Në Uashington dolën në pah mosmarrëveshjet brenda Grupit të Kontaktit
3 Nëntor 2005Në mbledhjen me dyer të mbyllura të grupit të Kontaktit për Kosovën, që u mbajt mbrëmë vonë në Uashington nuk është arritur konsens për modalitetin e procesit të bisedimeve për statusin e ardhshëm të Kosovës. Nikoqir i takimit, në të cilin merrte pjesë edhe i ngarkuari special të OKB-së për Kosovën, Marti Ahtisari ishte zv. sekretari amerikan i shtetit Nikolas Burns. Sipas zyrtarëve të administratës amerikane në takim pati diferenca mendimesh lidhur me përpjekjet për arritjen e zgjidhjes politike. SHBA-të kërkojnë që përfaqësuesi i saj, Nikolas Burns dhe përfaqësuesit e tjerë të kenë status të barabartë në bisedime. Ndersa Marti Ahtisari, ish presidenti i Finlandes, kërkon që të udhëheqë bisedimet për statusin, duke qenë i pari mes të barabartëve.
Mbledhja u mbajt në nivelin e drejtorëve politikë të ministrive të jashtme të shteteve të grupit të Kontaktit respektivisht SHBA, Britanisë së Madhe, Francës, Rusisë, Gjermanisë dhe Italisë. Kryenegociatorët e këtyre shteteve nuk janë caktuar ende. Ahtisari ka kërkuar të zgjedhë si zëvendës të tijin, sekretarin e përgjithshem në ministrinë e jashtme austriake, Albert Rohan, ndërsa përfaqësuesit e BE, SHBA, Rusisë, dhe siç duket edhe të Natos do të jenë në nivelin e "oficerit ndërlidhës".
BE-ja mund të caktojë në këtë detyrë bashkëpunëtorin e përfaqësuesit të lartë të BE Javier Solana, Stefan Lehne. Bashkimi Evropian është shumë i interesuar që të angazhohet fort në bisedime, sepse pas zgjidhjes së çështjes së statusit, BE do të ketë rolin kryesor në vendosjen e standarteve evropiane demokratike, politike dhe ekonomike në Kosovë, dhe do të jetë më shumë e angazhuar në zhvillimet në Kosovë, duke përshirë sektorin e sigurisë dhe të zbatimit të ligjit.
Ndërsa kur shtrohet çështja edhe e mundësisë së emërimit të përfaqësuesit të Natos, përmendet emri i diplomatit amerikan, Xhejms Perdju, i cili ka patur rol kyç në qetësimin e konfliktit etnik në Maqedoni në korrik 2001, si i dërguar special i SHBA.