Metodat e marrjes në pyetje ″neveritëse dhe të dyshimta nga pikpamja juridike″ | Bota | DW | 25.02.2006
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Metodat e marrjes në pyetje "neveritëse dhe të dyshimta nga pikpamja juridike"

Dokumente të reja mbështesin kritikën e FBI-së ndaj ushtarakëve në Guantanamo

I burgosur në Guantanamo

I burgosur në Guantanamo

Organizatat për të drejtat e njeriut kanë arritur një fitore të re në luftën e tyre për më shumë transparencë në praktikat e ndjekura në kampin e të burgosurve Guantanamo. Me anë të një vendimi gjyqi ata detyruan bërjen publike të postës elektronike të zyrtarëve të shërbimit inteligjent amerikan FBI të angazhuar në Guantanamo. Nga materialet rrezulton se policia federale apo të paktën punonjës që kanë patur dijeni mbi praktikat në kampin e të burgosurve i cili mbahet i mbyllur hermetikisht, nuk kanë qenë aspak dakort me metodat e marrjes në pyetje të ushtrisë.

54 emailet e zyrtarëve të indidnjuar të FBI-së nga viti 2002 deri në 2004 të cilat organizata amerikane për të drejtat e njeriut ACLU arriti t'i siguronte me një vendim gjyqi për t'i bërë më pas menjëherë publike flasin vetë: ushtarakët amerikanë në kampin e të burgosurve Guantanamo hiqeshin si punonjës të FBI-së, merrnin në pyetje të burgosur deri në 18 orë pa ndërprerje. Të burgosurit duket se detyroheshin të shihnin pornografi homoseksuale. Ndërsa të tjerë janë mbështjellë me flamurin izraelit gjatë kohës që merreshin në pyetje. Punonjësit e policisë federale amerikane FBI që shërbenin në kampin e Gunatanamos në emailet e tyre drejtuar eprorëve dhe zyrtarëve të lartë të Pentagonit tregojnë për metodat e dyshimta të përdorura nga personeli ushtarak. Sipas tyre ushatarakët kanë mashtruar Pentagonin kur kanë njoftuar se punonjësit e FBI-së në burgun e Guantanamos i kishin miratuar procedurat e marrjes në pyetje. Por duket se e vërteta ka qenë një tjetër. Në mënyrë të përsëritur punonjësit e FBI-së kanë tërhequr vëmendjen ndaj këtyre praktikave tepër agresive dhe të dyshimta nga pikpamja ligjore. Një nëpunës i FBI-së në një email tregon se ka ndjekur nga dhomë fqinje një procedurë marrjeje në pyetje dhe se është neveritur aq shumë prej saj sa i është dashur të largohet nga dhoma.

Në emailet e tyre nëpunësit e FBI-së shpjegojnë se metodat e marrjes në pyetje jo vetëm janë miratuar heshturazi nga Pentagoni por madje janë miratuar shprehimisht prej tij. Ministri amerikan i mbrojtjes Rumsfeld ka deklaruar javën e shkuar se në Guantanamo gjithçka është në rregull: "Ky burg drejtohet aq mirë sa është e mundur. Atje nuk ushtrohet dhunë, nuk ka keqtrajtime dhe kështu duhet të jetë", ka thënë Rumsfeld.

Megjithëse FBI mesa duket ka qenë e informuar rreth procedurave të dyshimta të marrjes në pyetje emailet e publikuara tani dëshmojnë se zyrtarët e lartë të FBI-së kanë dashur të evitojnë përfshirjen në një hetim zyrtar rreth situatës në Guantanamo. Në emaile thuhet se në FBI marrëdhëniet e mira me ushtarakët që drejtojnë kampin e Guantanamos konsiderohen të rëndësishme.

Aktualisht në burgun e ngritur nga ShBA menjëherë pas përfundimit të luftës në Afganistan ndodhen ende 490 të burgosur. Me një tjetër vendim të kohëve të fundit Gjykata Federale e Nju Jorkut me kërkesë të agjensisë së lajmeve AP ka detyruar Pentagonin të bëjë publikë deri më 3 mars emrat e të burgosurve të mbajtur deri tani të fshehtë. Një zëdhënës i Pentagonit ka deklaruar ndërkohë se ministria amerikane e mbrojtjes do të zbatojë vendimin e gjykatës dhe nuk do të apelojë.

  • Data 25.02.2006
  • Autor Georg Schwarte
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArML
  • Data 25.02.2006
  • Autor Georg Schwarte
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArML
Reklamë