1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ministri i jashtëm Shteinemeir viziton ShBA & CIA dhe burgjet e saj në Evropë & Bisedimet për statusin e Kosovës

28 Nëntor 2005

Tema më e komentuar në shtypin e sotëm është vizita e parë e ministrit të ri gjerman të punëve të jashtme Frank-Valter Shteinmeier në SHBA. Kjo vizitë zhvillohet në një kohë që janë shtuar mbi ekzistencën e burgjeve të fshehta të shërbimit sekret të ShBA, CIA në Evropë.

https://p.dw.com/p/Arsd

"Süddeutsche Zeitung" komenton rrethanat në të cilat zhvillohet vizita e Shteinmeireit në ShBA: "Natyrisht që si pasardhës të Joshka Fisherit, qeveria e ShBA do të kish dëshiruar një tjetër, e jo pikërisht njeriun e afërt të ish-kancelarit Gerhard Shrëder. Rebelit plangprishës lidhur me luftën e Irakut nuk i beson askush në Uashington. Por e para, askush nuk i pyeti njerëzit e Bushit. Së dyti ata me mirësjellje nuk do ta zenë në gojë shqetësimin e vet, se në folenë atlantike u ka mbërritur një zog i infektuar me virusin e Shrëderit. Së treti, qeveria që ndodhet në vështirësi duhet të pranojë gjithçka e këdo që i ofrohet. Skandalet brenda vendit, e para së gjithash dështimi në Irak e kanë nxjerrë presidentin në defensivë", analizon "Süddeutsche Zeitung".

"Manheimer Morgen" lidhur me axhendën e vizitës shkruan: "Frank-Valter Shteinmeier nuk do ta lerë pa përmendur edhe çështjen e fluturimeve të fshehta të CIA-s. Qysh pas 11 shtatorit Uashingtoni pretendon një lloj liçence të jashtëzakonshme në luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar, që jo gjithmonë mund të harmonizohet me parimet e shtetit ligjor. Nuk është aq detyrë e qeverisë së Berlinit për ta demaskuar hapur këtë. Nga ana tjetër ajo nuk mund të heshtë, apo të tolerojë, kur aeroportet ushtarake në tokën gjermane përdoren për veprime që duket se shkelin të drejtat e njeriut. Një shtet sovran nuk ka vetëm të drejtën, por edhe detyrimin, që të kërkojë sqarime për këtë. Marrëdhëniet transatlantike do ta përballojnë, faktin që Gjermania nuk mund të sakrifikojë vlerat e saj për hir të partneritetit me ShBA", komenton "Manheimer Morgen".

E përditshmja "Frankfurter Allgemeine Zeitung" e komenton këtë vizitë në sfondin e dyshimeve për burgjet sekrete të CIA-s: "Në marrëdhëniet gjermano-amerikane edhe në rrethana normale do të duhej të sqaroheshin mjaft çështje. Por kur ministri Shteinmeir të mbërrijë sot në Amerikë, të paktën në perceptimin e opinionit evropian, gjithçka do të jetë normale. (...) Nëse diku do të kapen të dyshuar dhe më pas do të transportohen me avionë për t´u marrë në pyetje, këtu s´ka ndonjë gjë të mbrapshtë. Por nëse këta të burgosur, kudo që dërgohen dhe prej kujdto qoftë, torturohen, kjo s´mund të tolerohet. Këtu qeveria amerikane do të kishte shansin e madh, për t´i vënë disa gjëra në vend. Do të ish veprim i mençur sikur kjo të ndodhte me ministrin e ri gjerman të punëve të jashtme", nënvizon "Frankfurter Allgemeine Zeitung."

Gazeta "Kölner Stadt Anzeiger" komenton: "Opinioni në Perëndim do të ish me sa duket i gatshëm që t´i jepte më shumë hapësirë ShBA në luftën kundër terrorizmit, nëse ato ne thelb do të kishin besim tek qeveria në Uashington dhe shërbimet sekrete të saj. Por pikërisht kjo nuk ekziston. Pas 11 shtatorit ShBA u ndodhën edhe përballë sfidës për të mbrojtur normat e veta të shtetit ligjor (...) në vend që t´i përgjigjeshin barbarisë me një padrejtësi të re. (...) Por me heqjen dorë prej parimeve të veta një shtet demokratik po shkon drejt greminës", vëren "Kölner Stadt Anzeiger".

Së fundi një citat nga komenti i "Märkische Oder Zeitung" lidhur me bisedimet për statusin e Kosovës: "Çështja është, se deri në ç´masë Serbia do t´ia dalë me parrullën e saj "më shumë se autonomi, më pak se pavarësi" kundrejt kërkesës së shqiptarëve për pavarësi. Sipas planeve të Beogradit shqiptarët e Kosovës duhet të mbeten shtetas të Serbisë. Por serbët duhet të pyesin veten, se sa kuptim ka, që të kenë dy milionë shtetas iluajalë në një shtet prej dhjetë milionë banorësh, në një kohë që situata nisur nga kuota e natalitetit të shqiptarëve do të bëhet gjithnjë e më e pafavorshme për Beogradin. Pakënaqësia e shqiptarëve të Kosovës mund të jetë edhe një pengesë e madhe për antarësimin e Serbisë në BE. Ndaj një Kosovë e pavarur e imponuar ndërkombëtarisht mund t´u vinte përshtat serbëve me krenari kombëtare nën moton: Beogradi kundër pjesës tjetër të botës. Mbajtja e Kosovës nën kontroll prakisht është e pamundur për Serbinë", komenton "Märkische Oder Zeitung".