush lëviz me taksi në Bangkok duhet të ketë kujdes të mos flasë për politikë."

Se si do të zhvillohen ngjarjet pas zgjedhjeve mbetet krejtësisht e hapur. Kundërshtarët e Thaksin do të vazhdojnë të demonstrojnë. Një ndërhyrje e ushtrisë cilësohet jo e mundshme dhe intervenimi i mbretit i cili ka kompetencë të vendosë gjendjen e jashtëzakonshme pritet vetëm në rast se dhuna zbret nëpër rrugë. Situata e pasigurtë në Tailandë ka patur ndërkohë pasojat e para. Më shumë se 65.000 turistë kanë anuluar pushimet e tyre atje kanë bërë të ditur autoritetet për transportin e të huajve.

  • Data 01.04.2006
  • Autor Bernd Musch-Borowska.
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/AqqZ
  • Data 01.04.2006
  • Autor Bernd Musch-Borowska.
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/AqqZ