1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Merkel: Në luftën elektorale të BE-së mund të futemi vetëm me një bazë kushtetuese

Kristofer Plas28 Mars 2007

Me fjalimin përpara Parlamentit Evropian në Bruksel kancelarja, Angela Merkel, shfrytëzoi klimën e favorshme të krijuar në fundjavë në Berlin për të theksuar angazhimin e saj për ripërtëritjen e BE-së me një kushtetutë.

https://p.dw.com/p/Ar8S
Fotografi: Photo European Parliament/Architects : Architecture Studio

Në sfondin e ngrirjes në raportet mes Britanisë së Madhe dhe Iranit pas rrëmbimit të marinarëve britanikë, Angela Merkel u siguroi britanikëve mbështetjen e plotë. Si kryetare e radhës së BE-së ajo kritikoi ashpër qëndrimin e Teheranit: "Unë dua ta shfrytëzoj këtë pasdite në Parlamentin Evropian edhe për të thënë, se ne si BE do ta bëjmë të qartë, që është krejtësisht e papranueshme, nëse 15 ushtarë britanikë arrestohen dhe mbahen prej Iranit. Për këtë britanikët gëzojnë solidaritetin tonë të plotë."

Forca e Evropës qëndron në prezantimin e saj unike, vazhdoi Merkel. Për kancelaren kjo ishte një fjalëkyç në kontekstin e kushtetutës së planifikuar të BE-së, që tashmë nuk përmendet kështu. Presidenca gjermane e BE-së është angazhuar që deri në qershor të japë në këtë drejtim impulse vendimtare. Merkel theksoi, se deri në zgjedhjet për Parlamentin Evropian në vitin 2009 duhet të jetë arritur një rezultat.

Qytetarët duan të kenë përgjigje për çështje të tilla si siguria, ndryshimi i klimës, furnizimi me energji dhe zgjerimi. Vetëm me një bazë kushtetutese mund të dilet në zgjedhjet e 2009. Ç´kuptim do të kish lufta elektorale pa një bazë të tillë? Merkel: "Në një situatë të tillë lufta elektorale vetëm sa do ta thellonte distancën mes institucioneve dhe qytetarëve të BE-së. Ndaj do të varet prej aftësisë së të gjithëve që së bashku të gjejmë një zgjidhje. Gjermanët kanë marrë si detyrë që të paraqesin një plan kohor për këtë."

Presidenca gjermane e BE-së nuk do t´i zgjidhë të gjitha problemet, por në fund të kryesimit të radhës në samitin e BE-së në qershor duhet të jetë dhënë një drejtim.

Merkel nuk deklaroi asnjë të dhënë, se si do të kapërcehen rezervat e shprehura sërish prej Polonisë dhe Çekisë. Presidenti i Komisionit të BE-së Barrozo kërkoi, që tani pas deklaratës së Berlinit, të shfrytëzohet momenti për avancimin në debatin mbi kushtetutën.

Me shumicë Parlamenti Evropian mbështeti nismën e kancelares. Por liberali britanik Graham Uastën tërhoqi vëmendjen për transparencë në këtë proces: "Një tekst nga katakombet e kancelarisë, që do të nënshkruhet prej institucioneve drejtuese nuk meriton të ketë si fjali të parë: "Ne qytetarët e BE-së". Jo, nuk duhet të jetë kështu, ne duhet t´i afrojmë në bord qytetarët."

Pikërisht Parlamenti Evropian angazhohet që të involvohet në procesin e kushtetutës si përfaqësues i qytetarëve. Merkel në të kundërt do të masë pulsin jozyrtarisht tek qeveritë e vendeve antare, se si duhet të konceptohet baza e re e kushtetutës.

Kryetari i fraksionit të socialistëve, Martin Shulc, tha, se unioni pa një kod të përbashkët nuk mund të rregullojë çështje të tilla si përshembull zgjerimi. Krejt ndryshe nga mënyra e tij e zakonshme gjakënxehti Shulc e vlerësoi kancelaren kristiandemokrate si miqësore ndaj Evropës: "E kam të vështirë që si socialdemokrat gjerman të pranoj, se ju në këtë rrugë keni në Gjermani, por veçanërisht këtu në Parlamentin Evropian, mbështetjen e socialistëve."