Lindja e Mesme pa Sharonin | Studimi në Gjermani | DW | 07.01.2006
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Studimi në Gjermani

Lindja e Mesme pa Sharonin

Tema më e komentuar në shtypin gjerman vazhdon të jetë gjendja e kryeministrit të Izraelit, Ariel Sharon, dhe pasojat e largimit të tij nga skena politike.

Gazeta "Mitteldeutsche Zeitung" komenton: "Eshtë mëse e mundur që Sharoni do të largohet nga skena politike. Kjo e lë shtetin pa kokë dhe i bën të pakalkulueshme zhvillimet në rajon. Gjithashtu partitë në Izrael identifikohen shumë përmes politikanëve drejtues. Partia e re e Sharonit, Kadima humbet tani, pikërisht në një fazë themelimi, kokën e profilit të saj. Në sfondin edhe të pejzhazhit të copëzuar partiak në Izrael, Kadima do ta ketë shumë të vështirë të mbijëtojë. Kushdo që ta pasojë Sharonin, do t´i duhej të kish karizëm dhe mprehtësi. Por duke pasur parasysh zgjedhjet e planifikuara për në mars, një gjë do t´i mungojë pasardhësit: koha", vëren "Mitteldeutsche Zeitung".

Edhe e përditshmja tjetër "Badische Neueste Nachrichten" komenton në të njëjtën linjë: "Edhe pse Sharoni e ka bllokuar rrugën e së ardhmes si për Izraelitët edhe për palestinezët me tërheqje, gardhe sigurie, mure dhe me planin e ndarjes, ky plan do të mund të zbatohet vetëm në një të ardhme të largët. Asnjë politikan tjetër nuk ka kaq shumë aftësi veprimi dhe karizëm sa Sharoni", shkruan "Badische Neueste Nachrichten".

Në gazetën "Schwäbische Zeitung" lexojmë: "Periudha pas Sharonit do të karakterizohet nga vendime politike që i ka përcaktuar ai, duke nisur qysh nga tërheqja prej Rripit të Gazës e deri tek ndryshimi i pejsazhit partiak. Janë të shumtë ata që e konsiderojnë si një kryeministër tranzicioni zëvendësin e Sharonit, Olmert, ideatori i shkëputjes së territoreve palestineze. Edhe pse për këtë të fundit, thuhet se nuk është karizmatik, për këdo që e donte vërtetë Sharonin, ai është kandidati i përshtatshëm. Por të mos nxitohemi me gjykime të shpejta. Përpara dhjetë vjetësh ndodhi krejt ndryshe. Asokohe pas vrasjes së Itxhak Rabinit, konsiderohej si zgjedhja e sigurtë Shimon Perezi. Por në fund fitoi Benjamin Netanjahu, populist i djathtë. Nëse përsëritet e njëjta gjë, kjo do të ishte goditja më e madhe për procesin e paqes", analizon "Schwäbische Zeitung".

Lidhur me diskutimin për energjinë pas grindjes mes Rusisë dhe Ukrainës gazeta "Neue Ruhr/Neue Rhein-Zeitung" komenton: "Asgjë nuk do të ishte më fatale, se sa të tërhiqeshim të qetë pranë sobës së ngrohtë me gaz, pas kompromisit të arritur në grindjen mes Rusisë dhe Ukrainës. Kremlini, që posedon shumicën e aksioneve të koncernit energjetik Gazprom, synonte të maste forcat me vendin fqinjë duke e paraqitur grindjen thjehstë si një konflikt ekonomik. Edhe kancelaria në Berlin bëri sikur Moska dhe Kievi grindeshin thjeshtë për çmimin e gazit. Në të vërtetë imperializmi rus i lëndëve të para zbulon paaftësinë e Kremlinit, për t´u pajtuar me revolucionin e portokalltë në Ukrainë", tërheq vëmendjen "Neue Ruhr/Neue Rhein-Zeitung".

Grindja ruso-ukrainase për gazin ndezi debatin mbi strategjitë për të ardhmen e burimeve energjetike. Në radhët e koalicionit qeverisës në Gjermani, të përbërë nga socialdemokratët dhe kristjandemokratët po debatohet mbi afatin e nxjerrjes nga funksionimi të centraleve bërthamore. Për këtë gazeta "Ostthüringer Zeitung" analizon: "Ministri i ekonomisë pat harruar siç duket, që në marrëveshjen e koalicionit me socialdemokratët është përcaktuar që të mbetet në fuqi plani për nxjerrjen jashtë funksionimit të cerntraleve bërthamore. Kancelares Angela Merkel iu desh ta kujtojë atë vetëm pas grindjes mes Moskës dhe Kievit mbi marrëveshjet e reja për çmimin. (...) Në politikën energjetike të Gjermanisë s´ka asnjë koncept me bazë për të ardhmen veç atij për nxjerrjen nga funksionimi të centraleve bërthamore", shkruan "Ostthüringer Zeitung".

Së fundi edhe një citat nga artikulli i "Augsbuger Allgemeine" lidhur me gripin e shpendëve: "Fëmijët që kanë vdekur në Lindje të Turqisë janë infektuar duke luajtur me kokat e pulave të therura. Infektimi do të kish qenë i evitueshëm nëse do të rrespektoheshin rregullat higjenike siç propagandohen këtu në vend prej kohësh. Por këto informacione nuk kanë mbërritur ende në shumë rajone rurale në Turqi. Rasti tregon, se sa i rëndësishëm është informacioni, kur bëhet fjalë për kufizimin e sëmundjeve të rrezikshme infektive."

  • Data 07.01.2006
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Ars1
  • Data 07.01.2006
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Ars1