Në kërkim të mentalitetit kolonialist | Gjermania | DW | 07.11.2005
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Në kërkim të mentalitetit kolonialist

Historiani nga Gisen Jyrgen Rojleke reflekton ndaj përfytyrimit kolonialist që karakterizonte rininë e tij.

Afrika jugperëndimore ka qenë koloni gjermane në vitet 1884 -1914.

Afrika jugperëndimore ka qenë koloni gjermane në vitet 1884 -1914.

Shumë gjermanë që kanë sot moshën mbi 60-vjeçare kanë qenë në vitet 50-të e 60-të të organizuar në organizata rinore, si për shembull "Zogjtë shtetgtarë", organizata që kishin si qëllim të nxisnin dëshirën për të udhëtuar në vende të largëta. Propaganda e lëvizjeve kolonialiste e ushqente këtë dëshirë me tregime aventurash nga bota ekzotike e kolonive të largëta. Edhe mbasi Gjermania i dorëzoi kolonitë, ky zhvillim vazhdoi me shpresë që një ditë ajo do të mund t’u rikthehej përsëri kolonive.

Deri në kohën e pasluftës bota e imazhit kolonialist u transmetohej brezave të ardhshëm. Ish-antarët e tyre, si historiani nga Gisen Jyrgen Rojleke, tani janë duke reflektuar ndaj këtij mentaliteti. Ashtu si të rinjtë e Republikës së Vajmarit, edhe antarët e "Djemurisë së Lirë" ëndërronin për vendet e largëta.

Jyrgen Rojleke dhe shokët e tij atëherë thurrnin plane se si të emigronin. Sot gati 45 vjet më vonë, historiani 65-vjeçar është duke bërë studime pikërisht rreth fenomenit që e ka karakterizuar brezin e tij në atë periudhë: "Lëvizjet rinore ka qenë një formë veçanërisht e theksuar e vetëorganizimit të të rinjve," sqaron ai. "Rritja e tyre përkonte me faktin që dikur ka ekzistuar edhe një perandori kolonialiste gjermane. Më vonë pasoi Lufta e Parë Botërore dhe në përfundim të saj në kontratën e Versajës, gjermanëve iu hoq e drejta për të pasur koloni, me arësyetimin shokues për bashkëkohësit e atëhershëm: Gjermania nuk është treguar e denjë për të pasur koloni," – sqaron më tej Rojleke.

Lëvizjet kolonialiste gjermane që në fakt nuk kishin koloni, reaguan me forcimin e propagandës kolonialiste. Para së gjithash ajo donte të afronte të rinjtë me idenë kolonialiste dhe shikonte tek banorët e kolonive të ardhshme. Propaganda kolonialiste që në kohën e Rajhut të Tretë sa vinte e forcohej, arriti jo vetëm ata që janë organizuar nëpër grupe rinore. Edhe të tjerë kryesisht djem të rinj lexonin me shumë dëshirë histori aventureske, nëpër revista, që përhapeshin nga shoqatat kolonialiste. Revista si "Jambo" për shembull e paraqesnin të huajën me përçmim dhe njëkohësisht me zbukurime: "Nga njëra anë prapambetja nxirrte në pah raportin mes të bardhës dhe të zinjve. Nga ana tjetër kurioziteti fantazia dhe dëshira për aventura, kafshët e egra, savanën, Kilimanxharon, për të parë të gjitha këto ishte e fuqishme," – thotë Rojleke.

Deri në periudhën e pasluftës mahnitja pas botëve të huaja dhe ekzotike në grupet e të rinjve u transmetua në brezat e ardhshëm. Jyrgen Rojleke nuk e ka parë Kilimanxharon, por në vitet 60-të ai do të shkonte në kuadër të Rinsë së Lirë, në Turqi, Siri dhe Irak. Vetëm në vitet 70-të në Gjermani filloi gradualisht ballafaqimi kritik me përfytyrimet e kohës së kolonializmit. "Deri atëherë shumë prej ideve dhe imazheve kolonialiste ishin më se të vetëkuptueshme. Edhe imazhi mbi të zinjtë, të ashtuquajtur 'neger' ishte i njëjtë: i paftilluar, pa perspektivë, dembel dhe gjëra të ngjashme. Prej këtyre përfytyrimeve dilte e drejta e të bardhëve për t’i shfrytëzuar ata. Ky ishte mendimi i mirëfilltë kolonialist, që mbërriti deri në kohërat e sotme në kokat e tyre edhe pse shumë njerëz, kur e mendojnë me logjikë thonë, se kjo është e gabuar, " – thotë Rojleke.

Pikërisht me këtë imazh të mbetur nga koha koloniale po merret tani historiani dhe shokët e tij të rinisë. Në këtë mënyrë ata do të duhet të shikojnë edhe njëherë nga e para ndonjë kapitull të periudhës së kolonializmit gjerman, si për shembull atë të gjenocidit në Herero ose të thyerjes së kryengritjes Mayi-Mayi, thotë Jyrgen Rojleke. "Ajo me të cilën njiheshin të rinjtë atëherë, nuk ishte brutaliteti i ushtarakëve, por "heroizmi" i tyre, që dinin se si të mbroheshin nga një kryengritje kriminale. Asokohe janë thurrur legjenda, që parë nga perspektiva e sotme janë të shtrëmbëruara. Kujtimi ndaj tyre është shumë i dyzuar," – përfundon Rojleke.

  • Data 07.11.2005
  • Autor Nina Gruntkovski
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Ar2J
  • Data 07.11.2005
  • Autor Nina Gruntkovski
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Ar2J