1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Në Berlin do të krijohet së shpejti qendra kundër terrorit

Marcel Fürstenau15 Dhjetor 2004

Ministri i brendshëm gjerman Otto Schily paraqiti të martën e kaluar në Berlin konceptin për qendrën e re kundër terrorit. Së bashku me presidentin e zyrës federale të kriminalistikës, presidentin e entit federal gjerman për mbrojtjen e kushtetutës dhe shefin e shërbimit sekret gjerman, Schily shpjegoi edhe njëherë se si mund të luftohet në mënyrë sa më efektive terrorizmi ndërkombëtar.

https://p.dw.com/p/Ar5C
Ministri i brendshëm gjerman Otto Schily
Ministri i brendshëm gjerman Otto SchilyFotografi: AP

Ministri i brendshëm gjerman Oto Schily kërkon një bashkëpunim të ngushtë mes zyrave federale që janë përgjegjëse për luftën kundër terrorit:

"Të gjitha informacionet dhe analizat mbi rrezikun e mundshëm që paraqesin kërcënimet që na vijnë pothuajse çdo ditë, duhen analizuar dhe vlerësuar së bashku. Marrim si shembull sulmin mbi ambasadën amerikane në Xhida të Arabisë Saudite. Çfarë masash duhen marrë pas një ngjarjeje të tillë? Si do të vlerësohet shkalla e rrezikshmërisë për sektorë të tjerë?" - u shpreh Schily.

Pikërisht me vlerësime të tilla do të merren tani rreth 100 punonjës të zyrës federale të kriminalistikës dhe 15 ekspertë të entit federal për mbrojtjen e kushtetutës. Në grupin e qendrës kundër terrorit në Berlin do të punojnë ekspertë nga zyra federale për kriminalistikën, nga shërbimi sekret gjerman BND si edhe nga policia kufitare gjermane.

Sidoqoftë presidenti i entit federal për mbrojtjen e kushtetutës Heinz From, theksoi se ligji gjerman sipas të cilit kompetencat e policisë ndahen tërësisht nga ato të shërbimit sekret, do të respektohet edhe tani:

"Rëndësi ka që të takohemi së bashku çdo ditë dhe të shfaqim besim tek puna e njëri-tjetrit. Në duhet të analizojmë çdo informacion së bashku dhe të mendojmë se cilat masa duhen marrë. Dihet se enti federal i mbrojtjes së kushtetutës ka kompetenca eksekutive, ndërkohë që policia ka kompetenca operative" - tha From.

Në rast nevoje qendra kundër terrorit do të bashkëpunojë edhe me shërbime të huaja sekrete dhe policore. Sipas Schilit një bashkëpunim i tillë do të bëhet i mundur vetëm në rast se ndryshohen disa ligje. Zyra federale për kriminalistikën dhe enti federal për mbrojtjen e kushtetutës do ta mbështesin financiarisht qendrën e re kundër terrorit. Ndërkohë sindikata e policisë dhe ministri i brendshëm i Bavarisë Kurt Beckstein, e kanë kritikuar propozimin për krijimin e qendrës kundër terrorit. Sipas Beckstein një qendër e tillë kundër terrorit nuk mund të funksionojë kur nga njëra anë zyra federale e kriminalistikës dhe enti federal për mbrojtjen e kushtetutës do të shkëmbejnë informacione me njëri-tjetirn dhe nga ana tjetët punonjësit duhet të punojnë të ndarë nga njëri-tjetri nëpër ndërtesa të ndryshme.

Edhe të gjelbërit, të cilët janë në koalicion qeveritar me partinë social demokrate, kanë shprehur kritikën e tyre në lidhje me propozimin e ministrit të brendshëm gjerman Schily, që kompetencat e zyrës federalë për kriminalistikën të zgjerohen. Sipas tyre qendra e re kundër terrorit nuk do të ishte institucioni i vetëm që do të përfitonte nga ky hap.