Masat proteksioniste kundër krizës: "Shteti që në fillim të kufizohet në rolin e mysafirit"
13 Shkurt 2009Gazeta Handelsblatt merret me paketën e II të qeverisë gjermane për stimulimin e koniunkturës: "Ndihma për sipërmarrjen me probleme apo shtetëzimi i bankave që kanë rëndësi për ruajtjen e sistemit bankar janë të pranueshme në sfondin e rrethanave të jashtëzakonshme, vetëm në rast se shteti që në fillim kufizohet në rolin e mysafirit.
Sekretarët e shtetit apo ministrat nuk janë personat idealë për të qënë pjesë e këshillave drejtues të koncerneve dhe firmave private. E rrezikshme kjo bëhet kur shteti si bashkëpronar e drejton kryesinë e sipërmarrjes sipas qëllimeve politike. Një bankë mund të japë kredi vetëm kundrejt garancive, dhe jo se ministri i ekonomisë apo i financave kërkojnë prej tyre të jenë më bujare. Dhe as taksapaguesit nuk duhet të mbingarkohen."
Gazeta Landeszeitung (Lüneburg) ndalet në aspektin e proteksionizimit që po vihet re në shumë vende: "Kriza e madhe ekonomike po bën të shpërthejnë edhe egoizmat nacionalë. Barack Obama kërkon prej qytetarëve amerikanë të blejnë mallra amerikane. Rusia po e mbyll tregun e saj të automobilëve me taksa proteksioniste, Franca po u ndihmon koncerneve Renault dhe Peugeot, kurse Gjermania bankës Commerzbank. Kjo kur në rastin e krizës globale kërkohet më tepër se sa një manaxhim kombëtar i krizës. Duhet kuptuar se globalizimi është si shkaku i sëmundjes edhe terapia e saj. Në rast se shtetet do të kufizohen si deri tani vetëm në mbrojtjen e interesave të tyre, duke nxitur kërkesën vetëm në vendin e tyre, atëhere ato mund të dëmtojnë rëndë tregtinë botërore. Do të mjaftonte t'i hidhje një vështrim librit të historisë në lidhje me krizën e madhe të vitit 1929 për të mos e përsëritur më kët gjë."