1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Më shumë siguri e brendshme në kurriz të të drejtave të qytetarëve

Henriette Wrege8 Korrik 2005

Instituti gjerman për të drejtat e njeriut diskuton me ekspertë konfliktin mes objektivave: të drejtat e njeriut, siguri e brendshme dhe shteti ligjor.

https://p.dw.com/p/Ar3E
Masa më te ashpra sigurie në metropolet europiane pas atentateve terroriste në Londër
Masa më te ashpra sigurie në metropolet europiane pas atentateve terroriste në LondërFotografi: AP

Shpërthimet në Londër kanë shtuar frikën nga terrorizmi mbarëbotëror dhe kriminaliteti në rritje. Që pas atentateve në Nju Jork dhe Madrid masat më të forta të sigurisë në shumë fusha të jetës janë pjesë e koncepteve politike të qeverive në Europë. Në Gjermani aktivistët për të drejtat e njeriut dhe mbrojtjen e të dhënave personale druhen megjithatë se thirrja për më shumë siguri të brendshme mund të ketë si pasojë reduktimin e demokracisë dhe kufizimin e të drejtave të individid. A është kufizimi i lirive të qytetarëve çmimi që duhet paguar për më shumë siguri të brendshme? Një grup ekspertësh u përpoq t'u jepte përgjigje këtyre pyetjeve në një aktivitet publik të zhvilluar në Berlin.
"Trekëndëshi, të drejtat e njeriut, siguri e brendshme dhe shtet ligjor, u caktua nga ne temë e ditës pasi frika nga kërcënimet e terrorizmit ndërkombëtar dhe kriminalitetit të organizuar shoqërohet me ndërhyrje më të forta në të drejtat e qytetarëve. Një pjesë e këtyre ndërhyrjeve nuk kuptohen menjëherë nga qytetarët pasi janë të fshehta si p.sh. në rastin e masave të përgjimit të përhapura së tepërmi në kuadër të luftës kundër kriminalitetit. Kështu shprehet Ruth Vajncirl bashkëpunëtore shkencore nga instituti gjerman për të drejtat e njeriut. Trekëndëshi i mësipërm sipas saj ka dalë jashtë ekuilibrit. "Tendenca kulturore është që për shkak të frikës nga rreziqet e reja ndaj sigurisë të lihen në hije të drejtat e njeriut dhe shteti ligjor. Raporti konfliktual mes sigurisë dhe lirisë, sigurisë dhe të drejtave të njeriut nuk po peshohet dhe tematizohet më me saktësinë e duhur", thotë Vajncirl.
Masat dhe rregullat që i shërbejnë sigurisë në vend prekin në shumë drejtime fusha të jetës të qytetarëve dhe në përpjekjet e shtetit për më shumë siguri për popullsinë, qytetarët po trajtohen si kriminelë potencialë.
Çështjet e shtetit ligjor shpesh kanë një peshë shumë të vogël në debatin politik. Peter Shar nga Zyra Federale për Mbrojtjen e të Dhënave Personale është i mendimit se këto çështje janë shumë të rëndësishme sidomos përballë rritjes së mundësive teknike për mbledhjen dhe përpunimin e informacioneve mbi shtetasit. Në kuadër të masave për luftimin e terrorizmit përgjohen biseda telefonike, filmohen dhe rregjistrohen targa makinash private, dhe së shpejti përpara udhëtimeve për në ShBA autoriteteve përkatëse do t'u transmetohen të dhëna të plota për udhëtarët. Veçanërisht në plan europian kontrolli i nevojshëm parlamentar nuk egziston thuajse fare. Sipas Shar mundësitë efektive për mbrojtjen nga rreziqet dhe kufizimin e akteve penale janë urgjentisht të nevojshme por vetëm duke respektuar të drejtat e qytetarëve.
Ligjet e reja mbi sigurinë në Gjermani shkojnë madje përtej "cënimit të sferës private": në ligjin për sigurinë në hapësirën ajrore bëhet fjalë për jetë a vdekje, pra për vendimin për të qëlluar një avion pasagjerësh kur autoritetet e sigurisë dyshojnë se në bord të avionit ndodhen terroristë të cilët do ta përdorin atë për një atentat. Për Kai Vehter, gjykatës në gjykatën e lartë administrative në Lyneburg dhe profesor i filozofisë së të drejtës në Universitetin e Hanoverit me këtë ligj është arritur në kufijtë e kushtetueshmërisë."Në ligjin për sigurinë në hapësirën ajrore është arsyetuar se njerëzit në avion kanë jo më shumë se pesë minuta për të jetuar. Sa të vlefshme janë këto pesë minuta jetë kundrejt jetës së njerëzve që gjenden në një stadium apo ndërtesë në tokë? Në këtë mënyrë është relativizuar paprekshmëria e jetës."
Qeveria gjermane i ka lëshuar me rezervë ligjet për luftimin e terrorizmit dhe krimit të organizuar. Ato do t'i nënshtrohen një rishqyrtimi pas një periudhe pesë vjeçare. Do të vihet në provë efikasiteti i tyre: çfarë ka sjellë ky ligj, sa shpesh është përdorur, sa të pafajshëm e kanë pësuar prej tij, a është e justifikuar ndërhyrja në të drejtat individuale dhe sa të vlefshme ishin masat e ndërmarra në luftimin e terrorizmit. Vetëm pas vlerësimit të efikasitetit dhe përshtatshmërisë, parlamenti do të vendosë edhe njëherë mbi mbajtjen ose jo në fuqi të ligjit dhe formulimin e tij. Përfundimi i takimit të ekspertëve në Berlin ishte se nëse objektivi primar është shtimi i sigurisë të drejtat e qytetarëve nuk do të jenë të pacënueshme.