1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Më 30 janar irakianët do ta zgjedhin vetë qeverinë e tyre

Peter Philipp30 Dhjetor 2004

Në Irak do të zhvillohen më datën 30 janar zgjedhjet parlamentare. Ato duhet të jenë demokratike, të drejta dhe pozitive sidomos për pakicat në vend. Qëllime këto pothuajse të pamundura.

https://p.dw.com/p/AquT
Fotografi: AP

Mbajtja e zgjedhjeve të lira është një gur prove për SHBA-s, të cilat kanë më shumë se 17 muaj që deklarojnë se këto zgjedhje do ta kthejnë Irakun nga diktatura në një shtet demokratik. Por sa më shumë që afrohet data 30 janar, aq më shumë bëhet e qartë për të gjithë se kjo datë nuk do të zgjidhë asnjë problem.

Shkaku kryesor për këtë nuk është rezistenca apo lufta terroriste, e cila shkakton çdo ditë dhjetëra viktima në Irak. As apeli i simpatizantëve të ish diktatorit Sadam Hysein për t´i bojkotuar zgjedhjet e as kërcënimet e partisë sunite, se nuk do të kandidojë për listat zgjedhore. Këto janë vetëm disa simptoma të cilat u dëshmojnë SHBA-s se vetëm zgjedhjet e lira, nuk do të ndryshojnë shumë gjëra në Irak.

Nëse zgjedhjet do të zhvillohen më të vërtetë në mënyrë demokratike, atëherë shiitët do t´i fitojnë ato. Shiitët përbëjnë 60% të popullsisë, por nuk kanë qënë asnjëherë forcë politike në Irak. Sunitët ishin grupi me pushtet në Irak, por ata, sikurse edhe kurdët, përfaqësojnë me 20% të popullsisë vetëm një minoritet të vogël. Zgjedhje të lira dhe demokratike do të ndryshonin shumë gjëra në Irak, por nga ana tjetër këto zgjedhje do të sillnin si për sunitët ashtu edhe për kurdët një rol shumë më të parëndësishëm në jetën politike të vendit.

Një zhvillim i tillë do të ishte shkak për më shumë rivalitet dhe luftë mes grupeve të ndryshme të popullsisë. Sa herë që principi i shumicave është përpjekur të zgjidhet në mënyrë demokratike, kanë ndodhur konflikte nga më të ndryshmet, të cilat shpesh janë kthyer në luftëra civile: Në vitin 1961 për shembull, në Qipro parlamenti u përpoq të mbrojë minoritetet turke të cilat përbënin 18% të popullsisë, duke i lejuar një të drejtë vetoje për çështje të rëndësishme kombëtare. Ky ndryshim në kushtetutë solli jo vetëm debate dhe konflikte, por së fundi edhe invazionin turk dhe ndarjen e ishullit në dy zona. Një veprim ky, me pasojat e të cilit popullsia duhet të jetojë edhe sot e kësaj dite.

Në Afganistan pashtunët përbëjnë shumicën e popullsisë, por ishin për shumë kohë jashtë pushtetit politik. Edhe në ish Jugosllavi gjenden raste të ngjashme dhe të gjithë këta shembuj bëjnë të qartë se problemi i pakicave nuk mund të zgjidhet gjithmonë me ligje shtetërore.

Në Irak shumica e popullsisë është shiite. Në Bagdad, popullsia
është kaq e përzier sa për kryeqytetin duhet vendosur një rregull i posaçëm. Aty duhen marrë parasysh edhe minoritete të tjera si të krishterët asirianë dhe ata kaldevianë. Për këto pakica duhet gjetur një rregull i ngjashëm me atë në Iran, ku armenët, ebrejtë dhe të krishterë të tjerë kanë vende të rregullta në parlament.

Por një paketë e tillë e përzier nuk mund të arrihet dot gjatë zgjedhjeve të janarit, sepse në Irak mungon baza ligjore dhe qeveria e përkohshme nuk ka asnjë interes për të krijuar një ligj të tillë. Për këtë arsye zgjedhjet e janarit do të sjellin në fillim një kaos politik ndërkohë që ata që do t´i fitojnë ato do të kenë një detyrë të vështirë. Ata do të duhet të krijojnë një lloj sistemi praktik i cili do të mund të mbrojë pakicat dhe në të njejtën kohë demokracinë deri në dhjetor të vitit 2005, kur do të zhvillohen zgjedhjet e tjera në vend.