1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Me Putinin në krye, kështu mendojnë rusët, Rusia ka stabilitet politik

Christoph Schmidt18 Mars 2007

Rezultati pritej - presidenti Putin arriti ta forcojë bazën e tij politike me zgjedhjet rajonale në Rusi. Partitë besnike të Kremlinit "Rusia e Bashkuar" dhe "Rusia e drejtë" fituan. Por ekspertë të shumtë evropianë janë skeptikë. Temë tjetër e shtypit ndërkombëtar të javës që sapo kaloi, janë paralajmërimet për sulme terroriste në Gjermani dhe pohimet e terroristit Chalid Shah Mohamed.

https://p.dw.com/p/Arl8
Putini tek Romano Prodi në Romë
Putini tek Romano Prodi në RomëFotografi: AP

Gazeta fine HUFVUDSTADSBLADET shkruan mbi zgjedhjet në Rusi:

"Qytetarët në Rusi kanë të drejtë që ta vendosin nëpërmjet zgjedhjeve të lira qeverinë e tyre politike. Por rregullat e lojës së politikës ruse janë plot gabime, sidomos po të krahasone me ato të demokracive normale në Përëndim. Presidenti Vladimir Putin ka vendosur ligje të reja. Kështu aty zhvillohen zgjedhje dhe partitë dhe kandidatët politikë kërkojnë votat e popullit. Por prezenca e tyre në media dhe madje edhe mundësia për të kandiduar kontrollohen në atë mënyrë, që rezultati është që në fillim i qartë."

Gazeta LA REPUBBLICA nga Italia përqëndrohet tek motivet e votuesve:

"Rusët, të paktën ata që shkojnë të votojnë, pra 40% e atyre me të drejtë vote, kanë vendosur ta mbrojnë strategjinë e zgjedhur nga qeveria. Ata e pranojnë grushtin e hekurt, sidomos po të kemi parasysh që më parë ekzistonte vetëm kaos në vend. Me Putinin në krye, kështu mendojnë njerëzit, Rusia ka stabilitet politik dhe rritje ekonomike dhe mbi të gjitha do të rigjejë krenarinë e saj në parketin ndërkombëtar. Por vetëm falë hegjemonisë brutale dhe burimeve energjitike që shpërdorohen nga Kremlini."

Në gazetën BASLER ZEITUNG nga Zvicra lexojmë:

"Votuesit në Rusi kanë kohë që nuk kanë të bëjnë me zgjedhje të vërteta. Por paturpësia me të cilën kremlini i zhvilloi këtë rradhë zgjedhjet rajonale, dëshmon se si arti i manipulimit politik ashtu edhe përçmimi i qytetarëve të saj ka arritur një nivel të ri. Gjatë zgjedhjeve të fundit, Kremlini u përpoq të mbante të paktën fasadën demokratike. Por këtë rradhë edhe këto përpjekje dështuan."

Ndryshojmë temë. Java e kaluar ishte java e terrorit islamik, edh pse vetëm teorikisht. Islamistët kanë paralajmëruar në internet se do të zhvillojnë sulme terroriste në Gjermani dhe Austri, në rast se këto dy shtete nuk i tërheqin trupat e tyre nga Afganistani. Më pas Pëntagoni publikoi raportin mbi rezultatet e hetimit të terroristit Shah Mohamed, në të cilin ndër të tjera edhe CIA akuzohet për torturime ndaj të burgosurit.

Gazeta britanike INDEPENDENT shkruan:

"Pohimet e organizatorit kryesor të sulmeve të 11 shtatorit 2001 kundër SHBA-s duhet të vlerësohen me kujdes. Nuk është ende e qartë se sa shumë është influencuar nga torturat e CIA-s, ndërkohë që Shah Mohamed e konsideron veten si "super terrorist". Sigurisht që ka qënë një ndër personat kryesorë që organizuan sulmet e 11 shtatorit 2001. Por duket disi e pabesueshme që ka qënë pjesëmarrës në të gjitha 31 sulmet terroriste që ishin planifikuar dhe që u kryen."

Gazeta spanjolle EL PAIS shkruan mbi paralajmërimet për terror në internet:

"Ato duhen marrë seriozisht. Komunikata të tilla nuk janë të reja në kalifati virtuel. Madje në Spanjë nuk mjaftoi fakti se u tërhoqën trupat ushtarake nga Iraku. Perëndimi nuk duhet ta ndryshojë politikën e tij në Afganistan për shkak të paralajmërimeve për sulme terroriste. Terrorizmi islamik nuk kërkon bisedime por efekte. Rreziku nuk është i përkohshëm, por i përhershëm."

Dhe së fundi në gazetën austriake DER STANDARD lexojmë:

"Dikush do të kërkojë me siguri që 4 apo 5 oficerët austriakë të tërhiqen nga Kabuli. Por ky do të ishte hapi më idiotik që do të ndërmerrej pas kësaj videokasete. Ata që kërkojnë sot tërheqjen e trupave nga Afganistani marrin në mbrojtje terroristët. Ashtu siç thoshte dikur numri 2 i Al Kaidës, Al Savahiri: Siguria jonë është siguria juaj. Në rast se videokastea dëshmon diçka, atëherë ajo është që siguria është e pandashme."