Mbrojtja nga rreziqet duhet të jetë prioriteti më i lartë | Gjermania | DW | 02.04.2004
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Mbrojtja nga rreziqet duhet të jetë prioriteti më i lartë

Polemika rreth angazhimit të ushtrisë gjermane brenda vendit

Starfighter të ushtrisë gjermane

Starfighter të ushtrisë gjermane

A duhet të marrë ushtria gjermane detyra policore brenda vendit për të siguruar mbrojtjen nga atentatet terroriste apo mandati i saj duhettë kufizohet vetëm në mbrojtjen e vendit? Për këtë debatojnë prej javësh politikanët në Gjermani. Angazhimi i Bundesverit brenda vendit duhej të kishte filluar kohë më parë pasi politika dhe shoqëria duhet të reagojnë ndaj skenarëve të rinj me strategji po aq të reja dhe fleksibile.
Kërcënimi nga terrorizmi ndërkombëtar ka marrë përmasa që ishin të papërfytyrueshme vetëm pak vjet më parë. Sot atentatet ndaj të ashtuqujaturave objektiva të ndjeshëm si grumbullimet e mëdha të njerëzve në mjetet e transportit publik, në sheshe qëndrore, në stacione trenash, aeroporte apo qëndra tregtare janë të pranishme kudo në Evropë e pra edhe në Gjermani. Prandaj nuk është më vetëm e lejueshme por madje këshillohet më forcë që politikanët përgjegjës të mendojnë për mënyrën e kundërvënies ndaj këtij rreziku të ri.

Strukturat policore të landeve dhe federatës janë në fakt të parat përgjegjëse për këtë por në rast nevoje mund të mos ishin të mjaftueshme qoftë për shkak të numrit qoftë për shkak të stërvitjes dhe pajisjeve të tyre ushtarake. Vështrimi i shumë ministrave të brendshëm të landeve gjermane kthehet kështu drejt forcave të armatosura. Ushtria gjermane Bundesver ka rreth 285.000 vetë nën armë dhe është në masë të madhe e aftë të veprojë shumë shpejt. Ajo disponon një spektër të gjerë armësh dhe pajimesh speciale të cilat mund të sigurojnë mbrojtjen nga pothuaj çdo lloj sulmi të mundshëm.

Por kjo është e vërtetë vetëm teorikisht pasi ligjet e kushtetutës gjermane e kufizojnë angazhimin e forcave të armatosura në një kornizë shumë të ngushtë. Sipas ligjit themelor gjerman federata i ofron forcat e armatosura vetëm për mbrojtjen. Përveç mbrojtjes forcat e armatosura mund të angazhohen vetëm në raste të parashikuara (lejuara) nga kushtetuta. Por në të nuk bëhet fjalë në asnjë ligj apo paragraf për sulmet terroriste, pasi këto të fundit ishin ende të paimagjinueshme në mes të viteve '50 kur në kushtetutë u integruan rregullat për forcat e armatosura.

Qeveria gjermane dhe koalicioni kuq e gjelbër i referohen mundësisë së angazhimit të forcave të armatosura në kuadër të së ashtuquajturës ndihmë administrative. Por edhe ky rregull kufizon anagzhimin e Bundesverit në ndihmën në rast katastrofash natyrore ose raste fatkeqësish të përmasave të mëdha. Në asnjë vend nuk bëhet fjalë për sulme terroriste. Shkak për këtë kufizim kaq strikt është frika që ende ekzistonte në mes të viteve '50 nga marrja e kompetencave shumë të gjera prej forcave të reja të armatosura që po krijoheshin.

Por kohët kanë ndryshuar. Që prej shembjes së komunizmit gjermanët nuk janë të kërcënuar nga ushtri të huaja por nga një hordhi fanatikësh të flaktë fetarë që veprojnë në fshehtësi. Ata përcaktojnë formën e luftës, caqet dhe mjetet me të cilat ato do të goditen. Do të ishte diçka e papërgjegjshme të kërkoje t'i përgjigjeshe këtij kërcënimi të shekullit të 21-të vetëm me mjetet e viteve '50 të shekulli të 20-të. Prandaj kristiandemokratët në opozitë kërkojnë ndryshimin përkatës të kushtetutës.

Argumenti nga rradhët e qeverisë dhe koalicionit kuq e gjelbër se Bundesveri nuk është i përshtatshëm për kryerjen e detyrave policore nuk është bindës. Në Afganistan dhe Ballkan ushtria gjermane ka marrë përsipër kryerjen e detyrave të tilla. Që në fazën e parë të stërvitjes një ushtar ushtron shërbimin e rojes pra shumë mirë mund të përdorej edhe për mbrojtjen e objekteve civilë. Por para së gjithash duhet thënë një gjë: vetëm forcat e armatosura disponojnë njohuritë dhe mjetet për të siguruar mbrojtjen nga sulmet ajrore, nga deti apo me mjete të blinduara. Mosmarrja parasysh e këtyre forcave në mbrojtjen nga rreziqet mund të dukej si një ftesë për terroristët për të shfrytëzuar në përmbushjen e planeve të tyre kriminale pikërisht të tilla boshllëqe.

  • Data 02.04.2004
  • Autor Walter von Thiesenhausen
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Ar71
  • Data 02.04.2004
  • Autor Walter von Thiesenhausen
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Ar71