Minoriteti maqedonas në zonat malore të Shqipërisë në kërkim të një jete më të mirë | Shoqëria & Kultura | DW | 26.12.2009
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages
Reklamë

Shoqëria & Kultura

Minoriteti maqedonas në zonat malore të Shqipërisë në kërkim të një jete më të mirë

Gollobërda është një nga rajonet më të varfëra në Shqipëri. Atje jetojnë edhe disa mijëra maqedonas. Me mbështetje nga BE-ja, në fshatin Ostren fëmijët maqedonas vijojnë kurse për të mësuar gjuhën e tyre amtare.

Arsimi mbetet një nga kërkesat e të gjitha minoriteteve. Në foto: Universiteti i Tiranês

Arsimi mbetet një nga kërkesat e të gjitha minoriteteve. Në foto: Universiteti i Tiranês

Emigracioni ka përgjysmuar numrin e banorëve

Në një lartësi prej 1100 metrash mbi nivelin e detit dhe me një sipërfaqe prej 420 kilometra katrorë në gjirin e malit Raduçë shtrihet zona Gollobërdë, një nga rajonet më të varfra në Shqipëri, dhe në këtë mënyrë në Ballkan dhe në Evropë.

Në këtë zonë shtrihen 22 fshatra, nga të cilat 18 janë të banuara vetëm nga popullata maqedonase, ndërsa katër të tjera janë të përziera etnike, maqedonasit dhe shqiptarët. Veprojnë tri komuna. Ostreni është komuna më e madhe, e cila përfshin 13 fshatra me mbi 4400 banorë, thotë sekretari i komunës Qani Muça.

"Ne kemi shkolla, kemi një spital, kemi bërë një komunë të re, rruga nuk është e mirë, por plani i komunës është që ta asfaltojmë sa më shpejt. Deri në vitet nëntëdhjetë në këtë rajon kanë banuar mbi 35.000 banorë ndërsa tani numri është përgjysmuar në 15.000. Një pjesë e tyre janë shpërngulur në qytete të tjera në Shqipëri, një pjesë më e vogël në Maqedoni, ndërsa pjesa më e vogël e tyre përkohësisht punojnë në Itali dhe Greqi."

Të gjithë i kanë braktisur vatrat e tyre për një jetë më të mirë. Më shumë migracioni ka goditur fshatin Tuçep, ku prej qindra familjeve tani jetojnë vetëm katër prej tyre.

„Edhe pse në shtëpi ata flasin në gjuhën maqedonase, për shkak të mospranimit të statusit të pakicës, shkollimin e detyrueshëm ata e ndjekin në gjuhën shqipe,“ thotë sektretari i komunës.

Në vendbanimet më të mëdha operojnë shkollat nëntëvjeçare, ndërsa në ato më të voglat shkollat katërvjeçare.Në nëntëvjeçaren e Ostrenit e vijojnë mësimin 400 nxënës:

"Ne jemi duke bërë përpjekje që në vitin e ardhshëm shkollor të fillojë funksionojë edhe shkolla e mesme, e cila është e nevojshme," thekson drejtori Shefqet Muça.

Për shkak të mungesës së shkollës së mesme, një pjesë e nxënësve të këtij rajoni vijojnë shkollimin në Maqedoni.

Prani e personelit të mesëm mjekësor

Pothuajse në të gjitha fshatrat, kur është fjala për kujdesin shëndetësor ka një prani e vazhdueshme të personelit të mesëm mjekësor. Në Ostren ka një qendër shëndetësore me një mjek, mami, person për vaksinimet dhe dy infermiere. Banorët pranojnë ndihmën mjekësore në çdo kohë.

" Kemi nevojë për një makinë ambulancë. Kjo është një zonë kodrinore-malore. Deri tek fshati më i largët , kur moti është i keq ecim në këmbë rreth tri orë, aq sa është larg edhe qytetit“, sqaron mjeku Naim Hoxha.

Banorët nuk e fshehin të të thonë se kur kanë ndonjë person shumë të sëmurë, për shkak të afërsisë e transportojnë në qytetin e Dibrës, në Maqedoni nëpërmjet kalimit kufitar jozyrtar Trebishtë-Xhepishtë. Është një aspekt human, i cili nuk pengohet as nga policia kufitare shqiptare e as nga ajo maqedonase.

Banorët shpresojnë shitjen e produkteve në Dibër

Me hapjen e kalimit, i cili ka funksionuar në vitet pesëdhjetë të shekullit të kaluar për shkak të afërsisë vetëm gjysmë ore me makinë, ata presin që produktet e tyre bujqësore dhe produkte të tjera t'i shesin në tregun e Dibrës, ndërsa prej atje të blejnë gjërat e nevojshme ushqimore.

Me kërkesën e prindërve, përmes partisë Aleanca maqedonase për Integrim Evropian dhe me mbështetje financiare të BE-së, në Ostren kryhet një kurs në gjuhën maqedonase, në të cilin marrin pjesë rreth 40 nxënës. Iniciativa është marrë nga Edmond Osmani, njëri nga tre këshilltarët e partisë maqedonase në komunën e Trebishtit, i cili paralajmëron kurse të këtilla edhe në fshtatrat e tjera.


Autor: Vera Todorovska/ Qeriman Bekteshi

Redaktoi: Auron Dodi

  • Data 26.12.2009
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/LE66
  • Data 26.12.2009
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/LE66