1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ministri rus i Punëve të Jashtme, Sergej Lavrov viziton Kosovën

Bekim Shehu7 Nëntor 2005

Ministri rus i Punëve të Jashtme, Sergej Lavrov, në kuadër të një turneu ballkanik, qëndroi sot në Kosovë. Sergej Lavrov, deklaroi në Beograd, se Rusia e kundërshton imponimin e zgjidhjes së statusit të Kosovës

https://p.dw.com/p/Aqsc
Ministri i jashtëm rus, Sergej Lavrov
Ministri i jashtëm rus, Sergej LavrovFotografi: AP

Në Prishtinë, për një vizitë të shkurtër qëndroi sot, Ministri rus i punëve të jashtme, Sergej Lavrov. Këtë vizitë ai e realizon për të përcjellë tek autoritetet e këtushme angazhimin e vendit të tij Rusisë, në bisedimet për statusin e Kosovës. Rusia do të jetë e përfshirë drejpërdrejt në bisedimet për statusin e Kosovës, do të ketë një rol aktiv për faktin që ajo është anëtare e përhershme e KS-it, dhe Grupit të Kontaktit. Para së të vijë në Kosovë, shefi i diplomacisë ruse, Sergej Lavrov, qëndroi në Beograd, ku zhvilloi takime me autoritetet më të larta serbe. Lavrov ka deklaruar në Beograd, se Rusia e kundërshton çdo imponim te zgjidhjes së statusit të Kosovës ndërsa, do të mbështet çdo zgjidhje që arrihet në mes autoriteteve të Prishtinës dhe Beogradit. Lavrov, ka thënë poashtu se, procesi i negociatave për statusin final të Kosovës duhet të jetë në përputhje me Kartën e Kombeve të Bashkuara dhe me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit. Në këtë linjë, ministri Lavrov, e ka mbeshtetur dialogun e drejpërdrejt në mes Prishtinës dhe Beogradit. Ministri i punëve të Jashtme të Rusisë, gjatë vizitës së shkurër në Kosovë, do të bëjë hapjen e zyrës ruse të ndërlidhjes në Prishtinë. Gjatë mbrëmjes, Sergej Lavrov, do të zhvillojë biseda me shefin e UNMIK-ut, Soren Jesen Petersen dhe presidentin e Kosovës, Ibrahim Rugova, më të cilët do të bisedojë, lidhur me procesin politik që çon Kosovën drejt bisedave për statusin e saj. Autoritetet ndërkombëtare, UNMIK-u dhe forcat paqeruajtëse, për shkak të qëndrimit të shefit të diplomacisë ruse në Kosovë, ndërmorën masa të rrepta të sigurisë. Shumë rrugë të kryeqytetit janë bllokuar. Ministri rus i Punëve të Jashtme, Sergej Lavrov, në fund të vizitës së tij në Kosovë mban një konferencë të shkurtër për gazetaret.