1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Mbrojtës i një politike më të ngushtë integruese të anëtarëve të BE-së - portret i komisarit qipriot pranë BE-së Markos Kyprianu

Teo Georgicopullos27 Shtator 2004

Komisioni i ri i BE-së përbëhet nga tetë gra dhe 17 burra, që i kanë vetes synim ta çojnë përpara Evropën. Ndër ta bën pjesë edhe ish-Ministri qipriot i Financave, Markos Kyprianu. Juristi 44-vjeçar është që prej vitit 1991 deputet i Partisë demokratike të Qipros në parlamentin e vendit dhe ka qenë aktiv në komisionin e parlamentit qipriot për çështjet evropiane. Kyprianu do të jetë përgjegjës për çështjet e shëndetsisë dhe mbrojtjes së konsumatorëve.

https://p.dw.com/p/ArGP
Makos Kyprianu
Makos KyprianuFotografi: Europäische Kommission

Duket se Markos Kyprianu po ndjek me zell në karrierën e tij politike të atin Spiros Kyprianu, që ishte dikur president i Qipros. Përveç karrierës së tij politike dhe shkollimit të shkëlqyeshëm si jurist, ai është tepër i interesuar për çështjet e Evropës.
Qiproja e cila e fitoi pavarësinë në vitin 1960, ka 30 vjet që është e ndarë pas pushtimit të trupave turke në vitin 1974. Që prej asaj kohe përpjekjet ndërkombëtare për bashkimin e Qipros kanë qenë të pasukseshme. Lufta dhe ndarja e vendit kanë ndikuar edhe në mendimin politik të Kyprianut.

"Natyrisht kur u zhvillua lufta unë isha i ri dhe lufta ndikoi në formimin tim sikurse edhe tek shumica e qipriotëve. Pavarësisht prej qëllimeve politike të gjithë përpiqen për bashkimin e ishullit. Ribashkimi i Qipros është qëllimi im kryesor, që përcakton edhe shumicën e aktivitetit tim politik. Shpresoj se si komisar i BE-së së bashku me kolegët e tjerë dhe institucionet evropiane do të arrijmë të ndërmarrim nisma të reja për ribashkimin." - thotë Kyprianu.

Megjithë ndarjen e Qipros dhe praninë e madhe ushtarake të ushtrisë turke Kyprianu është pragmatik sa u përket shanceve të pranimit të Turqisë në BE: "Turqia duhet gjykuar objektivisht. Nuk duhen bërë përjashtime vetëm prej faktit se Turqia është një vend i madh apo për shkak të interesave të caktuara gjeo-politike. Sikurse çdo vend tjetër kandidat për BE edhe Turqia duhet ta pranojë legjislacionin e përbashkët dhe të përmbushë kriteret e Kopenhagës. Ne duhet t'i ofrojmë Turqisë një perspektivë në Evropë dhe ta lidhim atë me Evropën. Bisedimet për anëtarësim mund të fillojnë vetëm kur Turqia t'i plotësojë tërësisht të gjitha këto kritere."

44-vjeçari Kyprianu ka përfunduar studimet në degën e drejtësisë të Universitetit të Athinës dhe i vazhdoi ato në Harvard dhe Cambridge. Ai ka kryer praktika pranë Komisionit për të Drejtat e Njeriut të Këshillit të Evropës. Në politikën qipriote ai është aktiv që prej vitit 1986 në kuadrin e Partisë Demokratike të Qipros. Kyprianu është përkrahës i një integrimi më të ngushtë politik të vendeve të BE-së. Në rast se BE-ja dëshiron të luajë rolin e një superfuqie atëhere ajo duhet të flasë me një zë dhe të përfaqësohet me një politikë të përbashkët. Ai nuk mendon se zgjerimi i BE-së ka sjellë me vete deficite. "Unë nuk jam i sigurt nëse ka deficite. Por ne duhet të përpiqemi gjithmonë që t'i mbështesim anëtarët e rinj të BE-së, që të përmbushin detyrimet e tyre kundrejt BE-së. Shumë nga vendet e reja anëtare kanë vështirësi ekonomike dhe kanë nevojë për ndihmën e shteteve 'të vjetra' anëtare. Nga ana tjetër nuk duhet të harrojmë se të gjitha vendeve të reja anëtare u duhej ta implemetonin thuajse 100% legjislacionin e BE-së, megjithëse për vendet e vjetra anëtare egzistojnë përjashtime të ndryshme. Pra mund të thuhet me të drejtë, se shtetet e reja anëtare të BE-së janë më evropiane se të vjetrat."